Kronika

“Lazarati II” Policia mësyn Dukagjinin, përplasje me armë

antikanabisAksion i gjerë nga ajri dhe toka për kanabisin në veri të vendit. Asgjësohen 35 mijë rrënjë

Nga Silvana Muça

Nis operacioni për asgjësimin e drogës në veri të Shqipërisë, por banorët e zonës së Dukagjinit qëllojnë me armë zjarri në drejtim të policisë. Aksioni antidrogë ka nisur ditën e djeshme dhe janë asgjësuar mbi 35 mijë rrënjë kanabis. Ky është operacioni i dytë, i rëndësishëm pas atij të Lazaratit dhe që prej mëngjesit të së enjtes, strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë në një shkallë të gjerë për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike. Sipas të dhënave zyrtare, parcela të mbjella me drogë janë gjetur në komunat e zonës së Dukagjinit, përkatësisht në Shllak, Shosh, Pult dhe Temal. Në këtë operacion janë përfshirë rreth 150 forca policore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Policisë Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara. Prej terrenit të vështirë, grupeve të punës, i janë vënë në dispozicion tre helikopterë, nga të cilët 2 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një i Policisë së Shtetit. Ata kanë bërë të mundur transportimin e forcave policore në zonat e thella malore. Aksioni i ndërhyrjes, është bërë në fshehtësi të plotë, në mënyrë që policia të ndërhynte, në kohë për asgjësimin e drogës së mbjellë. Sipas të dhënave, kultivuesit kanë shfrytëzuar terreni e vështirë, për kultivimin e lëndës narkotike, me shpresën se nuk do të identifikoheshin nga policia, apo këto të fundit nuk do kishin mundësi që të ndërhynin. Sipas të dhenve, ky nuk është viti i parë, që në Dukagjini kultivohet Kanabis Sativa, por Policia thotë se ky është operacioni i parë, që ka përmasa të tilla asgjësimi. “ Terreni ku po zhvillohet operacioni është tepër i vështirë dhe shtrihet në një zonë të thellë malore. Në dispozicion të shërbimeve policore të përfshira në operacion janë vënë dhe rreth 35 mjete të llojeve të ndryshme, duke pasur parasysh dhe vështirësitë që paraqet terreni”, thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit. Në aksion janë përfshirë rreth 13 grupe pune, të cilat në mënyrë paralele u shpërndanë në zonën e Dukagjinit, për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike. Policia ka pasur informacion të saktë për të gjitha parcelat e mbjella me drogë dhe në sajë të hartës së siguruar në mënyrë të fshehtë, nuk e ka pasur të vështirë që të ndërhyjë në asgjësimin e tyre. Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për të paktën 150 parcela, të cilat kanë sipërfaqe të ndryshme. Ndërkaq, deri në orët e pasdites, shërbimet policore mundën që të asgjësojnë mbi 35 mijë, rrënjë bimë të hashashit. Për të nisur hetimet në identifikimin e personave që kultivuan kanabis sativa, ekspertët e kriminalistikës kanë nisur hetimet. Në çdo rast janë kryer veprime procedurale dhe janë marrë mostrat përkatëse, për ekzaminime të mëtejshme. Operacioni në Dukagjini, ndonëse është i dytë për nga rëndësia, pas atij të Lazaratit, ka qenë pothuajse i qetë. Banorët e zonës, kanë lejuar policinë që të veprojë në asgjësimin e drogës. Probleme janë hasur vetëm në Komunën Pulit, ku gjatë kohës që forcat e policisë po operonin, janë ndeshur me të shtëna arme. Për të shmangur incidentet, janë organizuar në mënyrë të menjëhershme shërbimet e Komisariatit Special RENEA, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes në mbështetje të grupeve që veprojnë në terren. Ata kanë nisur punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit që sulmoi policinë. Forcat e policisë do të vijojnë operacionin në terren, edhe gjatë ditëve në vijim deri në asgjësimin e të gjitha sipërfaqeve të konstatuara të kultivuara me bimë narkotike në këtë zonë. “Policia e Shtetit është e vendosur në përmbushjen e objektivave të saj për asgjësimin e çdo sipërfaqeje të kultivuar me bimë narkotike dhe vënien para drejtësisë të autorëve dhe ky operacion rikonfirmon angazhimin e saj të plotë në këtë angazhim me rëndësi kombëtare për heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike”, është zotimi që Policia e Shtetit ka bërë një ditë më parë. Aksione për asgjësimin e kanabisit në veri territorin e Shqipërisë, janë zhvilluar edhe disa ditë më parë. Me 19 gusht 2014, janë bërë kontrolle në zonat malore të Komunës Nikël të Rrethit Krujë. Operacioni filloi që në orët e para të mëngjesit  dhe u ndërpre në orët e mbrëmjes. Sipas të dhënave policore u identifikuan gjithsej 44 parcela të mbjella dhe u asgjësuan 9820 bimë të dyshuara kanabis sativa. Gjatë këtij operacioni u angazhuan 40 forca policore dhe 8 automjete.

 

Deklarata

Nëndrejtori i policisë, Qato: Aksioni do të vazhdojë katër ditë

Aksioni antikanabis, është drejtuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato. Sipas tij, operacioni në zonën e Dukagjinit, pritet të marrë fund pas 3-4 ditësh. Nga monitorimi i bërë me helikopter, janë konstatuar 150 parcela, por ka të dhëna se shifrat janë edhe më të larta. Sipas Qatos, operacioni ka përfshirë disa komuna dhe në të janë përfshirë rreth 150 shërbime policore. Ndër të tjera, numri dy, i Policisë së Shtetit, flet edhe për të shtënat e armëve, që janë dëgjuar në Komunën Pult.  “Forcat policore, janë duke vepruar në një terren të vështirë. Për transportimin e tyre në komunat e Dukagjinit janë vënë në dispozicion helikopterë, në sajë të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka bërë me Ministrinë e Mbrojtjes. Operacioni do vazhdojë, ndonëse terreni është shumë i vështirë. Policia është e vendosur në qëllimin e saj, i cili është heqja e çdo bime narkotike të kultivuar në territorin tonë. Sipas planifikimeve që kemi bërë operacioni mund të përfundojë shumë shpejt, por nëse nuk e kontrollojmë të gjithë zonën brenda harkut kohor të planifikuar, aksioni mund të zgjasë edhe më tepër”, u shpreh Altin Qato për mediat. Ndërkaq, ai ka folur edhe për të shtënat e armëve që janë dëgjuar në Pult të Dukagjinit. “Gjatë aksionit të djeshëm policor, në asgjësimin e drogës së kultivuar, janë dëgjuar të shtëna armësh. Pasi lokalizuam vendin nga qëllohej, morëm masa që të dërgojmë shërbimet e RENEA-s. Forcat e shumta policore bënë të mundur izolimin e zonës, për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e personit që qëlloi me armë. Kemi nën kontroll të plotë të gjithë zonën. Nuk është identifikuar personi që ka qëlluar me armë zjarri, thjesht kemi konstatuar të shtënat e armës”, tregon drejtuesi i operacionit. Sipas Qatos, në Komunën e Pultit është gjetur sasia më e madhe e drogës së kultivuar. Nga kalkulimet e bëra, shërbimet policore kanë asgjësuar rreth 25 mijë rrënjë kanabis sativa, nga 35 mijë që janë gjetur në të gjithë operacionin e një ditë më parë. Interesimit tё gazetarёve nёse ka tё arrestuar apo tё ndaluar, Qato iu përgjigj se për momentin grupet e punës, janë nё terren. Pasi të bëhet kalkulimi i gjitha veprimeve procedurale do të ketë konkludime. Lidhur me faktin nёse do tё ketё procedime apo arrestime tё kryepleqve tё fshatrave kreu i operacionit thotë se këto dol të bëhen pas veprimeve hetimore. Për momentin, e rëndësishme për Altin Qaton, është përfundimi i operacionit.

 Tahiri: Nga 1 qershori kemi asgjësuar 344,407 rrënjë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka përshëndetur operacionin e nisur një ditë më parë në rrjetin social Facebook. Sipas tij, kjo është shenja e radhës, e vullnetit të policisë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike. “Operacioni kundër plantacioneve të kanabis në Dukagjin e zonat përreth, shenja e radhës e vullnetit tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike. Policia që duam”, shkruan ministri i Brendshëm. Sipas Tahirit, nga 1 qershori deri më sot, janë asgjësuar gjithsej 344.407 bimë kanabis. “Kjo është 25 herë më shume se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, shkruan ministri Tahiri në një tjetër postim, të bërë po në Facebook.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button