Kronika

Toka te Gjiri i Lalzit, Manjani: Të shkarkohet gjyqtarja

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një deklaratë të mbajtur këtë paradite lidhur me rastin e kompanisë “Omnix” ka fajësuar Gjykatën e Durrësit se në mënyrë të paligjshme i ka dhënë pronësinë mbi një sipërfaqe toke prej 45 mijë metra katrorë familjes Selçuni, e përfshirë në debatin për ndërtimin e resortit turistik në Gjirin e Lalëzit.

Në komunikimin e tij me mediat, Manjani ka akuzuar gjyqtaren e çështjes, se i ka hequr në mënyrë të padokumentuar kompanisë të drejtën e sipërfaqes kompanisë libaneze, gjë që sipas tij ka penguar në nisjen e punimeve për ndërtimin e resortit.

“Përgjegjësitë për këtë fillojnë nga Gjykata e Durrësit, që ka gabuar rëndë procedurialisht, sepse u mjaftua të thërriste në gjyq vetëm Bashkinë dhe të thërriste Avokaturën e Shtetit. Gabimi themelor është se nuk thirri asnjëherë as Hipotekën dhe as Zyrën e Kthimit dhe Kompensiimit të Pronave, që i kishte dhënë me qera tokën kompanisë”, ka deklaruar Manjani.

Një tjetër anomali sipas kreut të Drejtësisë shqiptare është fakti se, si për një çështje kaq delikate është gjykuar nga një gjyqtare e vetme. “Në shqyrtimin që inspektorët tanë i kanë bërë dosjes rezulton se nuk ka pasur argumenta ligjorë”, ka thënë Manjani.

Gjithashtu, ka vijuar ai, “gjykata ka gabuar pasi nuk është konsultuar me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.

“Gjithashtu nuk lihen pa përgjegjësi as Bashkia dhe as Avokatura e Shtetit, që duhet ta kishin anikumuar këtë vendim”, ka nënvizuar Manjani, i cili më tej ka njoftuar marrjen në cilësinë e ministrit të Drejtësisë të një seri masash ndëshkimore ndaj përgjegjësve.

“Së pari, si ministër do të kërkoj shkarkimin e gjyqtares së çështjes në KLD, natyrisht pasi të përfundojë procedimi disiplinor. Së dyti, do t’i kërkoj Avokates së Shtetit të thellojë analizën e saj në institucionin që drejton dhe që nga ky moment përfaqësuesi i Avokatisë së Shtetit në Durrës është i shkarkuar nga detyra. Së treti, i kërkoj edhe Bashkisë së Durrësit që të shkarkojë juristin e saj, të cilët e kanë lënë këtë çështje të hyjë në fuqi”, ka shtuar Manjani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button