Opinion

A “e di” Berisha që e duan prapë në krye?

Nga Andrea Stefani

I zhytur në një krizë të thellë, lidershipi i PD po kërkon përsëri shpëtim te kulti anakronik dhe neokomunist i Sali Berishës. Deputetja Majlinda Bregu sapo ka formuluar një kritikë për Lulzim Bashën duke e quajtur vendosjen e tij në krye të PD, të gabuar, dhe ka shtuar se ishim më mirë me Berishën. Bregu bën sikur harron që ishte Berisha që e vuri Lulin në krye të PD dhe ironia është se ajo nuk ka rrugë tjetër veçse të revokojë Berishën duke e kritikuar indirekt po Berishën. Natyrisht, deklarimi i Bregut reflekton rivalitetet mes klaneve pro dhe kundër Bashës si dhe ankthin kryesor të jo pak vetëve në SHQUP nëse do të jenë apo jo në listat e ardhshme për deputetë. Por deklarata e saj, që nënkupton edhe rikthimin e Berishës në krye të PD, ose është e verbër, ose dinake, ose një intrigë e Berishës në kurriz të Bashës.

Të bësh fajtor vetëm Bashën për gjendjen ku është katandisur PD është ose verbëri ose hipokrizi sepse i madh e i vogël në Shqipëri e dinë që Basha nuk e ka udhëhequr as edhe një orë të vetme PD-në dhe se lideri i vërtetë në prapaskenë ka qenë, si në këto 26 vjet, Berisha. Pa asnjë talent për lider po edhe pa njohuritë e nevojshme për të qenë edhe një politikan i thjeshtë, Basha u përpoq të imitonte si një robot Sali Berishën, deri edhe në retorikën e egër për revolucion e përmbysje me dhunë të qeverisë, por dështoi i ngjirur në mënyrë qesharake sepse nuk kishte as gabzherin e Berishës. Po në stilin klasik të Berishës edhe Basha ka vazhduar të formulojë kritika në adresë të qeverisë, për problematika që i kanë rrënjët në keqqeverisjen 8 vjeçare të vetë PD dhe që si të tilla, nuk mund të eliminohen në 3 vjet. E tillë është akuza sikur gjoja nën qeverisjen e Ramës janë shtuar sipërfaqet e mbjella me drogë. Me statistikat që po publikohen krejt e kundërta rezulton e vërtetë. Nën qeverisjen e PD jo vetëm sipërfaqet e drogës kanë qenë në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Lazaratin e toleruar hapur nga qeveria Berisha, por është bërë shumë më pak se sot nga policia për asgjësimin e kësaj droge. Edhe në këtë rrafsh PD nuk ofron besueshmëri se mund të jetë një alternativë qeverisëse më e mirë se kjo e sotmja. Përkundrazi, shumica e shqiptarëve, duke bërë krahasimin me rrumpallën pa shtet të PD, e shohin një rikthim të saj në pushtet si një fatkeqësi. Kjo u provua edhe në zgjedhjet e fundit në Dibër dhe justifikimet e PD se humbi nga blerja e votave janë në vazhdën e zakonshme të berishizmit për të mos pranuar kurrë një rezultat zgjedhjesh që nuk e nxjerr fituese. Shkurt, zakoni për të mos respektuar demokracinë.

Që Berisha nuk ka pushuar së drejtuari PD-në edhe pas gjoja dorëheqjes si kryetar formal i saj, u pa qartë edhe në tratativat për reformën në drejtësi gjatë të cilave, ambasadori amerikan dhe ajo BE thuajse paralel me Bashën takonin edhe Berishën. Duke qenë pa integritet si njeri por edhe pa integritet politik, Basha e pranonte si normale një poshtërim të tillë që i tregonte gjithë botës se ai qe një pupac dhe asgjë më shumë në tërë këtë histori. Sepse ç’kuptim ka që pasi të takosh liderin zyrtar të partisë, të marrësh takim edhe me një deputet për të njëjtin problem që ke konsumuar me kryetarin e partisë?

Deklarata e Bregut është me kast qorre pra hipokrite dhe dinake se kërkon të shesë në publik si të vërtetë largimin e Berishës. Por meqenëse është krejt e kundërta, ajo rezulton krejt pa sens. Sepse gjendja e mjerë e PD sot nuk është rrjedhojë e mungesës së lidershipit të Berishës në PD, por e vazhdimësisë së këtij lidershipi. Prandaj të kërkosh shpëtim te rikthimi i lidershipit të Berishës është njëherazi një gënjeshtër, por edhe një vetëmashtrim. Eshtë të kërkosh shërimin nga sëmundja, te vetë sëmundja.

Ndërkaq, nuk mund të thuhet me siguri nëse Berisha vetë i aprovon apo jo këto deklarata të Bregut. Do të qe plotësisht e mundur nëse ai ka vendosur të rikthehet në krye te PD edhe formalisht, duke e sakrifikuar pupacin e tij Bashën. Në këtë rast, Berisha do aplikonte taktikën tradicionale të liderëve të partive të majta të kritikuar këtu e një shekull më parë nga Robert Mikels. Sa herë ndodheshin përballë kritikash apo kundërshtimesh të vullnetit të tyre, ata kërcënonin me largim apo dorëheqje. Por kulti i tyre qe aq i fortë dhe nevoja për udhëheqësinë e tyre nga masa e militantëve aq totale, sa nuk vononte dhe çdo oponencë ndaj tyre dorëzohej përballë kërkesës së fuqishme të fanatikëve për kthimin e tyre në udhëheqje të partisë. Dhe ata riktheheshin në drejtim edhe më të fortë edhe më absolutë në vendimmarrje. Një unitet të tillë ruan Berisha me masën e fanatikëve të partisë, një mbështetje që s’e ka askush nga figurat apo grupet rivale në SHQUP dhe prandaj, janë të detyruar t’i përulen atij apo të rivalizojnë njeri-tjetrin nën emrin e tij. Ironia është se kur kritikojnë njeri-tjetrin nuk mund të mos kritikojnë indirekt Berishën që i udhëheq të gjithë.

Mund të rikthehet Berisha? Përgjigja më e saktë për këtë është se dikush që nuk është larguar, nuk ka nevojë të rikthehet. Por edhe një rikthim formal pas një largimi vetëm formal, mund të ndodhë nëse Berisha gjykon se mund të shkaktojë një përndezje entuziaste në radhët e fanatikëve tani që afrojnë zgjedhjet. Por do jetë një entuziazëm që nuk mund të shtrihet më tej masës së berishistëve. Trashëgimia qeverisëse e Berishës është aq e mbarsur me korrupsion, krime dhe kosto që ndihen edhe sot e kësaj dite, sa shumica e shqiptarëve e percepton alternativën e tij si më të zezën e mundshme. Katër disfata radhazi provojnë se shumica e zgjedhësve e refuzojnë Berishën edhe të kamufluar pas Bashës, e jo më ta shohin edhe formalisht në krye të PD.

Por Berisha mund të mos jetë dakord me kritikët e Bashës për sa kohë mendon se drejtimi i PD në prapaskenë, duke përdorur një bedel si Basha, është formula më e mirë për të kamufluar natyrën autokratike të ndërtimit të saj, por edhe për ta shpërdorur PD për qëllimet e veta, kryesisht për t’u mbrojtur nga goditjet e një pushteti drejtësie që po nxjerr kokën në horizont e mbështetur dhe sponsorizuar nga ndërkombëtarët. Në këtë rast, Bregu nuk do të kishte dakordësinë e Berishës. Dalja e Genc Rulit që i kundërvihet kritikëve të Bashës, flet në favor të këtij skenari. Në fakt, edhe pse nuk ka fare gjasa ta rikthejë PD në pushtet, ky skenar është më realisti për sa i përket një synimi më modest për konservimin e një homogjeniteti minimal të radhëve të saj. Shkurt, për të vazhduar të ekzistojë si PD e “drejtuar” nga Basha, por e udhëhequr nga Berisha.

Eshtë qesharake kur shikon disa që hiqen të zhgënjyer me Bashën sepse nuk po bën gjënë e duhur, në një kohë që e dinë fare mirë se ai ka bërë atë që i ka udhëzuar Berisha. Dhe Basha mund të fitojë pavarësi nga Berisha, dhe jo vetëm ai por edhe ata që e kritikojnë, aq sa një robot mund të bëhet i pavarur nga programi që i kanë instaluar. Si të tillë, të gjithë, pro dhe anti-Basha, bashkohen te Berisha ndaj refuzojnë të kuptojnë se PD nuk mund ta shohë veten në pushtet nëse nuk rinovohet themelisht. Që do të thotë, të distancohet nga trashëgimia autokratike dhe korruptive e berishizmit duke iu atashuar parimeve të braktisura të demokracisë liberale. Një gjë që e kanë të pamundur ta ndërmarrin të dy klanet që përplasen në PD. Sepse të dy kanë nevojën vitale për t’u mbështetur te kulti i Berishës që i ka pjellë, në një kohë që ky kult, nuk është shpëtimi, as fitorja por bumerangu që e godet pa pushim PD duke e çuar nga disfata në disfatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button