Home / Kryeartikull / Një tjetër shurdhëri ndaj “zërit të qytetarëve”

Një tjetër shurdhëri ndaj “zërit të qytetarëve”

FLAMUR KUÇI

liqeniNjë hapësirë tjetër e gjelbër i ikën Tiranës, çka përbën dhe hapin e radhës në sakatimin urbanistik që i është bërë kryeqytetit. Projekti i liqenit nuk është i pari në këtë drejtim (dhe gjasat janë të mos jenë as i fundit).

Përveçse Tiranës nuk iu shtua asnjë centimetër katror gjelbërim (megjithëse e ka këtë normë larg të qenët të një qyteti të jetueshëm), përveçse Tiranës nuk iu shtua asnjë aks i ri rrugor që të çlironte sadopak atë ngufatje trafiku që vuan, përveçse Tiranës iu premtua trami, por pothuaj ngeli dhe pa autobusë, përveçse Tirana nuk u çlirua por i rishpërthyen ndërtimet e paligjshme të pallateve dhe shtesave, përveçse Tiranës jo vetëm që nuk iu kthye asnjë centimetër katror hapësirë publike, por iu pushtuan edhe ato pak që ka (shpeshherë për të bërë “biznes” birrash e qoftesh), i duhet të përjetojë edhe palaçollëkun e fundit të një administrate diletante dhe të papërgjegjshme dhe të një kryebashkiaku, deviza e të cilit është “pas meje, kiameti…”

Për korrektësi faktesh; Plani Urbanistik i Tiranës në të gjitha konsultat publike i ka premtuar publikut që liqeni do të trajtohej si një qendër rekreative, madje si një nga qendrat (e konceptit policentrik) ku do të përqendroheshin aktivitetet rekreative të të gjithë qytetit. Kjo gjë është publike dhe e dokumentuar. Por me sa duket, konsultimi publik ka shërbyer vetëm si fasadë për reklamën e planit dhe jo realisht si një infrastrukturë për ‘të dëgjuar zërin e qytetarëve’.

Rrëmbimi i kësaj hapësire madje ka qenë subjekt i një retorike politike ku përfaqësues të PD kanë denoncuar për muaj me radhë këtë iniciativë si një histori korruptive e kryetarit të bashkisë së asaj kohe, që ishte njëkohësisht dhe kryetar i PS-së. Është fyese (për publikun e gjerë, por sidomos për mbështetësit e PD) që sot kryetari i Bashkisë, që është njëkohësisht edhe kryetar i PD-së, është autori i rrëmbimit të kësaj hapësire të gjelbër. E sigurt është që një hap i tillë nuk ka në themel as interesin e publikut të gjerë, as atë të mbështetësve të PD-së, por interesin privat të kryetarit.

Por më fyese është kur një bashki injorante tenton të ta shesë një degradim të tillë si arritje për qytetin. Sipas administratës së bashkisë, për këtë projekt që i rrëmben Tiranës një tjetër hapësirë të gjelbër, banorët edhe u dashkan ta falënderojnë bashkinë se në fakt bashkia po u ofron më shumë gjelbërim… (si zakonisht, vetëm në letër). E vërteta është që nuk ka një objektiv të tillë, dhe nuk është interesi publik shtysa për projekte të tilla. Por tashmë nuk është e re për administrimin e këtij qyteti që interesi “privat” (shpeshherë i kundërligjshëm), prevalon mbi interesin publik.

Edhe më fyese është kur po kjo administratë deficente na fton të mos bëhemi merak se kjo gjëja qenka “rregulluar me formulë menaxhimi”. Përsëri për korrektësi faktesh; përkundër detyrimit ligjor, Plani Urban i Tiranës nuk u finalizua me formulë menaxhimi. Përkundrazi në vend të formulës së menaxhimit (që do të ishte një instrument që do siguronte një lloj barazie në trajtimin e palëve të interesuara), praktikohet formula e favorizimit… kuptohet, kundrejt shpërblimit.

Kuptohet që interesi privat i kryetarit i ka shkaktuar, atij dhe jo vetëm, “shurdhërinë” ndaj “zërit të qytetarëve”. Do të ishte fatkeqe nëse degradimi i Tiranës do të binte edhe në shurdhërinë e opinionit publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.