Politika

S’ka ndertime deri në zgjedhje, verifikim pallateve te Liqeni

Vendimi i KKT 

“Çdo leje zhvillimi apo plan i detajuar vendor i miratuar pas hyrjes në fuqi të vendimit, do të konsiderohet i pavlefshëm, si dhe do të jetë subjekt për ndjekje penale”

Investimet – Për të pesë projektet e miratuara nga KKT-ja, që do të jenë modele të reja zhvillimi, do të investohet drejtpërdrejt në territor duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm.

Kurora e Tiranës – Rama tha se me këtë vendim të KKT-së do të mbrohet një herë e mirë kurora e Tiranës së kryebashkiakut Basha, “ku situata urbane është e ngjashme me situata pa shtet të vendeve afrikane”

Ndëshkimi – “Nuk ka më vjen inspektori, prish ndërtimin, kur ikën ai vazhdon ndërtimi … Ka vetëm një rrugë për këto raste, qelia e burgut”, paralajmëroi dje Kryeministri Edi Rama

Nga Herion Mesi

Rama KKT LajmDeri pas zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, kryetarët e bashkive dhe komunave nuk do të kenë mundësi të japin leje ndërtimi. Kjo, pasi Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, vendosi dje që të pezullojë zbatimin e të gjitha planeve urbanistike të njësive vendore, deri pas zgjedhjeve. Motivi pas këtij vendimi drastik, sipas shefit të ekzekutivit, është frenimi i masakrës urbane të kryer nga pushtetarët lokalë. “Do të pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe do të pezullohen planet e detajuara vendore. Nga të gjitha autoritetet e qeverisjes vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015”, tha Edi Rama. Afrimi i datës së zgjedhjeve, sipas Kryeministrit, i ka motivuar krerët vendorë që po u përfundon mandati, të japin qindra leje abuzive dhe korruptive për ndërtim pallatesh. “Paligjshmëria që prodhohet përmes firmave dhe vulave të papërgjegjshme, që në shumë njësi vendore të vendit autorizojnë leje zhvillimi për shkatërrim. Problemi i krijuar nga injoranca, inkompetenca dhe korrupsioni që ka sunduar në shumë territore të vendit. Kemi raste flagrante dhëniesh të qindra lejeve brenda tre muajve, para dhe gjatë fushatës nga autoritetet vendore të papërgjegjshme”, konstatoi Rama.

Abuzuesit

Ndërsa tha se lejet e dhëna deri më tani nuk do të pezullohen, Kryeministri paralajmëroi se do të verifikohet ligjshmëria e tyre. Në këtë proces, të verifikimit të ligjshmërisë, pritet të kalojë edhe leja e shumëdebatuar që Bashkia e Tiranës ka dhënë për ndërtimin e një kompleksi pallatesh pranë digës së Liqenit Artificial.

Kreu i qeverisë, në të parën mbledhje publike të Këshillit të Territorit të drejtuar prej tij, për shkak të rëndësisë së vendimmarrjes, ka qenë i ashpër edhe ndaj atyre që kanë ndërtuar pa leje ose synojnë ta bëjnë një gjë të tillë. “Do të ndjekim këmba-këmbës çdo abuzues me territorin, qoftë ky individ apo subjekt që pa leje ndërtimi operon duke bërë kontributin e tij në masakër, qoftë ky një abuzues që ka në dorë të japë leje ndërtimi dhe nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normë etike në raport me këtë pasuri të përbashkët”, tha Rama. Duke vijuar më tej, ai sqaroi se Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të evidentojë të gjitha lejet e zhvillimit dhe do të informojë për masat e marra përkatëse në çdo rast kur nuk është respektuar procedura ligjore.

Lejet

Kur kanë mbetur rreth 10 muaj nga zgjedhjet vendore, lejet e ndërtimit do të jepen vetëm për fabrika dhe biznese prodhuese, gjithmonë pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Sipas Ramës, krerët e pushtetit vendor do të kenë të drejtë të japin leje vetëm në rastet e sipërpërmendura, por jo për ndërtime. “Vendorët do të japin leje zhvillimore për raste përjashtimore dhe në funksion të interesit publik, kombëtar dhe interesit për të zhvilluar në këtë vend veprimtari prodhuese, jo për të uzurpuar çfarë ka mbetur nëpër qytetet e bëra copë e çikë për të ngritur pallate, por për t’i hapur rrugë zhvillimit që ka të bëjë drejtpërdrejt me turizmin, industrinë, bujqësinë dhe krijimit të vendeve të punës dhe jo me rritjen e një stoku të apartamenteve që edhe sot janë të pashitura. Miratimin në parim do ta japë Këshilli Kombëtar i Territorit”, tha Rama.

Vendimet

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dhe pesë projekte urbanistike me natyrë strategjike për brezin bregdetar dhe zonën ekonomike Tiranë-Durrës, që do të realizohen brenda këtij mandati qeverisës. Konkretisht, Kryeministri Rama bëri me dije se bëhet fjalë për hapësirën Tiranë-Durrës, e cila do të shërbejë si urë e metropolit të ri të Shqipërisë, kurora e Tiranës, vija bregdetare e Orikumit deri në Palasë dhe lungomaret e Himarës dhe Sarandë-Ksamil. Për të pesta këto projekte, që do të jenë modele të reja zhvillimi, do të investohet drejtpërdrejt në territor duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, do të hapen konkurse ndërkombëtare.

Gjithashtu, Rama bëri me dije se do të nisin procedurat për rishikimin e instrumenteve të planifikimit vendor të miratuar nga KKT-ja, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të ndarjes së re territoriale, por dhe në funksion të krijimit të një kulture vetëpërmbajtjeje ligjore për të autorizuar lejet e ndërtimit.

Projektet e miratuara nga KKT-ja

1. Hapësira Tiranë-Durrës si urë e metropolit të ri të Shqipërisë

2. Kurora e Tiranës si frymëmarrja e metropolit shqiptar

3. Rigjenerimi i vijës bregdetare nga Uji i Ftohtë në Palasë, përfshirë vija bregdetare e Orikumit dhe gjithë vija malore e Llogorasë.

4. Himara, gjithë pyjësia dhe model i ri i rikualifikimit urban

5. Hapësira Sarandë-Ksamil si një rrugë e re e zhvillimit turistik

Pallatet te liqeni 

PS-ja vijon të kërkojë dorëheqjen e Bashës nga bashkia: U mor me lulëzimin e PD-së, jo të Tiranës

Reagon bashkia: Projekti aktual nuk e cenon pronën publike

Ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme përplasja mes Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranë lidhur me çështjen e ndërtimit të pesë pallateve 17-katëshe në zonën e parkut të Liqenit Artificial në Tiranë. Nëpërmjet sekretarit ekonomik të saj, Ervin Bushati, selia rozë kërkoi sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Lulzim Basha, për gënjeshtrat e tij për ndërtimet e bëra në zonën ku Basha premtoi tri vite më parë se do të ndërtonte kampin sportiv më të madh në Ballkan. Por, sipas Bushatit, kryebashkiaku i Tiranës deri më sot është marrë vetëm me “lulëzimin” e degëve të PD-së dhe jo me lulëzimin e Tiranës. Dhe këto janë arsyet për të cilat ai theksoi se Basha duhet të largohet nga ajo detyrë dhe t’i hapë rrugën një njeriu që do të merret siç duhet me kryeqytetin. “Mirë do të ishte që të vazhdonte vesin e tij të gënjeshtrës, sepse në këto vite nuk ka bërë asnjë punë, është marrë vetëm me lulëzimin e degëve të PD-së dhe jo me lulëzimin e Tiranës. Sot të mbajë fjalën si burrë dhe të dorëhiqet nga ajo detyrë, që t’u hapë rrugë qytetarëve të zgjedhin njeriun që u duhet për punë”, tha Ervin Bushati. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila nëpërmjet një deklarate për mediat, shënjestroi kryesocialistin Edi Rama për kritikat ndaj bashkisë, të cilat po i bën në emër të interesave të paligjshme. “Edi Rama, njeriu që projektoi ndërtime 40-katëshe te pishinat, derdhi përsëri llumin e vrerit dhe shpifjeve ndaj Bashkisë së Tiranës, në emër të interesave të paligjshme të tij dhe sekserëve të tij. Projekti aktual nuk prek asnjë centimetër pronë publike. Projekti aktual nuk prek asnjë centimetër të parkut të liqenit, por ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportiv, si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike, në përputhje me rregullat e planit urban të Tiranës. Këtu qëndron edhe arsyeja e mllefit të Edi Ramës dhe sekserëve pazarprishur që qëndrojnë pas tij”, thuhet në reagimin e bashkisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button