Politika

Mbetjet, kritika e parë e Bashës: Berisha gaboi!

Deri të enjten e kaluar, Partia Demokratike nuk kishte marrë një vendim për të votuar kundër lejimit të importit të mbetjeve.
Vendimi u mor gjatë seancës plenare të së enjtes, me nisëm të Sali Berishës. Në një status në “Facebook” ish-kryeministri foli të hënën për pabesi të Edi Ramës ndaj votuesve.
Lulzim Basha gjithashtu përmendi atë që quajti prerje në besë të kryeministrit që erdhi në pushtet edhe duke premtuar heqjen e ligjit të mbetjeve. Por në fund kishte edhe një qëndrim për ligjin e Sali Berishës kur ai ishte në pushtet.
“Unë personalisht kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them se nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ. Përse? Rrethanat e diktojnë këtë. Një vend që shpall prioritet turizmin nuk mund të ketë prioritet në të njëjtën kohë importimin e mbetjeve”, deklaroi kreu i PD.
Nisma fillestare është e qeverisë “Berisha” në vitin 2011, por u desh të kalonin pesë vjet, prej të cilave tre në opozitë, që Lulzim Basha t’i bashkohej qëndrimeve kundër tij.
“Dua të ndaj me ju dhe qytetarët shqiptarë një reflektim personal si kryetar i opozitës. Në kushtet dhe në dijeninë e plotë të rrethanave kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare gjykoj se ligji që ne propozuam për importin e plehrave ka qenë një vendim i gabuar. Jo vullneti. Mendoj se vullneti ka qenë një vullnet i drejtë për të disiplinuar dhe kontrolluar mbetjet e rrezikshme nga njëra anë, dhe për t’i dhënë frymëmarrje industrisë së riciklimit nga ana tjetër. Por edhe në ato kushte mendoj se levat e mafias ndërkombëtare do ta kishin bërë zbatimin e këtij ligji jashtëzakonisht problematik”, deklaroi Basha.
Pas kësaj “mea culpa” të vonuar, Lulzim Basha mori gjithë distancën e duhur për ta quajtur kthimin e importit të mbetjeve si një shkelje të premtimit elektoral nga kryeministri Rama dhe një hapje të Shqipërisë drejt interesave mafioze.
“Sot kur kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin. A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?! Kjo meriton ndaljen me çdo kusht”, tha ai.
Pjesë e kësaj strategjie është mbështetja e protestave, kërkesa ndaj Presidentit për ta kthyer ligjin dhe nisma parlamentare për referendum.
“Çështja e plehrave është një çështje për të cilën nuk mund të vendosë më Qeveria, por duhet të vendosë populli”, deklaron Basha.
Lulzim Basha kërkon ta kthejë çështjen e importit të mbetjeve dhe si një provë të modelit politik.
“Ndaj qëndrimi që kemi sot, është edhe qëndrimi që Partia Demokratike do të mbajë nesër si mazhorancë, ndalim total të importit të plehrave”, shprehet kreu i PD.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button