Politika

Berisha: Kanabisi, pronë e qeverisë; Rama: Sali, urime që frymëzove Hollivudin

Tension ka shkaktuar në seancë plenare deklarata e kryeministrit Rama, i cili i është përgjigjur parardhësit të tij në këtë detyrë duke i kujtuar Gërdecin dhe pasqyrimin e kësaj ngjarjeje në filmin “War Dogs”.
“Sali, të përgëzoj që arrite të bëheshe frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që zyrën e avokatisë që ke ta vësh në përdorim për të drejtat e autorit, sepse pa ty filmi “War Dogs” nuk do të ishte bërë nga Hollivudi. Ti Sali je një “war dog” i vërtetë dhe suksesi yt ka arritur deri në Hollivud. Kjo është diçka që nuk mund të mbetet jashtë rrezes së vëmendjes dhe duhet të jetë diçka për të mbajtur mend”, ka thënë Rama.
Fjalët e tij kanë bërë që deputeti Flamur Noka të ngrihet nga ulësja e tij dhe t’i kërkojë kreut të mazhorancës që të kërkojë falje për fjalorin.
“Ku është fjalori këtu? Hollivudin nuk mund ta censurosh”, i është përgjigjur Rama Nokës.

Berisha: Kanabisi, pronë e një organizate kriminale që quhet qeveri

Më herët, ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën e tij në seancë plenare ka akuzuar sërish qeverinë se, “përbën një organizatë kanabiste të vërtetë që mbulon kanabizimin në Shqipëri”.
“Përpiqen në një histeri të papërmbajtur të çirren, të shpifin e trillojnë, të citojnë dokumenta që nuk ekzistojnë vetëm e vetëm sepse mendojnë se në këtë mënyrë mund të lajnë me duar fytyrën e tyre të nxirë me kanabis”, ka deklaruar Berisha duke iu referuar ministrave.
Sipas tij, kjo qeveri e ka kthyer vendin në një varrezë narkotikësh, që ka ndikuar edhe tek zgjedhjet në Dibër.
“Dibra ishte një nga varret e kësaj varreze ku ju keni futur votën e shqiptarëve, ku keni varrosur vullnetin e lirë të shqiptarëve”, ka thënë Berisha, duke shtaur se, prapa aferave të bëra në Dibër qëndron deputeti Sadri Abazi dhe kryeministri Rama.
“Prapa çjerrjeve histerike të Sadri Abazit në Dibër qëndrojnë vjedhjet e miliona e miliona eurove në bashkëpunim me Edi Ramën. Ishte ndërtimi i pallateve të tij me industrinë e drogës dhe pengmarrjet”, ka vijuar ish-kryeministri.
Ai ka theksuar se, është e kotë që çështja e kanabisit të trajtohet duke drejtuar gishtin tek fshatarët kultivues, në një kohë “kur droga është në duart e Edi Ramës dhe Saje qorrit”.
Më tej, Berisha ka dhënë variantin e tij se si kryeministri shpërndan drogën dhe mbledh taksën e saj. “E dini si e mbledh Rama taksën e drogës? Ja u them unë. E mbledh Ardian Çela, kryetari i OSHEE-së, makinat e të cilës transportojnë në të katër anët e Shqipërisë drogën me taksë për Edi Ramën. Sipas raporteve të shërbimeve partnere, të paktën 20 milionë rrënjë kanabis janë mbjellë në Shqipëri”, ka pohuar Berisha gjatë fjalës së tij.
Ai ka shtuar se, “kanabisi është pronë e një organizate kriminale që quhet qeveri shqiptare, e birësuar nga Edi Rama e që po zëvendëson investimet, prandaj dhe bandat sulmuan biznesmenin që do të investonte në bregdet”.
Ish-kryetari i PD ka akuzuar krerët e qeverisë se “i kanë bërë gropën” edhe ish-kolegut të tyre Koço Kokëdhima, ndërsa sa u takon zgjedhjeve në Dibër është shprehur:
“Dita e diel ishte një ngjarje e paralajmëruar. Edi Rama përdori gjithë potencialin kriminal jo vetëm të DDibrës, por falangat e krimit nga çdo cep i vendit. Makineria kriminale zbarkoi me të gjitha instrumentet e saj në Dibër”, ka shtuar Berisha.
“Ta rrëzojmë këtë qeveri monstruoze që po vjedh cdo ditë pasuritë e qytetarëve. Ta rrëzojmë këtë qeveri sepse përndryshe ju, fëmijëve tuaj ju pret ose eksodi, ose droga”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button