Politika

Rama dhe Schroder diskutojnë mbi sfidat ekonomike, emigracionin dhe integrimin europian

Kryeministri Edi Rama dhe ish-Kancelari gjerman, Gerhard Schröder, mbajtën sot një Konferencë në COD “Mbi sfidat ekonomike, të emigracionit dhe të integrimit brenda projektit europian”. Kryeministri Rama dhe ish-Kancelari Schroder, diskutuan me të ftuarit diplomatë, politikanë, ligjvënës, përfaqësues të medias, shoqërisë civile, profesorë e studentë.

E fokusuar në situatën e sotme të Bashkimit Europian, konferenca trajtoi fazat kritike që po kalon një pjesë e vendeve të Europës, masat e ndërmarra dhe impaktin e tyre të gjerë në plan kombëtar, apo në marrëdhëniet me rajonin. E gjitha përmes këndvështrimit të një reformatori të njohur, Kancelarit që në vitin 2005 u tërhoq nga politika aktive, për t’i lënë vendin Angela Merkelit. Takimi përmbyllet me bashkëbisedimin e hapur të panelit me të ftuarit.

Kryeministri Edi Rama vuri theksin tek sfidat me të cilat përballet rajoni ynë dhe në lidhje me krizën e refugjatëve ripërsëriti se pozicioni i vendit tonë është ai i shprehur edhe në takimin e Vjenës pak ditë më parë.

Trajtesa e z. Schröder preku pikërisht shtyllat mbi të cilat u ngrit dhe u zhvillua BE, sot të vëna në sprovë. Kancelar i Gjermanisë për 8 vjet, në një periudhë aspak të lehtë për vendin e tij dhe Bashkimin, z. Schröder njihet se “në mënyrë të guximshme dhe me vendosmëri, arriti të hapte një derë me Agenda 2010 (programin e reformave), duke bërë të mundur përshtatjen e sistemeve sociale të vendit me erën e re”, siç do të shprehej pasardhësja e tij, Kancelarja Merkel.

Socialdemokrati Gerhard Schröder ishte në drejtim në vendit nga viti 1998-2005. Kancelari i shtatë i Republikës Federale të Gjermanisë njihet për rolin e tij nxitës të integrimit europian, për uljen e shkallës së lartë të papunësisë në vend, kufizimin e përdorimit të fuqisë bërthamore në prodhim energjie (me partnerët e koalicionit, Të Gjelbrit) dhe forcimin e rimëkëmbjes ekonomike të Gjermanisë Lindore. Gjatë qeverisjes së tij u liberalizua legjislacioni vendas mbi nënshtetësinë dhe u dërguan trupa ushtarake në Kosovë (1999) e Afganistan (2001) me operacionet e NATO-s, të parat që pas Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht situatës së përgjithshme të vështirë ekonomike, Schröder u rizgjodh Kancelar në 2002. E gjithë kjo periudhë u shenjua nga reforma të zgjeruara sociale e rregullatore, si dhe me rritjen e ndërgjegjësimit për rolin e përgjegjësinë e Gjermanisë në botë.

Prezantimi i ish-Kancelarit vijon serinë e takimeve me në qendër Europën dhe qasjet ndaj saj, të personaliteteve të mirënjohura ndërkombëtare, të ftuara më herët në COD, si Hannes Sëoboda, Tanja Fajon, Massimo D’Alema, Sandro Gozi, Ulrike Lunacek e të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button