Home / Ekonomia / Si fitohen yjet?

Si fitohen yjet?

Ka 25 vite që vendi ynë nuk ofron dot një paketë të qartë turistike për ata të cilët vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Janë vetëm një numër i kufizuar hotelesh, kryesisht në Tiranë, që kanë të njëjtat standarde me hotelet në vendet e tjera të botës.

Vështirësia për vendosjen e “yjeve”, apo treguesve që vërtetojnë cilësinë e shërbimit dhe komoditetin, nuk ka qenë e madhe për shkak të modeleve që kanë aplikuar vende të tjera, madje edhe disa kilometra larg Shqipërisë.

Mali i Zi, Greqia, Italia apo Kroacia e kanë zgjidhur prej dekadash këtë problem ku, pavarësisht bukurive natyrore me të cilën mburren shpesh vendasit dhe të zotët e dhomave që lëshojnë me qira, nuk do të mundin t’i arrijmë dot me shekuj. Vendosja e standardeve është patjetër e domosdoshme, por sigurisht që ana e errët e saj është padyshim falimentimi i shumë hoteleve, apo rritja e buxheteve për të investuar dhe për të arritur këto standarde.

Shumë prej nesh, ditët kur kthehen nga pushimet në Shqipëri “tregojnë” histori për shërbimin e hoteleve, dhomat pa energji elektrike, krevatin pa kushte dhe pa dyshim, edhe higjienën e hoteleve. Përballë kësaj tabloje, në hyrje të shumë hoteleve sheh edhe yjet e vendosura nga pronarët, shumica e të cilave janë me 5, por pse jo, kemi parë edhe hotele me 6 yje. Në fakt, në Shqipëri, nuk ka asnjë resort që të arrijë të ofrojë një shërbim me 5 yje, përveç Hotel Sheraton apo disa hoteleve të tjerë në Tiranë. Yjet shqiptare kanë vështirësuar edhe punën e agjencive turistike për t’u shpjeguar vizitorëve kushtet e akomodimit që do të gjejnë në Shqipëri.

Një ligj për turizmin që ende nuk është gati!
Një vit më parë, në fund të muajit mars, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit, pasi kishte marrë si kompetencë edhe shtesën në emrin e saj për të pasur në mbikëqyrje zonat e turizmit, përgatiti një ligj të ri për funksionimin e këtij sektori. Ligji ishte i pari i këtij lloji që organizonte këtë sektor, caktonte kushtet dhe standardet e zonave turistike, mënyrën e dhënies me qira dhe mirëmbajtjes së plazheve, por edhe ngrinte një inspektorat që mbikëqyrte këto zona.

Sot, një vit më pas, ky ligj nuk është tërësisht i zbatueshëm për shkak të vonesës në përgatitjen e akteve nënligjore për një pjesë të mirë të neneve të ligjit. Një muaj më parë, ministria përcaktoi rregullat për mbikëqyrjen dhe organizimin e plazheve, përfshirë këtu dhe sigurinë për to. Por edhe sot nuk janë bërë gati aktet të cilat përcaktojnë mënyrën se si do të veprojë Inspektorati i Turizmit dhe si do të bëhet standardizimi i hoteleve. Llojet që u lejohen bizneseve që ofrojnë vende akomoduese në vendin tonë janë tetë.

Në bazë të shenjave dalluese që çdo strukturë do të vendosë në krye të saj, ajo do të ndahet në këto lloje:
– “Bujtinë” Standard;
-“Fjetinë” Standard, Komfort;
-“Kamping” Standard
-“Hotel” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Motel” Standard, Komfort, Superior;
-“Resort” tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Qendër kurative” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Fjetje dhe mëngjes” (B&B) Standard, Komfort, Superior.

Pas përfundimit të hartimit të një vendimi, i cili duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, të gjithë sipërmarrësit që ofrojnë struktura akomoduese, duhet të bëjnë standardizimin e tyre. “Çdo sipërmarrje turistike, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, duhet të paraqesë pranë Ministrisë përgjegjëse për Turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë klasifikimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese”, – thuhet në ligjin për turizmin.

Certifikata e klasifikimit që do të marrë biznesi do të jetë e vlefshme për një periudhë 4-vjeçare dhe në fund të afatit, ajo duhet të shkojë 30 ditë para për ta rinovuar atë. Po ashtu, edhe riklasifikimi do të bëhet me kërkesë të vetë biznesit që ushtron aktivitetin, nëse ai është i interesuar që të rrisë standardet e cilësisë së shërbimit.

Nëse nuk arrin dot të plotësosh standardet e strukturës që është miratuar nga një komision klasifikimi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit, atëherë humbet të drejtën për të ushtruar këtë lloj aktiviteti. “Në fushën e strukturave akomoduese, e humbet të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë: a) me përfundimin e aktivitetit si person fizik/juridik; b) kur i hiqet kjo e drejtë me vendim të Komisionit të Standardizimit të Veprimtarive Turistike, pasi nuk plotëson kushtet dhe kriteret e nivelit më të ulët të sistemit të klasifikimit” përcaktohet në ligj.

“Yjet e reja”.
“Monitor” është interesuar në ministrinë përgjegjëse se kur do të jenë gati vendimet që do të mundësojnë vendosjen e rregullave në hotelet e Shqipërisë dhe ka mësuar se tashmë u është shpërndarë grupeve të interesit, lista me kushtet e akomodimit që kërkohen të vihen në fuqi. Në shtator, ministria do të ketë gati aktet e reja dhe do t’i çojë për miratim në Kryeministri.

Janë 421 kërkesa që do të bëhen për të gjithë hotelet në Shqipëri, duke nisur që nga kushtet e higjienës, cilësia e kuzhinës dhe lloji i gatimit e deri te pajisjet dhe shërbimi që klienti do të ketë në dhomë. “Monitor” ka siguruar tabelën e pikëve që çdo hotel duhet të mbledhë për të marrë klasifikimin sipas yjeve.

Çdo hotel duhet të arrijë që të mbledhë pikët minimale, në mënyrë që të marrë kategorinë e yjeve, nëse nuk e bën e këtë, atëherë ai nuk do të marrë certifikatën e klasifikimit dhe nuk do të mund të operojë dot sipas kategorisë që ai kërkon.

Për të marrë dy yje, duhet që minimalisht të mblidhen 290 pikë, ku 151 janë për listën e kritereve të detyrueshme që ka vendosur ministria, ndërsa pjesën tjetër ai duhet ta kombinojë me kritere opsionale, të cilat i zgjedh vetë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjitha kategoritë.

Kriteret me “yjet e reja”.
Kushti parë që është vendosur në tabelën e pikëve është ai i pastërtisë dhe higjienës. Këto kritere përcaktohen si të detyrueshme, më pas detajohen në bazë të yjeve që kërkohen, që nga gërvishtjet e dyshemesë, njollat në xham dhe cilësia e dëmtimi i pajisjeve. Një tjetër risi që vjen është edhe përshtypja që lënë klientët e hotelit, e cila po ashtu vlerësohet me pikë. Më pas renditen me kategori personeli, sjellja e tyre me vizitorët, gjuhët e huaja që flasin, kualifikimi i tyre dhe po ashtu vendoset kusht që ata duhet të kenë në uniformën e tyre një kartë identifikuese për emrin.

Pikët përfshijnë edhe sigurimin e parkimit të makinave, ku ndahen në përqindje për pjesët motorike, jo motorike dhe autobusët. Përcaktim të rëndësishëm për mbledhjen e pikëve kanë edhe ashensorët që vendosen në bazë të kateve që ka hoteli, nëse arrin të përmbushësh të gjitha kriteret, pikët që merr shkojnë në 10. Nga 5 deri në 6 pikë mund të përfitosh edhe në bazë të faciliteteve që krijon për personat me aftësi të kufizuar, ku për çdo 50 dhoma, të paktën njëra duhet të jetë e përshtatur për këtë kategori, së bashku me mjetet si karrige me rrota apo shoqërues që duhet të ofrojë njësia akomoduese.

Recepsioni dhe shërbimet është një tjetër kategori që duhet t’u afrohet standardeve që kanë vendet e tjera. Për recepsionin kërkohet një tavolinë e veçantë, e cila të jetë 24 orë në dispozicion të klientëve për t’iu përgjigjur nevojave të tyre dhe po ashtu aty duhet të paraqitet e gjithë lista e shërbimeve dhe çmimeve që ofron hoteli. Po ashtu, në recepsion, duhet të jetë patjetër mundësia e pagesës në kartë dhe shërbimi në gjuhë angleze. Më pas, në shtesë të shërbimeve, hotelet duhet të ofrojnë mundësinë e pastrimit të dhomës dhe po ashtu të lavanderisë dhe hekurosjes. Këtu vendosen pikët në bazë të numrit të peshqirëve dhe çarçafëve që ndërrohen dhe produkteve të pastrimit që lihen në dhomë.

Dhoma është ajo e cila ka ndikimin më të madh në numrin e pikëve. Me listën e re përcaktohet qartë që është thelbësore që dhoma, pa ballkonin dhe tualetin, duhet të jetë 14 m², më pas ajo rritet në bazë të standardeve të yjeve që kërkon të përcaktojë hoteli. Po kështu, në konceptin e yjeve, përfshihet edhe numri i suitave që ka njësia. Një tjetër nënkategori është komoditeti që ofrohet, që nga cilësia e shtretërve e deri në numrin e jastëkëve, ajrin e kondicionuar, minibarin dhe kasafortën që duhet të ketë në të. Duhet të ketë një frigorifer, televizor dhe telefon për të bërë lidhjen me recepsionin.
Ambientet e përgatitjes së ushqimit po ashtu janë pjesë e pikëve për të marrë yjet. Këtu kërkohen të gjitha ambientet që shërbehet mëngjesi, dreka dhe darka, si dhe numri i restoranteve. Po ashtu, përcaktuese janë edhe numri dhe lloji i produkteve që shërbehen, që nga lloji i pijeve deri te cilësia e barit të hotelit.

Në fund renditen për marrjen e pikëve numri i sallave të konferencave dhe ambienteve që kanë për argëtimin e klientëve. Pikët më të mëdha këtu, 24, i ka salla e konferencave me përmasa 250 m². Ndërsa tek argëtimi nuk mungojnë sauna, jakuzzi dhe SPA, që duhet të jenë në shërbim të vizitorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.