Home / Opinion / Bankieri

Bankieri

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaVetëm pak vite më parë, m’u desh të shkelja aty për të plotësuar kërkimin tim në plotësimin e temës së një filmi dokumentar në kuadër të një jubileu të rëndësishëm, 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, “Shteti në pasqyrë të monedhës”. Hulumtimi im kish mbërritur deri aty. Duhej të ndiqja se çfarë ish monedha sot, si Banka e Shqipërisë e kish nderuar atë, vendin që i kish dhënë ndër vite, emetimin si proces, si kish evoluar dhe një kërkim në katalogët që ajo ruante që nga koha e Zogut. E kisha pritur me shumë dëshirë për të bërë më të mirën ndaj Shqipërisë, publikut shqiptar, vetes dhe tim biri. Ndërtesa në një nga skajet periferike të Tiranës m’u shfaq e betontë dhe e ftohtë, por ndihesha mirë që dokumentari im historik ishte shkaku për të shëtitur në një nga institucionet më të rëndësishme në vend, në Bankën e Shqipërisë. Natyrisht, hyrja dhe xhirimet me kolegun kameraman, nuk do të ishin të lehta të më konfirmoheshin shpejt, por tagri i të qenët gazetare edhe “kokëfortë”, sikundër më pat qesëndisur dikush dikur, me një durim dhe këmbëngulje të hekurt, do të vinte pas tre muajsh pritjeje. Pritja, mbaj mend atëherë, më nxiti shqisën e kujtesës. Kisha lexuar romanin “Bankieri” dikur, sa pata filluar t’i kushtohesha gazetarisë, jo aq e pjekur strukturalisht në mendime sa tani, por e kujtoj atëherë çuditshëm, ndërsa tani, qartazi se bankierët nuk i duronin dot gazetarët. Urrejtja ndaj tyre shkonte deri aty sa profesionin e gazetarit ta quanin “të ndyrë”. Assesi në ato momente nuk doja ta lidhja pritjen time të gjatë pas dere me këtë përshtypje metafizike që s’mund të ishte vetëm shqiptare. Lajmi i rëndë mbi vjedhjen e parave në Bankën Kombëtare që më vinte nga Shqipëria më risolli në kujtesë këto mendime që duket nuk i kisha fshirë lehtë. Gjurma e një ndjesie bezdisëse që m’u përcoll në korridoret e akullta të godinës gri që ruante paratë e shqiptarëve s’kish ikur ende. Bashkë me të, edhe Banka po aq dhe Bankieri. Morsa e një mosveprimi akut politik, organizativ, vendimmarrës, kërcënues, dënimdhënës, ngërçi që kapte fort hallkat një pas një të një sistemi të tërë korruptiv, më ishte bërë e zakonshme, për çdo lajm jo më sensacional që ndodhte periodikisht në mëmëdheun tim. Përtej kufirit, e vetmja forcë që mund të më reagonte ishte shqisa e mendimit, analiza e fenomenit dhe e personazhit. As më shumë e as më pak, sado të lëshoja ndonjë piskamë, sado të kërkoja interpelancë të hapur nga të gjithë ata që paguheshin nga taksapaguesit e vendit tim, nga unë e qindra e mijëra të tjerë si unë, sado të kërkoja syhapët e ballështrënguar për të më informuar se realisht çfarë ka nën ajsberg, ishte pafuqishëm e pamundur të ngrije krye. Çfarë ka ndodhur në gjithë këto ditë pas kësaj? Vjedhja e parave; piskama ulëritëse e forumistëve; analizat e gazetarëve, ca herë e atyre “të ndyrëve” që bankierët s’i durojnë dot, e ca herë e atyre të ndershmëve, punëtorëve të shkrimit që ende mund të ngjyejnë kafshatën në honoraret e vonuara edhe për pak kohë; heshtja tallëse e autoriteteve; dhe më pas buletine lajmesh me përurime rrugësh pa turp, vende të “lëshuara” pune me turp e pa turp, shenjime raste vjedhjesh dhe vrasjesh ku vëllai “ha” lehtësisht vëllanë për “ca dollarë më shumë”, shenjime raste të turizmit elitar ose jo, anembanë kudo nëpër Shqipëri; apo ca nisma peticionesh që u firmosën në pak qytete. Dhe në fund, Ai, shkruajnë gazetarët, të ndershmit dhe ata të “ndyrët”, është i fortë. Ka mbrojtje për të dyja palët. Ç’vend është ky?! Ndërsa në mend, më rrotullohet grindi për ta rilexuar dhe një herë “Bankierin” e Leslie Waller, i cili shkruan se këto lloj speciesh e ndiejnë veten në vendin e tyre, të përfshirë në zemër të biznesit atje ku pulson dhe pika qendrore e adrenalinës financiare të një vendi, ku ana e jashtme e tyre ka një rëndësi shumë më të madhe madje se vetë banka që drejtojnë, ndonëse ajo, si dhe çdo gjë tjetër në këtë botë, është diçka më e ndërlikuar, sepse në themel të saj ndodhet vlefta më konkrete: paraja. Përse ta ketë thënë kështu Leslie dhe a janë kaq të paprekur të gjithë bankierët në botë? A mundet që asnjë ligj apo asnjë pikë në dosjen e legjislacionit të këtij institucioni të mund të mos e detyrojë atë të largohet me dinjitet kur qeverisja e operacioneve të tij bankare ka dështuar? Paraja, është themeli mbi të cilin ngrihen ngrehinat e koklavitura mes biznesit dhe shërbimit. Mjafton që banka të mos i kushtojë vëmendjen e duhur këtij koncepti në marrëdhëniet e saj me shoqërinë, siç ka ndodhur në shumë raste, siç ndodhi dhe tani, që të fillojë të vihet menjëherë në lëvizje procesi i rënies, i humbjes së prestigjit dhe i besimit në sytë e klientëve, një proces që të shpie domosdo drejt katastrofës. Publiku, në çdo vend të botës, do të kërkonte shpjegime, denjësisht si e bëri në SHBA në vitet e krizës së ‘20-‘30, po ashtu si dhe ndodhi në Republikën e Vajmarit gjatë hiperinflacionit në vitet 1921-1924. Si ndodhi kjo histori në Shqipëri? Cilët janë të implikuarit pas autorit të parë? Bastet e futbollit? Kaq e thjeshtë të jetë? Përse Ai ngul këmbë se nuk duhet të dalë në një media vizive live, siç na paralajmëron Kryeministri, herë pas here në Twitter, se pret pyetje për arsimin, shëndetësinë, reformën territoriale, gjithçka tjetër, por jo ende për vjedhjen e parave të shqiptarëve, për një staf të korruptuar punësimi, për mosbesimin e publikut më te drejtësia, për mërzitjen dhe nervozizmin që po i shkakton një sistem i ngritur herët të qeverisuri dhe të qeverisurish, për nepotizmin “rural”, këtë sëmundje që s’mund të shteret ende ndër ne? Përse nuk mblidhet Kuvendi të sqarojë në një seancë të jashtëzakonshme se çfarë ka ndodhur, sa për të informuar ndoshta a për t’i treguar këtij populli se PO, ne do t’ju marrim seriozisht, se ne po ju ndjekim me shqetësim, se edhe Lufta e Tretë Botërore po të plasi ne jemi këtu, dhe jo në Chat-e, Twitter apo Facebook? E drejta për t’u informuar është një e drejtë kushtetuese, e cila parashikohet shprehimisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe një e drejtë themeltare, e cila përfshin dhe shumë të drejta të tjera dhe u përket të gjithë personave. E drejta për t’u informuar garantohet dhe është në vëmendje të shumë konventave, si dhe legjislacioneve ndërkombëtare me mjaft autoritet dhe rëndësi ndërkombëtare. Përse këto marrëdhënie të çuditshme shqiptarësh në mes? Dhe përse një “çun tirone” si Fullani ka rrezikuar kaq shumë dinjitetin, pastërtinë e figurës së tij, integritetin, portofolin e tij, famën dhe ndoshta diçka dhe më të madhe, duke kërkuar në takim ambasadorin amerikan? Përse jo ende Kryeministrin e vendit të tij? Ky vend s’ka zot? Fundja do kish t’i thoshte dhe ky diçka më shumë Merkelit, kancelares gjermane që duket se ruan një simpati të veçantë për kreun e ri shqiptar, në konferencën përmbyllëse të shtypit në Konferencën për Ballkanin që pritet të mbahet në Berlin, mbi atë se si ka qenë qasja e qeverisë së tyre, institucionet bankare dhe opinionit publik mbi raste të tilla të ngjashme që kanë ndodhur në Gjermani në periudha të ndryshme historike. Ah, sikur t’ia kërkonte vërtet! Çfarë ndodh jashtë, këtu mes nesh? Publiku rri e vështron ngahera përleshjen me një gëzim plot ligësi që e fsheh shumë pak. Dhe ndërsa bankierët hanë kokën e njëri-tjetrit, depozituesit rendin për të kërkuar shtesën e katër përqindëshit ose shtatë në vit për kapitalin e tyre, sikur diçka e tillë do t’i çojë ata atje, aq lart ku bankierët janë. Kush fiton në këtë mes? Njeriu mund t’i shërbejë atdheut të tij me mënyra të ndryshme. Disa kultivojnë grurin për të ushqyer popullin. Mister Fullani është specializuar në një fushë tjetër. Ai është bankier dhe kjo do të thotë se ai ruan kapitalin kombëtar dhe duhet me gjasë të financojë industrinë kombëtare. Dhe këtu veprohet në kuadrin e traditave kombëtare. Por ne duhet të bëhemi mendjemprehtë se guvernatorë si Fullani, në një vend ish-komunist, nuk janë mollë që piqen poshtë dritares së shtëpisë sonë në plazh. Karaktere si ai bashkojnë në veten e tij kuptimin e qartë dhe të saktë të përgjegjësisë shoqërore dhe dorën e fortë të një realizmi politik të trashëguar. Si dhe duhet të kuptojmë se kjo shoqëri e jona mjerisht e pazëshme, nuk mund të japë kurrë një grusht nga ata që nuk janë parashikuar në skenarë që më parë. Gjendja shpirtërore e saj, është një e keqe e pashmangshme që ekziston vetëm e vetëm për t’u injoruar dhe po të qe nevoja për t’u shtypur, ose për ta shkelur, ndryshe është e pamundur për këtë klasë politike që të merret me çështje serioze a jo. Për ta mësimi i përkundërt i leksioneve të politologjisë nuk është idealizmi bolshevik për ta parë vendin të lirë dhe të lumtur apo marksizmi komunist ku jeta e shëndetshme mes gëzimit dhe haresë është një utopi e ëndërrt e bukur përkundrazi, ata i nënshtrohen një tjetër realiteti, që i takon një mjedisi mes diktaturës puniste dhe kapitalizmit feudal, ku nuk duhet në asnjë mënyrë t’i dorëzohesh gjendjes së trazuar shpirtërore të shoqërisë a popullit ku jeton dhe kjo për ata, është një e vërtetë e pandryshueshme. Sipas tyre, ajo nuk është një fenomen material, prandaj s’është as racionale. Jeta në thelb është gjithmonë materiale, por dhe kur baza e saj racionale nuk shfaqet gjithmonë qartë, ajo prapë se prapë u nënshtrohet ligjeve të logjikës dhe sipas kësaj logjike, Ai, Bankieri pra, nuk e jep dorëheqjen. Tani ngjarja ka marrë përmasat e një beteje mes një mërzie popullore që i është lënë në dorë nënshkrimi i peticioneve dhe një klani që mbron Bankierin me një të kaluar pastërtisht komuniste. Një betejë e dobët në këtë gusht të nxehtë, por gjendja nuk ka qenë kurrë kaq e acaruar dhe kërcënuese sa ç’është sot. Të gjithë “Ata” do të bëjnë çmos për të korrur fitoren. Por për Atë, është pikërisht koha dhe kjo, puna e vërtetë me të cilën duhet më në fund, ai të merret dhe jo më, çështjet e tjera të zakonshme financiare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: