Opinion

Grekët e lashtë, njerëzit e rinj. Filozofë, demokratë, imperialistë…

Intervistë me Mario Vegetti

Mario Vegetti, historian i Filozofisë së Lashtë, ndër ekspertët më të mëdhenj ndërkombëtarë të mendimit të lashtë. I është kushtuar aspekteve të ndryshme të kulturës greke, në mënyrë të veçantë atyre të lidhur me shkencën, me etikën dhe me politikën. Shkenca, politika, arti, poezia, teatri… Nuk ka fushë të dijes perëndimore që nuk e ka pak Greqi të lashtë në të kaluarën e saj. Prej më shumë se 2000 vjetësh bota e klasicitetit helen është një fanar, një pikë referimi nga e cila herët a vonë kthehesh për të shikuar. Por kush qenë vërtetë ata njerëz? Në çfarë fushash u shprehën? Çfarë kemi të përbashkët me ta dhe çfarë i bën në fakt të ndryshëm nga ne? Sipas italianit Mario Vegettit, një prej njohësve më të mëdhenj të mendimit të lashtë grek, përgjigja mund të kërkohet midis historisë dhe filozofisë.

Nëqoftëse do të duhej të bëhej një portret i njeriut grek, çfarë karakteristikash do të vinit më shumë në dukje?

«Para së gjithash ishte një njeri i lirë nga pesha shtypëse e traditës. Qytetërimi grek lindi në një lloj hapësire boshe. Në Greqinë e origjinës nuk ekzistonte në fakt një shtet, në kuptimin që i japim ne kësaj fjale: një qeveri qendrore, një ushtri, një pushtet gjyqësor. Nuk kishte as një klasë priftërore, siç ndodhte në fakt në Egjipt dhe në Orient, që të impononte një traditë fetare dhe të influenconte jetën e komuniteteve. Në fakt, grekët nuk e kishin një libër të shenjtë (si Bibla), interpretuesit e të cilit të ishin priftërinjtë. Edhe për këtë, religjioni i tyre qe një politeizëm pa dogma. Grekët qenë njerëz të “rinj” dhe bota e tyre ishte e hapur, e lëvizshme dhe më e “lehtë” se e jona».

Megjithatë edhe ata kishin pasur një të kaluar…

«Sigurisht, tradita e tyre qenë poemat homerike. Por “Iliada” dhe “Odisea” janë para së gjithash krijime letrare, që rishpikën të kaluarën e helenëve. Vetë mitologjia, së bashku me teologjinë, mori formë falë një poeti, Hesiodit, dhe u përcoll nga tragjikët. Tradita greke ishte në pjesën më të madhe shpikje, letërsi».

Domethënë grekët nuk kishin as një ideologji, as një të “vërtetë” të cilës t’i apeloheshin. Për këtë arsyeja filozofia lindi pikërisht aty?

«Për grekët, duke filluar nga periudha klasike (Shekulli i V-të B.C.), e vërteta ishte një problem si gjithë të tjerët, për t’u hetuar me instrumentet e nacionalitetit. Kush besonte se zotëronte të vërtetën (mbi natyrën apo mbi njeriun), kishte gjithmonë barrën e provës. Pasuria e mendimit grek varet edhe nga fakti se askush nuk e kishte pushtetin për të imponuar një të vërtetë të vetme. Lindën kështu teknikat e argumentimit racional dhe të bindjes (retorika, dialektika, logjika), të gjithë sisteme për të mbrojtur dhe për të demonstruar të vërteta në konflikt midis tyre».

Atëhere ka diçka të vërtetë në imazhin e grekëve, gjithmonë të prirur që të diskutojnë lidhur me çdo gjë…

«Nuk ishte saktësisht kështu. Kultura u përkiste grupeve të kufizuara të njerëzve. Por kur Aristofani shkroi komedinë “Retë”, e gjithë Athina qeshi me sofistët e paraqitur në të: e nëqoftëse qeshnin me Sokratin, do të thotë që e njihnin dhe që mendimi i tij ishte pjesë e urtësisë së përgjithshme. Teatri – tjetër shpikje greke – ishte një mjet i fuqishëm i përhapjes së ideve. Pastaj, përqindja e alfabetizmit në Athinën e shekullit të V-të B.C. ishte më e larta e të gjithë botës së lashtë».

Cilat qenë shpikjet “speciale” të grekëve?

«Thuhet shpesh se grekët kanë shpikur politikën. Pjesërisht është e vërtetë, por shpikja më e madhe e tyre qe figura e qytetarit, polítes. Në të gjitha qytetërimet e tjera individi karakterizohej për përkatësinë në një familje, në një shtresë, në një kastë apo në një zanat, në një etni apo në një religjion. Në Greqinë e lashtë individi identifikohej me komunitetin në të cilin jetonte. Më parë akoma se grek, ishte korintas, athinas, spartan… Për këtë arsye Aristoteli pohoi se njeriu është një kafshë politike, që mund të jetojë vetëm në polis. Me këtë shpikje janë të lidhura të gjitha të tjerat: filozofia, e nënkuptuar këtu si refleksion i lirë mbi botën dhe mbi jetën. Por edhe shkencat: gjeometria, matematika, biologjia…».

Po a mund të flitet vërtet për shkencëtarë? Mos vallë qenë më shumë filozofë sesa kërkues?

«Rasti i mjekësisë është flagrant. Në Greqi nuk kishte asnjë rregullim dhe kushdo mund të bëhej mjek (kishte me tepri mjaft sharlatanë). Tjetërkund, në Mesopotami apo në Egjipt, praktika mjekësore ishte në fakt e përkufizuar deri në detajet më të holla dhe i nënshtrohej kontrollit të rreptë të kastës priftërore. Në ndryshim prej tyre, mjekët grekë mund të eksperimentonin lirisht, tamam si shkencëtarë të vërtetë. Shpesh qe filozofia që frymëzohej nga modele shkencore, si ato të propozuara nga mjekësia apo nga matematika; nga një herë qe mendimi shkencor që i drejtohej filozofisë. Atëhere nuk ekzistonte një ndarje e prerë midis dy kulturave».

Qytetërimi grek pësoi edhe flukse lindore?

«Grekët morën shumë nga qytetërimet e mëdha me të cilat ranë në kontakt, nga Orienti persian deri në Egjiptin e lashtë. Në çdo fushë të dijes greke, përveçse në religjion, ekzistojnë “materiale importi”. Por ajo që bënte diferencën në botën greke ishte forma. Gjithçka që asimilohej bëhej menjëherë greke, plazmohej nga ajo mënyrë e re të menduari, e lirë dhe racionale».

Ama nga grekët kemi trashëguar edhe ndonjë defekt…

«Defekti kryesor i tyre qe etnocentrizmi ekstrem. Besonin se qenë më të mirët dhe se, për pasojë, kishin të drejtën për t’i përjashtuar të gjithë të tjerët. Një pretendim që e kemi edhe ne dhe që e përforcuam pikërisht duke ju drejtuar traditës greke. Kjo mendjemadhësi ndaj të tjerëve e çoi për shembull Athinën e shekullit të V-të B.C., që ishte një superfuqi e barabartë me Shtetet e Bashkuara të sotme, të tentojë rrugën e imperializmit. Refuzuan gjithmonë që të mësonin gjuhët e të tjerëve: me persianët apo hebrenjtë ju drejtuan përkthyesve. Dhe kur u pushtuan nga Roma, në vend që të fillonin të flisnin latinisht, me sharmin e kulturës së tyre futën greqishten midis romakëve të kulturuar».

Si është përcjellë në Perëndim “miti” i klasicitetit?

«Çdo epokë ka pasur grekët e “saj” dhe mendimi perëndimor shpesh ka qenë një luftë e grekëve kundër grekëve. Mesjeta i ka përdorur për të përforcuar të vërteta e fesë, duke kërkuar me instrumentet e e logjikës të krijuara nga Aristoteli të demonstronte ekzistencën e Zotit, por duke marrë edhe traditën platonike. Kurse në Rilindje imagjinohej një e ardhme e përsosur, një qytet i arteve i mekanikës, i harmonisë dhe i virtytit. Kështu, Greqia u bë modeli i këtij ideali. Në Shtatëqindën, filozofët u bënë të gjithë revolucionarë. Qe pikërisht Iluminizmi ai që e bëri Greqinë epokën e artë të lirë, të barazisë dhe të drejtësisë. Historianët kanë demonstruar më pas se në realitet bota greke mund të ishte e pabarabartë dhe e padrejtë. Në të kundërt, gjatë Tetëqindës, klasiciteti u bë flamuri i konservatorëve. Kush, për shembull, ishte kundër sufrazhit universal bënte me dije se grekët i kundërviheshin gjithmonë “dmonimit të masave”. Greqia u bë kështu një model ligji dhe rendi»

Si do t’i përballonte një grek i lashtë problemet moderne?

«Gjëja më greke për t’u bërë është të pyesësh. Pse jemi bërë kështu? Çfarë nuk funksionon në botën tonë? Kush janë të tjerët? Por ta marrësh kallëp traditën greke, siç kanë propozuar disa korrente filozofike edhe të kohëve të fundit, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Ajo që kanë shkruar filozofët grekë vlente për kohën e tyre, jo për tonën. Ama metoda e tyre na jep leksionin më aktual: të heqësh dorë nga pretendimi se zotwron një të vërtetë universale»

Pse ne i quajmë helenë?

Grekët e lashtë e quanin veten helenë (në fakt, besonin se qenë pinjoj të heroit mitik Helen) dhe tokën e tyre Èllade (“Hellás”). Akoma sot, në greqisht, Greqia quhet Hellas. Atëhere, nga vjen fjala Greqi? Fajin me sa duket e kanë romakët. Kur ranë në kontakt me koloninë greke të Cuma-s, e themeluar rreth vitit 725 B.C., emisarët e Romës vërejtën se kolonët e quanin veten “Graikoi”. Por termi në të vërtetë tregonte vetëm popullsitë që banonin në ishullin e Eubea-s, nga edhe vinin cuma-nët e parë. Por romakët ia ngjitën këtë emër të gjithë banorëve të Heladës. Kështu, për të gjithë botën romake, helenët u bënë “Graii” dhe “Graeci”, përkthim latin i “Graikoi”. Pastaj gabimi u përcoll, nëpërmjet latinishtes, në gjuhët moderne.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button