Kronika

Zbatimi i reformës në drejtësi në pranverë 2017

“Reforma më e thellë në vendet e rajonit e ato postkomuniste në Europën Lindore”, thotë Ulsi Manja, deputet, relator për projektligjin për organizmin e funksionimin e prokurorisë në sistemin e reformuar të drejtësisisë.

Deutsche Welle: Z. Manja, qytetarët e Shqipërisë presin me padurin fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Çfarë garancish jep sistemi i reformuar se në Shqipëri do të fillojë të ketë drejtësi, se do fillojëtë shkulet kultura e mosndëshkimit, e çimentosur në 20- 25 vitet e fundit?

Ulsi Manja: Reforma në Drejtësi është një nga më themeloret në Shqipëri, në dy dekadat e fundit. Ndryshimet kushtetuese, që i hapën asaj rrugën, janë ndër më të thellat jo vetëm në Shqipëri, Ballkanin Perëndimor por mund të them, pa ndrojtje, në të gjitha vendet post komuniste. Dizenjimi i reformës në drejtësi është mbështetur në dy shtylla kryesore: nga njëra anë ajo synon të çrrënjosë nivelin e lartë të korrupsionit brenda sistemit, ama aq të lartë sa ka sjellë një besim” zero” të publikut tek drejtësia. Nga ana tjetër vetë sistemi i reformuar i drejtësisë duhet të jetë një antikorp i fortë kundër korrupsionit në rradhët e zyrtarëve të lartë, por edhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në tërësi në Shqipëri.

Pastrimi i sistemit të drejtësisë nëpërmjet procesit të vettingut, shoqëruar me krijimin e strukturave të reja kushtetuese përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në rradhët e zyrtarëve të lartë, të njohura tanimë si “ Struktura të Posaçme Anti Korrupsion” – SPAK – janë garanci për mbylljen e kapitullit të një drejtësie të kapitulluar. Pse? Gjykatësit dhe Prokurorët që do të punojnë në këto struktura do të kalojnë nga vetting-u . SPAK do të përbëhen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, Njësia e Posaçme Hetimore , që në ligjin përkatës emërohet “Byroja Kombëtare e Hetimit” , e ideuar të ngrihet dhe funksionojë sipas modelit të FBI-së dhe së fundi nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Të treja organet janë struktura të SPAK-ut dhe janë të ndara: Prokuroria e Posaçme buron nga Këshili i Lartë i Prokurorisë, që do të krijohet menjëherë pasi prokurorët dhe gjyqtarët të kenë kaluar vetting-un. Po kështu edhe gjyqtarët në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Si mbërrijnë gjyqtarët dhe prokurorët në procesin e vetting-ut?

Ligji për vettingun, i miratuar së fundmi, ka përcaktuar shumë qartë: brenda 30 ditëve nga hyrja e tij në fuqi të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, pavarësisht nga niveli dhe statusi, që nga shkalla e parë deri në Gjykatën e Lartë, detyrohen me ligj të plotësojnë formularin e pasurisë, atë të kontrollit të figurës dhe së fundi formularin e aftësive profesionale, tre drejtime të përcaktuara nga Kushtetuta.

Z. Manja, a mund të tregoni si do të bëhet konkretisht vetting-u?

Një nga propozimet e opozitës në Komisionin e Reformës në drejtësi ka qënë që vetting-u për gjyqtarët dhe prokurorët të kryhet sipas një kalendari individual. Por ky propozim nuk u pranua. Kjo pasi në ndryshimet kushtetuese, të miratuara me unanimitet me votën e 140 deputetëve, në korrikun e kaluar, janë përcaktuar afate kohore për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. P.sh. Këshill i Lartë i Prokurorisë duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Por ne nuk e dimë, se cilët mund të jenë 6 prokurorët që do të jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi ata do të dalin pas kryerjes së vetting-ut të të gjithë atyre që futen në garë. Shkurt të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, në të gjitha nivelet, që konkurrojnë për të qënë pjesë e organeve të Drejtësise: në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi duhet të kalojne në procesin e vetting-ut.

Nuk mund të paracaktohet, se cilët do të jenë ata gjyqtarë dhe prokurorë që do të hyjnë dhe fitojnë garën pa përfunduar vettingu. Prandaj thelbi i reformës në drejtësi është skaneri i sistemit aktual të drejtësisë përmes vetting-ut. Sipas komisionit të Venecias ka pasur përpjekje në Ukrainë për të bërë një vetting , por ky komision nuk e përkrahu, sepse përqasja ishte selektive- kërkohej të identifikoheshin gjyqtarët dhe prokurorët e papërshtashëm në sistem. Kurse vetting-u në reformën e drejtësisë në Shqipëri mori driten e gjelbër nga Komision i Venecias , sepse ai është gjithëpërfshirës dhe tërësor, pa dallim. Prokurorët dhe gjyqtarët, që do të ngelin në rrjetën e vetting-ut, ashtu si ka përcaktuar Kushtetuta, do të largohen nga sistemi. Tre janë kriteret e vetting-ut: pasuria dhe mosjustifikimi ligjor i saj nga gjyqtarët dhe prokurorët; kriteri i pastërtisë ose jo së figurës dhe kriteri i aftësive profesionale. Nëse nuk kualifikohen në dy kriteret e para, gjyqtarët dhe prokurorët dalin menjëherë nga sistemi. Por kur këto kritere janë ok, por gjyqtari apo prokurori nuk plotëson kriterin e aftësisë profesionale, kushtetuta ka përcaktuar dhënien e mundësisë për kualifikim në Shkollën e Magjistraturës për një periudhë 2 vjeçare. Pas kësaj periudhe ata i nënshtrohen përsëri vetting-ut për aftësitë profesionale. Pra, vetting është një sitë shumë e imët. E veçanta e tij është që barrën e provës përpara komisionit të vetting-ut apo Kolegjit të Apelimit e ka vetë subjekti gjyqtar apo prokuror që rivlerësohet. Vetting-u si institucion kontrollon përmes rrugëve të ligjshme vetëm saktësinë e të dhënave të deklaruara.

Verifikimi dhe kontrolli për deklarimet nga gjyqtarët dhe prokurorët të pasurive të tyre është çelësi që hap procesin e pastrimit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. A ka mekanizma ligjorë që kushdo prej atyre që mbetet në rrjetën e vetting-ut, të shkojë para drejtësisë?

Kjo është një pyetje interesante. Pranë komisionit të vetting-ut funksionon edhe komisioneri publik dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Komisioneri publik luan rolin e akuzës. Dhe e ka detyrim sipas kushtetutës dhe ligjit që kur tek subjekti i rivlerësuar konstatohen shkelje të bëjë kallëzim penal në prokurori.

Fjalën më pas e kanë Prokurorë dhe gjyqtarë që kanë kaluar me sukses vetting-un. Ka pasur reagime të ashpra nga shoqatat e gazetarëve kundër dy neneve në dy projektligje për funksionimine institucioneve të reja, që tentojnë ndëshkojnë me ligj gazetarët , nëse produktet e tyre mediatike shkaktojnë “ ndikim të papërshtatshëm që cënon pavarësinë e prokurorëve”. A e përjashton garantimi i pavarësisë së prokurorëve të drejtën e lirisë së shprehjes, të misionit të medias si “watch dog”?

Janë dy nene identike në dy projektligje: njëri për ngritjen dhe funksionimin e prokurorisë dhe tjetri për SPAK. Ka pasur një keqkuptim të paqëllimshëm në këto 2 nene, i shkaktuar nga përkthimi jo i saktë i nenit në shqip prej gjuhës origjinale të vendit nga janë marrë për t’ u adaptuar këto dy projektligje. Ne jemi mbështetur më shumë në përvojën e Kroacisë dhe Rumanisë si edhe atë amerikane. Gjithsesi pas kundërshtimit të drejtë të gazetarëve u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me përfaqësues të mediave për këto dy nene. Kemi vendosur t’i riformulojmë për një ekuilibër kushtetues mes pavarësisë kushtetuese të prokurorëve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese dhe garantimit të lirisë kushtetuese të shprehjes. Formulimi “ ndikim i papërshtatshëm që cënon pavarësinë e prokurorëve” lë hapësirë për keqinterpretin pasi ligji nuk përcakton se kush është organi që vlerëson ndikimin e papërshtatshëm. Ndikimi i paligjshëm është koncept ligjor dhe i parashikuar në kodin penal, pra subjekti që e shkel këtë përcaktim ligjor mban përgjegjësi ligjore.

Fillimi i mbarë, me fakte i zbatimit të reformës në drejtësi është edhe testi që Shqipërisë i duhet të kalojë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Jeni optimist se kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm?

Reforma në sistemin e drejtësisë është domosdoshmëri për qytetarët e Shqipërisë që për më shumë se 20 vjet mbetën në dyert e gjykatave dhe nuk iu dha drejtësi. Ata presin me padurim që të kemi një sistem të drejtësisë penale, që merr në mbrojtje viktimat dhe trajton njëlloj subjektet e procedimit penal. Palët e treguan vullnetin e tyre politik me votën unanime të miratimit të ndryshimeve kushtetuese në 22 korrikun e kaluar. Tani kanë mbetur 6 projektligje për t’u miratuar, kemi një proces tekniko- legjislativ, jo politik. Duhet t’u japim jetë ndryshimeve kushtetuese dhe në pranverën e vitit të ardhshëm të fillojë funksionimi i institucioneve të reja. Jam optimist, jam shpresëplotë që opozita do të jetë pjesë e procesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button