Politika

Presidenti Nishani kthen në Kuvend ligjin për ndarjen administrativo – territoriale

bujar-Nishani-thumb Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Më poshtë dekreti i Presidentit të Republikës:

D E K R E T

PËR
KTHIMIN E LIGJIT NR. 115/2014
“Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore
në Republikën e Shqipërisë”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Nr. Dekretit 8696
Tiranë, më 22.08.2014

Presidenti: Arsyet e kthimit të ligjit për ndarjen administrativo-territoriale

Ndërkohë Presidenti Nishani ka dhënë edhe arsyet e kthimit të ligjit nr. 115/2014
“Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, me një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në seancën plenare të datës 31 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, shkruan Presidenti, duke shtuar se, “Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 6 gusht 2014. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, në ushtrim të drejtës së parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës, por mbi të tjera në cilësinë e përfaqësuesit të unitetit të popullit, në përputhje të plotë me interesin kombëtar dhe me interesin qytetar, kam vlerësuar se ky ligj duhet të rishqyrtohet nga Kuvendi duke marrë në konsideratë arsyet dhe argumentet sa më poshtë vijon.

Seance ne parlament Foto Albert Myftaraj ATSHSë pari,, thekson Presidenti Nishani, “edhe pse ndaj bindjen se reforma e ndarjes administrativo-territoriale është e vonuar pasi e konsideroj atë si një çështje madhore kombëtare, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët në çdo cep të Shqipërisë, tek interesat dhe problemet e tyre, tek zhvillimi i territorit dhe ai ekonomik, tek infrastruktura dhe mbrojtja e mjedisit, e që është e lidhur gjithashtu edhe me sigurinë kombëtare, me keqardhje konstatoj se gjatë procesit të hartimit të ndarjes administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, është keqzbatuar (për të mos thënë është shkelur) neni 108, pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila qartazi përcakton se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Nga informacionet e administruara dhe bashkëbisedimet me një pjese te konsiderueshme te përfaqësuese te njësive vendore, ligji 115/2014 ka ndryshuar kufijtë e njësive të qeverisjes vendore pa marrë aspak mendimin e popullsisë që banon në to, ose në rastin më të mirë dhe më të rrallë, ky mendim është marrë në mënyrë të përciptë dhe të paplotë në kuptimin e normës kushtetuese së lartpërmendur”.

Arrij në këtë konkluzion, vijon Presidenti, “pas një analize të gjerë dhe të mirëdiskutuar me ekspertë të pushtetit lokal, zhvillimit rajonal dhe planifikimit të territorit me të cilët ndajmë një mendim të përbashkët se kemi të bëjmë me një proces aspak transparent. Asnjë nga propozimet e paraqitura nga shumë njësi të qeverisjes vendore, nuk janë konsideruar dhe nuk janë reflektuar duke mos respektuar Nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe nga fakti se këshillat e qarqeve janë “harruar” jashtë këtij procesi duke mosrespektuar nenin 68 të ligjit nr.8652(1), datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

“Edhe vetë relacioni që shoqëronte projektligjin flet më shumë për takime konsultative me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe bizneset, në një kohë kur Kushtetuta kërkon mendimin e popullsisë që banon në zonat që preken nga ndryshimet e kufijve”, thekson Kreu i Shtetit.

“Nuk mund të pretendohet aspak se 50% e 16000 të intervistuarve përbëjnë “mendimin e popullsisë”(2). Pushteti ekzekutiv gëzon të gjitha mjetet dhe format për të marrë një mendim të plotë nga popullsia që preket nga ndryshimet apo nga institucionet kushtetuese përfaqësuese të tyre, siç janë Këshillat e njësive vendore (neni 109 pika 1 e Kushtetutës)”, vijon arsyet e tij Presidenti Nishani.

Së dyti, thekson Presidenti, “në vlerësimin tim, sa më shumë të ulet numri i njësive të qeverisjes vendore dhe sa më të mëdha të bëhen ato, aq më shumë cenohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor dhe autonomisë vendore, të cilat janë të sanksionuara në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Pikërisht në interpretim të kësaj dispozite vjen edhe Vendimi nr. 29/2006 i Gjykatës Kushtetuese i cili shprehet se: “Në themel të decentralizimit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit “ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i kalojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve .””(3) Në këtë kuptim, ndaj me ju të nderuar deputetë, vlerësimin se sa më të mëdha të jenë njësitë e qeverisjes vendore, aq më larg do të jenë autoritetet nga qytetarët”.

Për më tepër, shkruan Presidenti Nishani, “ju sjell në vëmendje një tjetër paragraf nga jurisprudenca e Gjykatë Kushtetuese e cila po në Vendimin nr. 29/2006 shprehet kështu: “Qeverisja vendore nënkupton të drejtën e njerëzve në bashkësinë e caktuar territoriale që në mënyrë të pavarur të qeverisin punët e tyre, nëpërmjet organeve të cilat i zgjedhin vetë, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë. Parimi i decentralizmit të pushtetit është parim thelbësor mbi të cilin ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore. Ai ushtrohet nëpërmjet parimit kushtetues të autonomisë vendore dhe kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetëqeverisës vendor, sipas koncepteve të përparuara të organizimit të shtetit demokratik. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të qeverisjes vendore si dhe raporti që ajo ka me pushtetin qendror varen nga kuptimi kushtetues dhe ligjor që u jepet decentralizmit të pushtetit, autonomisë vendore dhe vetëqeverisjes”.

Në plotësim të këtij argumenti, shton Kreu i Shtetit, “vjen edhe ligji nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” i cili në nenin 3 të ti përcakton misionin e pushtetit vendor: “Pushteti vendor në Republikën e Shqipërisë siguron qeverisjen në një nivel sa më afër shtetasve nëpërmjet: ….”.

Së treti, vijon Presidenti Nishani, “por jo më pak e rëndësishme, gjykoj se reforma e ndarjes administrativo-territoriale duhej të ishte paraprirë medoemos me përshtatjet e duhura në kuadrin ligjor i cili rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive vendore në Republikën e Shqipërisë. Ligji i sjellë për shpallje nuk shprehet mbi “fatin” e ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” duke krijuar kështu kundërshti midis dispozitave të këtyre dy ligjeve dhe zbatimit të tyre në praktikë. Me ligjin Nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” ligjvënësi ka rregulluar organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre dhe të organeve përkatëse. Këto kundërshti midis dispozitave jo vetëm që rrezikojnë të prodhojnë pasiguri ligjore, por vënë në pikëpyetje edhe shërbimet që popullsia përfiton nga qeverisja vendore”.

Për më tepër, thekson Presidenti, “në një kohë kur na ndan rreth 1 vit nga zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe vetëm 5 muaj nga detyrimi kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të caktuar me dekret datën e zgjedhjeve, mbështes faktin se reforma e ndarjes administrative -territoriale duhej të ishte shoqëruar medoemos edhe me ndryshimet përkatëse në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Si përfundim, Presidenti Nishani shkruan se, “mosrespektimi i dispozitave kushtetuese të lartpërmendura si dhe mospërputhjet midis ligjeve brenda të njëjtit sistemi ligjor e bëjnë të padiskutueshëm nevojën e rishqyrtimin të këtij ligji nga ana Juaj. Ky ligj shkel parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, decentralizimit të pushtetit vendor dhe të autonomisë vendore. Ndaj, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Rama: Do të votojmë shpejt ligjet e kthyera nga Presidenti

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një konferencë për mediat. Foto Agim Dobi

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një konferencë për mediat. Foto Agim Dobi

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi dje në një konferencë për mediat se Kuvendi do të rikalojë me shpejtësi në Kuvend ligjet e kthyera nga Presidenti i Republikës, duke theksuar se Nishani ka përsëritur argumentet e Partisë Demokratike dhe se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur.

Duke folur për ligjet e kthyera nga Presidenti i Republikës, Rama u shpreh se, “nuk e besova kur po shihja përmbledhjen e lajmeve që Presidenti kishte mbledhur të zgjedhurit vendor të PD për të diskutuar ligjin e reformës territoriale që ka kaluar në Kuvend. Pata përshtypjen se zyra e shtypit e Kryeministrisë kishte gabim në printim dhe kjo do të ishte dëgjesë”.

“Qeveria nuk ka kohë të humbë. Argumentat e Presidentit qoftë për ligjin e Policisë dhe atë për Magjistraturën dhe KLD-në ishin të gjithë argumentat e PD-së dhe kjo është diçka për të ardhur keq. E kemi thënë dhe do ta nënvizoj që ka ikur ajo kohë kur nga kjo godinë hidheshin gjyle balte mbi Presidentin. Ka ikur bashkë me ata që ikën më 23 qershor. Presidenti i Republikës është i pari President në historinë e tranzicionit që sulmon qeverinë. Sa për dekretet ato do të kthehen menjëherë”, tha Rama, duke shtuar se, “tre ligjet i ktheu PD nëpërmjet Presidentit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button