Bota

Të shpëtohet Europa! – Para samitit të BE-së kërkohet unitet

Samiti i Bratislavës – ndër samitet më të vështirë të BE-së, por edhe samiti me pritshmëritë më të larta. Bashkimi Europian ndodhet në krizë të thellë, e duhet të tregojë më në fund se i del zot asaj.

Të premten (16.09) Bratislava do të jetë “qyteti më i ruajtur i Europës”, ka thënë zëvendëspresidenti i policisë sllovake, Jaroslav Malik për dpa-në. Kryeqyteti sllovak ka një arsye të fortë për t ‘u kthyer në fortesë. Sllovakia, e cila mban presidencën e radhës së BE-së është mikpritëse e samitit të radhës së Bashkimit Europian. Krerët e BE-së do të mblidhen për herë të parë në një samit pa Britaninë e Madhe. Kërkohet një ristartim i unionit dhe rifitimi i besimit të qytetarëve europianë. Më shumë unitet dhe efektivitet pret kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz. Para samitit ai tha pr “Spiegel” se “pres nga 27 vendet anëtare një sinjal, se ne qëndrojmë bashkë, megjithë problemet dhe temat kontroverse.”

Merkel – ujdi me Hollande

P ara samitit Kancelarja Merkel dakordoi qëndrimet me presidentin francez, François Hollande. Të enjten ajo u takua në Paris me presidentin francez, dhe pas takimit të dy krerët e BE-së bënë fjalë për “Axhendën e Bratislavës”, e cila do të diskutohet në samit. “Europa ndodhet në një pikë shumë vendimtare”, tha Merkel në konferencë shtypi në Paris. “Besoj se kemi nevojë për një axhendë të qartë”. Edhe presidenti Hollande u shpreh se me largimin e Britanisë së Madhe kemi të bëjmë me një krizë fundamentale të Europës. “Ne i njohim sfidat, e dimë se çfarë rrezikohet.”

Në axhendën e Bratislavës do te jetë prioritet siguria dhe kapacitetet e mbrojtjes. Në këtë fushë pritet të konkretizohet krijimi i një unioni të përbashkët me një shtab të përbashkët mbrojtjeje. Edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni shprehet për një strategji të përbashkët në fushën e mbrojtjes, “një lloj “Shengeni të mbrojtjes”. Prioritet tjetër është edhe e ardhmja sociale dhe ekonomike e Europës si edhe shkëmbimi kulturor në BE.

Dy ditë më parë (14.09) ishte kreu i Komisionit Euriopian Jean-Claude Juncker që dha sinjalin se ku do të shkojë Europa. Nuk do të ketë thellim të mëtejshëm të unionit. Europa që ndodhet në një krizë ekzistenciale duhet të ofrojë rezultate konkrete për qytetarët e saj: Juncker kërkon të dyfishojë fondin e investimeve që të shihen rezultate konkrete për qytetarët. “Nuk mund të pranoj që kjo është gjenerata e parë që do të jetë më e varfër se prindërit e vet”, tha Juncker.

Siguri për qytetarët europianë

Qytetarëve europianë që ndjehen të pasigurtë pas valës së emigracionit – BE synon t’u tregojë që di t’i mbrojë dhe kontrollojë kufijtë e saj. Që në tetor rreth 200 policë kufitarë të Frontex do të kontrollojnë kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Po ashtu do të ngrihet edhe një sistem i ri informacioni për udhëtimet që do të regjistrojë e verifikojë nëse dikush ka të drejtë të hyjë në BE. Nga ana tjetër do të forcohet Europoli.

Para samitit të së premtes, politikani i CDU-së, Elmar Brok është shprehur se Bashkimi Europian duhet të bëhet më efektiv. Kreu i Komisionit të Jashtëm të BE-së në Parlamentin Europian kërkoi pas largimit të britanikëve, përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë të jashtme. Brok paralajmëroi shtetet anëtare nga ujditë e veçuara me shteteve duke anashkaluar institucionet e BE-së. Edhe europarlamentari gjerman, konservatori Martin Weber u shpreh se duhet më shumë kompromis brenda Europës. “Njerëzit presin që t’i japim fund grindjes.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button