Home / Politika / Konsullata e gabuar; aplikacioni i Ministrisë së Jashtme me informacione të pasakta

Konsullata e gabuar; aplikacioni i Ministrisë së Jashtme me informacione të pasakta

“Një nga çështjet me të cilat unë shpesh jam përballur edhe nga njerëz shumë të njohur, të medias, politikës, biznesit në Shqipëri, më çojnë mesazhe dhe më pyesin e kemi nevojë për viza në filan vend dhe aplikacioni që ne prezantojmë sot e ka të gjithë informacionin të integruar”, kishte deklaruar ministri Bushati para pak ditësh.
Pas kësaj deklarate të ministrit të Jashtëm, u duk se gjithçka tashmë do të shkonte vaj dhe askush nuk do ta shqetësonte më atë në telefon. Por një verifikim i hollësishëm i aplikacionit të lançuar pak ditë më parë E-Konsullata, rezulton se informacionet në të, jo vetem nuk janë të sakta, por në disa raste, nuk përputhen as me listën e publikuar në vet faqen e ministrisë.
Top Channel ka krahasur informacionet që ndodhen në aplikacionin E-Konsullata, me të dhënat e IATA-s, Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, autoritetit më të lartë të trafikut ajror.
Nëse i referohemi aplikacionit, shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 48 vende të botës. Por nëse zgjedh t’i besosh IATA-s dhe jo E-Konsullatës, shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirshëm në 89 vende.
Aplikacioni ka informacion të mangët krahasuar edhe me vetë faqen online të ministrisë, sipas së cilës, shqiptarët udhëtojnë pa viza në 50 shtete. Ajo që bie në sy është mungesa e plotë e informacionit për shtete ku çdo shqiptarë mund të pajiset me vizë, por në aeroport, pra pa penguar lëvizjen, me radhë e aplikime në ambasada.
Janë 31 shtete, për të cilat në aplikacionin e Ministrisë së Jashtme thuhet se duhet të aplikohet për vizë ose për kartë turisti, ndërsa në të vërtetë, qytetarët mund t’i hipin avionit vetëm me pasaportë dhe vizën ta marrin në momentin e zbritjes në aeroport.
Gjithashtu, janë një sërë shtetesh apo ishujsh, për të cilat në aplikacion theksohet domosdoshmëria e marrjes së vizës në seli diplomatike jashtë vendit, por që në të vërtetë, në to mund të udhëtosh edhe duke pasur një vizë të Britanisë së Madhe, Kanadasë apo Shteteve të Bashkuara, siç është rasti i shumë shteteve në Amerikën Qendrore, Karaibe apo Amerikën Latine.
Paradoksi më i madh është fakti që E-Konsullata, nuk ka asnjë të dhënë për shtete ku duhet E-Visa, ose thënë më thjesht, aplikimi online për pajisjen me vizë në së paku 9 shtete.
Top Channel solli provat që në katër shtete për të cilat E-Konsullata specifikon që duhet vizë, pasaporta shqiptare ka hyrë pa vizë ose me vizë në mbërritje. Ndërkaq, në aplikacion për mijëra pasaporta shërbimi dhe diplomatike ka zero informacion.
Top Channel u interesua dhe pranë Ministrisë së Jashtme, e cila deklaron se të dhënat për këtë aplikacion janë marrë nga marrëveshjet dypalëshe mes shteteve, por që gjatë verës sipas saj, shtete të caktuara aplikojnë poltika lehtësuese.
Dhe nëse zgjedh të mos i besosh as IATA-s dhe as ministrisë, atëhërë mirë është ta verifikosh në person. Për shembull, sipas Ministrisë së Jashtme, nëse do të udhëtosh në Iran, ti duhet patjetër të paraqitesh pranë kësaj ambasade për të marrë një vizë.
Top Channel kontatoi me Ambasadën e Iranit dhe në fakt, një shtetas shqiptar mund të hip lirshëm në avion vetëm me pasaportën e tij dhe vizën turistike ta marr sa po të mbërrijë në aeroportet e qyteteve kryesore. Ashtu si në fakt njofton IATA, por jo E-Konsullata. Buzëqeshja e kënaqur e ministrit duhet të presë edhe pak, derisa të rifreskojë aplikacionin e shpallur me aq bujë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: