Bota

SHBA, sot debati i parë presidencial. Pikat e forta dhe dobësitë e kandidatëve

Debatet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, i pari i të cilëve mbahet mbrëmjen e së hënës, do të jenë ndryshe nga çfarë është parë deri tani. Debatet e zgjedhjeve paraprake patën një numër rekord shikuesish e nuk kursyen ofendimet, mburrjen, thirrjet e zhurmshme të publikut, apo talljen e kandidatëve me njëri-tjetrin.

Dhe kjo vetëm nga republikanët. Krahasuar me ato të kaluarat, përballjet e Donald Trumpit me Hillary Clintonin do të jenë olimpike, thotë CNN. Po cilat janë pikat e forta dhe ato të dobëta të të dy kandidatëve?

Donald Trump ka një zotësi të rrallë të manipulojë moderatorët. Është kritik i “status quo”-së, ankohet për çdo gjë nga Siria, Iraku, Libia e deri te tregtia me Kinën. E përdor mirë taktikën e frikës. Mund të jetë zbavitës në momente të caktuara. Armiqësitë i përballon mirë, sepse është mësuar dhe di t’u rrëshqasë pyetjeve. Por ka dhe disa dobësi të mëdha, që nisin me njohuritë politike. Dy kandidatë në skenë dhe 90 minuta kohë për t’u mbushur nuk janë aspak pozitive, kur nis nga përsëritjet. Trumpi nuk i përballon mirë kritikat dhe, nëse e humbet durimin në këtë debat, siç ka bërë herë të tjera, do t’i ulë pikë vetes.

Hillari Clinton, nga ana tjetër, i ka me bollëk njohjet që i mungojnë rivalit të saj. Ajo e di mirë çfarë ndodh me ekonominë, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet me Rusinë, luftën kunder terrorizmit. Edhe ata që s’janë dakord me të, nuk thonë dot që është e keqinformuar. Është me këmbë në tokë dhe ka aftësinë të nxjerrë në pah kontrastet e thella mes propozimeve të saj dhe atyre të kundërshtarit. Shumë mendojnë se është pak e ngurtë e ka një sjellje prej roboti, e kjo konsiderohet dobësi, por së fundi është shfaqur shumë më e qetë. Problemi më i madh i saj janë përgjigjet evazive, të cilave duhet t’ua gjejë ilaçin shpejt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button