Opinion

Një variete e larmishme për Europën

Europa është në një krizë ekzistenciale, thotë Presidenti i Komisionit të BE-së. Por në vend të ofrojë një zgjidhje politike, ai ofron nisma të copëzuara me dobi praktike. Një tërheqje e kalkuluar.

Kaq të ftohtë dhe pa emocione nuk e kemi përjetuar ndonjëherë Jean-Claude Juncker-in. Ai lexoi një fjalim për gjendjen e Bashkimit Europian me një angazhim sikur po shpallte kurset e aksioneve në bursë. Nuk ndihej më asnjë shenjë e europianit të pasionuar si më parë. Presidenti i Komisionit ka hequr dorë nga patosi i unitetit dhe solidaritetit dhe po përdor marshin e pasëm retorik dhe politik.

Kush ka vizione duhet të shkojë tek mjeku, në besnikëri të plotë me këtë shprehje të ish-kancelarit Helmut Schmidt temperatura emocionale ishte pak mbi zeron. Asnjë fjalim më për integrimin e mëtejshëm në Europë, përkundrazi: Juncker theksoi larminë e shteteve nacionale duke zgjuar përshtypjen, se ai donte t’u shkonte pas fijes së populistëve me parrullat e tyre. Por asnjëherë nuk ia ka vlejtur t’u servilosesh atyre. Mënyra e paraqitjes së tyre tradicionale e folklorike nuk do ta çojë përpara BE-në.

Shumë nisma të vogla e të larmishme

Shefi i Komisionit i joshi qytetarët me një përzierje të larmishme bombonesh: internet i lirë, mbrojtje për punëtorët e metalurgjisë, para për blegtorët, projekte kundër papunësisë së të rinjve, luftë evazionit fiskal dhe një ligj të ri për të drejtat e autorit – secili mund të përzgjedhë atë çfarë i duhet si një vepër europiane bamirësie. Por është e dyshimtë, nëse me këtë sërish mund të binden për BE-në ata, që janë dhënë tani pas demagogëve populistë të djathtë.

E vetmja nismë politike, ajo që ndjek udhëheqja e BE-së, ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen. Qytetarët janë të pasigurtë dhe të frikësuar, kjo është diagnoza. Tani duhet që për dy muaj të vendosen rojet e para kufitare të BE-së në Bullgari. Nëse presioni i opinionit publik është i fuqishëm sa duhet, atëherë në Europë mund të lëvizin gjërat shumë shpejt. E njëjta gjë vlen edhe për një sistem tjetër kontrolli kufitar për ata që hyjnë në BE, për të kontrolluar kufijtë e përbashkët të jashtëm të BE-së.

Më në fund është hapur rruga edhe për një projekt të vjetër gjermano-francez: Parisi dhe Berlini mund të fillojnë të farkëtojnë një union mbrojtjeje, sipas motos: kush do të bashkëveprojë, është i mirëseardhur dhe në fund mund të krijohet një ushtri europiane. Këtë të gjithën duhet ta mbështesë NATO-ja dhe ajo nuk duhet të paraqesë konuurrencë. Qytetarët do t’i mirëpresin në këtë kontekst kursimet në buxhetin për ushtrinë. Vota për Brexit e me këtë edhe fundi i rezistencës britanike e ka hapur rrugën për këtë – e pra Brexit ka edhe efekte pozitive.

Brexit nuk do të na shkatërrojë ne

E sa i përket Brexit: kjo nuk do të na shkatërrojë ne, u përbetua Juncker para publikut të tij. Kjo shprehje është e drejtë edhe sepse, Brexit është vetëm shfaqja, por jo arsyeja e sëmundjes europiane. Në shumë vende të BE-së ka dyshime të ngjashme, refuzime të ngjashme të Bashkimit Europian. Në shumë vende kërcënon kthimi tek nacionalizmi, tek gardhet kufitare dhe tek një ndarje e re e Europës. Por nëse ka diçka që mund ta shkatërrojë unionin, atëherë kjo është ringjallja e fantazmave të së shkuarës.

Jean-Claude Juncker beson, se ka ardhur koha që në Europë të piqen vetëm panine të vogla. Krerët e qeverive me gjasë do ta ndjekin atë, kur të takohen të premten në Bratislavë. “Historia nuk do të na kujtojë ne, por gabimet tona”, u shpreh me fjalë të urta shefi i Komisionit. BE-ja ka pak muaj kohë për ta përballuar depresionin e vet për tu nisur pastaj – me maturi – drejt brigjeve të reja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button