Kronika

Mjekët mohojnë akuzat. Prokuroria: Lëvizjet nga spitali në spital, të pajustifikuara

Pas ndalimit nga forcat e Komisariatit nr. 1 në orët e vona të së shtunës, mjekët e arrestuar të maternitetit “Koço Gliozheni” po mbahen në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Helidon Klosi dhe Dritan Deçka akuzohen për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me rastin e rëndë të vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajku dhe foshnjës së saj 9-muajshe, ngjarje tragjike e ndodhur mes mbrëmjes së të enjtes dhe në të gdhirë të ditës së premte.
Në deklarimet e para dhënë para hetuesve, mësohet se 2 mjekët kanë thënë se ata kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar procedurat që ndiqen në të tilla raste. Gjithashtu ata janë shprehur se duke dyshuar se pacientja e ndjerë vuante nga zemra, kanë vendosur ta dërgojnë për vizitë tek një kardiolog në QSUT.
Por, për grupin e hetimit ky është një moment kritik gjatë zhvillimit të ngjarjes, pasi mjekët kanë gabuar duke rënduar gjendjen shëndetësore të pacientes. Sipas procedurave, ajo nuk duhet të lëvizte por duhet të thirrej mjeku kardiolog të vizitonte në maternitet.
Nga ana tjetër, grupi hetimor ka tashmë në dorë regjistrat e spitalit për të parë, ndërsa në pyetje janë marrë edhe mjekë të tjerë dhe infermierë që kanë qenë ditën e ngjarjes në detyrë. Mjekët e arrestuar dyshohet se kanë vonuar dhënien e ndihmës mjekësore duke sorollatur pacienten edhe në 2 spitale të tjera, veprim që solli pasoja fatale për jetën e 35-vjeçares dhe foshnjës së saj.
Mjekët Edison Klosi dhe Dritan Deçka pritet të dalin për masën e sigurisë para Gjykatës së Tiranës mesditën e së hënës ose mëngjesin e së martës pasi grupi hetimit të këtë përfunduar verifikimet përkatëse.
Ndërkohë për rastin ka reaguar edhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë. UMSH shprehet kundër qëndrimeve dhe masave të parakohshme, emocionale dhe ekstreme që çojnë në arrestimin e mjekëve pa u provuar dhe argumentuar fajësia e tyre, pa u sqaruar nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm (neglizhencë), gabim mjekësor apo mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste.
Po sipas UMSH-së, masat ekstreme dhe të nxituara nuk kanë asnjë efekt dobiprurës në përmirësimin e shërbimit shëndetësor por përkundrazi thellojnë krizën e besimit të publikut ndaj bluzave të bardha dhe sistemit shëndetësor në tërësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button