Home / Opinion / Përse fitoi Rama i Ramës ?

Përse fitoi Rama i Ramës ?

Nga Andrea Stefani

Ajo që PD e propagandoi si një fitore që do paralajmëronte rikthimin në pushtet në 2017-ën, rezultoi në një disfatë 10 herë më të thellë se ajo e pësuar në zgjedhjet e mëparshme lokale në Dibër. Kur fitoren e propagandon si gënjeshtër, do ta korrësh si disfatë. Dhe siç ka ndodhur tradicionalisht në këto 26 vjet, PD-istët nisën nga justifikimet. Në pamundësi për të shpallur një humbje me mbi 4 mijë vota disavantazh si fitore, Basha fajësoi popullin e Dibrës që ja paska shitur votat botës së krimit. Edhe të tjerë ja vunë fajin shitblerjes së votave. Ca akoma të tjerë, thanë se ajo si fitore që duhet të ishte lajmëtari rikthimit në pushtet pas një viti, nuk do të thoshte fare asgjë pasi rezultoi një disfatë! Edhe si e disfatë ajo paralajmëron fitoren! Ec e kuptoi këta berishistët. E lexojnë realitetin sipas qejfit me besimin e verbër se shqiptarët do besojnë ato që ata thonë dhe jo atë që shohin në realitet. Për fat të mirë të Shqipërisë dhe për fat të keq të PD, janë një masë në rrudhje fanatikësh pa aftësi për të reflektuar që mbeten të gatshëm t’i gëlltisin dhe përhapin gënjeshtrat e SHQUP-it.

Besimi te forca e gënjeshtrës shfaqet sot një nga tiparet më tipike të berishizmit. Edhe e degradimit të tij. Dibra tregoi se ato nuk ecin më, se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Ndërkaq neve nuk na duhen fare këto mashtrime vulgare që PD i shpalos (tashmë e ka bërë zakon) sa herë humbet. Na intereson analiza se përse humbi PD tre vjet pasi qeveria, për shkak të reformave të dhimbshme edhe pse shtetformuese, duket se ka humbur ca nga optimizmi i elektoratit që e mbështeti aq fuqimisht në dy zgjedhje radhazi.

Mesazhi i parë që vjen nga Dibra, është se berishizmi ka humbur çdo besueshmëri në shumicën e shqiptarëve. Ata janë lodhur me politikën konfliktuale që gjeneron Berisha, si në opozitë ashtu edhe kur është në pushtet. Por vërtetohet se sa e gabuar është për PD mos shkëputja dot nga Berisha dhe berishizmi pas disfatës së 2013-ës. Po ta kish bërë një gjë të tillë, sot PD do qe në pozita krejt të tjera. Por si mund të ndodhte një mrekulli e tillë kur Berisha e ka mbushur grupin parlamentar dhe oborrin e SHQUP-it në shumicë me puthadorë dhe fanatikë që çdo arritje në jetë ja detyrojnë vetëm Berishës? Këto kukulla të bindura nuk mund të mos e shpallnin Berishën (sipas një modeli tipik enverist) udhëheqësin historik sipas mësimeve të të cilit PD do ecte edhe në të ardhmen. Askush nuk thotë sot se Partia Laburiste duhet të ecë sipas mësimeve të Toni Blerit. As në SHBA republikanët nuk thonë se duhet të ecin sipas mësimeve të Xhorxh Bushit ( të vjetër apo të ri). Por në PD vazhdon modeli neoenverist i kultit të liderit themelues, mësues dhe historik. Dhe disfata në Dibër është rrjedhojë e ndjekjes nga PD të politikës së vjetër të stilit të stërkonsumuar të shpifjeve dhe konfliktualitetit të pafund që gjeneron lideri i saj historik.

Me peshë jo të vogël ka qenë edhe kundërshtimi i reformës ne drejtësi, deri edhe në përplasje me ambasadën e SHBA, që e ka nxjerrë lidershipin e PD mjaft keq në sytë e shqiptarëve si një lidership që, për shkak të korrupsionit dhe kriminalizimit, i trembet ardhjes së një drejtësie të pavarur.

Pa distancimin nga Berisha dhe berishizmi PD nuk ka të ardhme. Ajo, për shkak të interesave korruptive të lidershipit të saj, është pozicionuar në krahun e gabuar të kurbës historike duke hyrë në konflikt me ato zhvillime që shfaqen si domosdoshmëri për europianizimin e Shqipërisë. Kështu, 26 vjet pasi doli në krye të shqiptarëve që kërkonin një Shqipëri si gjithë Europa PD, për faj të lidershipit të saj të stërvjetër dhe të kriminalizuar, shfaqet si pengesa kryesore e këtij ideali që vazhdon të mbështetet nga shumica e shqiptarëve.

Një tjetër problem është ai që Lulzim Basha, gjoja lideri i ri PD, nuk krijon dot besueshmëri. Në radhë të parë se nuk është i vërtetë. Të gjithë në PD dhe në mbarë Shqipërinë e dinë se nuk është Basha që e udhëheq PD, por ai plaku dinak që kërkon të mashtrojë shqiptarët sikur gjoja është larguar. Por po  të luash teatër, vetëm dy opsione të presin, ose dramë ose komedi. PD po i shpalos të dyja.

Basha nuk krijon besueshmëri edhe për të kaluarën e tij mjaft të zhyer me krim dhe korrupsion. Kur Basha bën thirrje për luftë kundër korrupsionit, shqiptarëve u kujtohet se ai i është shmangur gjykimit me procedura të dyshimta për super-korrupsionin 200 milionë eurosh të rrugës Durrës-Kukës. Kur Basha akuzon qeverinë Rama si tradhtare të interesit qytetar dhe publik, shqiptarëve u kujtohet falja nga  ai e ujërave detare Greqisë. Kur Basha bërtet për lirinë, shqiptarëve u kujtohen protestuesit e vrarë dhe të plagosur pabesisht në bulevard ndërsa po ushtronin lirinë e tyre kushtetuese për të protestuar. Edhe dje, kur Basha akuzoi dibranët se i janë shitur botës së krimit, shqiptarëve i janë kujtuar tërë këto krime ku Basha është një ndër autorët kryesor. Me politikanë si Basha në krye, kauzat e PD për dekriminalizimin apo antikorrupsionin perceptohen pashmangësisht si hipokrizi dhe tallje me publikun. Tani, që PD pësoi një disfatë të thellë edhe në Dibër, kanë dalë zëra edhe nga mbështetësit e saj për largimin e Bashës. Në një situatë normale kështu duhet të ndodhte me një kryetar partie (aq më tepër formal) që mori përsipër kryesimin e një fushate që përfundoi në disfatë të thellë. Por as mund të mendohet se mund të gjendet në oborrin e SHQUP-it  dikush që mund ta largojë Bashën. Do të qe po aq utopike sa largimi real i Berishës nga timoni i PD. Sepse Basha është Berisha! Prandaj disfata të tjera e presin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.