Home / Keshilla / Si të përgatisni shampo në kushtet e shtëpisë

Si të përgatisni shampo në kushtet e shtëpisë

shampoTë gjitha produktet e higjienës personale që përdorim çdo ditë përmbajnë substanca kimike dhe sintetike, jo të shëndetshme për trupin, për flokët dhe për thonjtë tanë. Shumë nga këto substanca mund të kalojnë nëpërmjet poreve dhe të arrijnë në enët e gjakut. Ndaj, nëse po kërkoni alternativa natyrore të shampove, ja atëherë artikulli që bën për ju.

Shampo natyrore me uthull dhe sodë buke

Të ashtuquajturat “shampo ekologjike” përgatiten me përbërës bimorë dhe aromatizohen me vajra esencialë. Por ato mund të jenë shumë të kushtueshme. Ndaj zgjidhja është që t’u ktheheni recetave të kohëve të shkuara për të pasur flokë të pastër dhe të shëndetshëm çdo ditë. Për shembull, ju mund ta lani lëkurën e kokës dhe flokët me uthull molle dhe sodë buke në pak minuta, duke përfituar rezultate të shkëlqyera. Ju mund të shtoni edhe vajra esencialë për të zbutur aromën e fortë të uthullës. Ndërkohë duhet thënë se çdo lloj vaji ka qëllimin e vet. Për shembull, vaji i pemës së çajit është i dobishëm për zbokthin, ai i rozmarinës për rënien e flokëve dhe ai i livandës për qetësimin e lëkurës së kokës.

Përgatitja:

Përzieni një lugë gjelle sodë buke me një filxhan ujë të ngrohtë derisa soda të shkrihet plotësisht. Më pas hidheni në një shishe plastike (si ajo e një shampoje të mbaruar). Nëse keni flokë të yndyrshëm shtojini edhe pak më shumë sodë. Ndërkohë veçmas përzieni një gotë uthull molle me një filxhan çaji me ujë dhe me të mbushni një shishe tjetër; ky do të jetë balsami. Nëse keni flokë të thatë, atëherë shtoni pak më tepër uthull. Për sa i përket aplikimit, ju fillimisht duhet t’i lagni flokët dhe t’u hidhni atyre përzierjen e parë, duke i masazhuar në mënyrë delikate dhe më pas shpëlajini mirë me ujë të ngrohtë. Flokët mund t’ju duken pak “të ashpër”, por mos u shqetësoni, sepse veprimi i balsamit të uthullës së mollës do të balancojë pH. Aplikojeni atë në të njëjtën mënyrë dhe shpëlajeni. Duhet të dini se në ditët e para flokët tuaj do të kenë nevojë të përshtaten me këtë trajtim të ri dhe të krijojnë një shtresë mbrojtëse natyrore. Mbase për ndonjë javë do të vëreni më shumë yndyrë dhe zbokth në flokët tuaj, por kini durim, sepse shumë shpejt shëndeti i flokëve tuaj do të jetë akoma më i mirë se më parë.

Shampo me aloe vera

Aloe vera është një bimë e lëngshme dhe me shumë vlerë për lëkurën. Kjo është edhe arsyeja për të cilën përdoret si bazë për një shampo natyrore. Keni nevojë për katër përbërës: glicerinë (5 ml), aloe vera (një lugë gjelle), sapun të lëngshëm (60 ml) dhe vaj bimor (1 ml). Këto produkte mund t’i blini në dyqanet ku shiten produkte të tilla natyrore. Aloen mund ta merrni edhe në mënyrë direkte nga bima me një lugë. Për ta bërë këtë prisni një gjethe të saj dhe më pas ndajeni në dy pjesë në mënyrë gjatësore. Ndërkohë, nëse dëshironi, kësaj shampoje mund t’i shtoni edhe disa pika vaji esencial për t’i dhënë një aromë të këndshme. Vaji do të shërbejë edhe si një “ilaç” për të trajtuar disa probleme të veçanta si, humbja e flokëve, zbokthi dhe tharja e lëkurës së kokës. Përzini të gjithë përbërësit në një tas duke përdorur një lugë ose një blender (përzierës elektrik). Më pas ju mund të shtoni vajin esencial që preferoni. Në këtë mënyrë ju do të përftoni një preparat prej rreth 120 ml. Hidheni atë në një shishe plastike ose qelqi, duke përdorur një gyp. Mos harroni se shishja duhet mbyllur mirë me një tapë. Këtë shampo mund ta konservoni dhe ta përdorni çdo herë që lani flokët. Është e këshillueshme që flokët t’i lani çdo dy-tri ditë. Përpara se të përdorni shampon me aloe vera, tundeni pak shishen, sepse me kalimin e javës përbërësit kanë tendencë që të veçohen nga njëri-tjetri.

Shampo me kamomil

Ndoshta në të kaluarën kamomilin e keni përdorur për të pastruar flokët. Por ne tani do t’ju rrëfejmë se si ta përdorni akoma më mirë për të përgatitur një shampo të vërtetë natyrore. Përbërësit që duhet të keni për këtë recetë fantastike janë: 1 litër sulfat natriumi, një tas ujë, 20 gramë kamomil ose katër bustina çaji kamomil, ¼ e lugës së gjellës me vaj ulliri, ¼ e lugës së gjellës me alkool cetil, një enë qelqi me kapacitet 2,5 litra, një gyp dhe një shishe plastike njëlitroshe. Ngroheni ujin në një enë dhe kur të fillojë të valojë hidhni kamomilin. Lëreni atë aty për pesë minuta pasi të keni fikur sobën. Pasi uji me kamomil të jetë ftohur, kullojeni. Më pas i shtoni alkoolin cetilik dhe vajin e ullirit. Përzierjen vendoseni sërish të ziejë në temperaturë minimale derisa alkooli të shpërbëhet plotësisht. Hidhni në enën e qelqit një pjesë të sulfatit të natriumit dhe më pas shtoni përzierjen e përftuar më sipër. Përzini mirë të gjitha për të përftuar një përbërje homogjene. Më pas shtoni pjesën e fundit të sulfatit dhe të gjithë përbërjen e re të formuar hidheni në shishen plastike me ndihmën e një gypi. Kjo shampo e përgatitur në shtëpi me kamomil zgjat për gjashtë muaj. Këshillohet që ta mbani në një vend të freskët. Ju do të shpenzoni 25 për qind më pak në krahasim me blerjen e shampove në dyqane dhe në të njëjtën kohë do të përdorni përbërës më pak toksik sesa ata që janë të pranishëm në produktet komerciale.

Shampo me mjaltë

Për këtë shampo të përgatitur në kushtet e shtëpisë keni nevojë për sapun të lëngshëm, mjaltë të pastër bletësh dhe ujë.

Bashkoni gjysmë filxhani çaji me sapun, një gjysmë filxhani ujë dhe një filxhan të plotë me mjaltë në një shishe me tapë si vidë. Shkundeni lehtësisht për të përzier mirë përbërësit dhe më pas lajini flokët normalisht, duke e lënë produktin të reagojë për rreth 10 minuta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: