Home / Opinion / Transaksionet monetare dhe financimi i terrorizmit në Shqipëri

Transaksionet monetare dhe financimi i terrorizmit në Shqipëri

HEKURAN VLADI 

unicef-400-000-f-euml-mij-euml-n-euml-gaza-vuajn-euml-nga-traumat_hdNëse ka ndonjë fushë të kompetencave shtetërore ku shteti shqiptar është sjellë me diletantizëm, ajo është padyshim çështja e luftës kundër financimit të terrorizmit. Për shkak të angazhimeve të mia të mëparshme, jam i detyruar që në këtë argument të shmang përmendjen e emrave, apo subjekteve të ndryshme, e kjo, jo vetëm për arsye etike, por edhe si kushtëzim i detyrimeve përkatëse të ligjit që e ndalojnë.

Politika e jashtme shqiptare dhe rreshtimi antiterrorizëm

Shqipëria u rreshtua formalisht menjëherë në anën e “koalicionit” antiterror, më 2001. Konventa e OKB-së e 2001-it u ratifikua në Parlamentin shqiptar me shpejtësi. Politika e jashtme e vendit ishte orientuar që me qeverinë e parë demokratike qartësisht pro Perëndimit. E, jo vetëm e nënkuptuar, por e deklaruar pro SHBA-së. Anëtarësimi në Konferencën Islamike ishte thjesht një pretekst për konsum politik brenda vendit. Opinioni publik në Shqipëri ishte aq pro amerikan, saqë ndërhyrjen e armatosur në Kosovë shumëkush e merrte si shpërblim i dashurisë shqiptare për Amerikën. Për të vazhduar në vija të trasha me kronologjinë e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë dhe SHBA-në, do përkufizoja me pak fjalë që, etika e diplomatëve amerikanë ka qenë shkaku që këto marrëdhënie të mos quheshin nga pjesa tjetër e botës si vasalitet i Shqipërisë ndaj SHBA-së. Ambasadorët amerikanë janë trajtuar nga lidershipi shqiptar me autoritetin që as ata vetë nuk e pretendonin. Edhe në rastet kur moti diplomatik mes ndonjë lideri shqiptar dhe ambasadorëve amerikanë ishte me ndonjë re, kjo ka ndodhur për shkak se shqiptari e shihte parashikimin e motit në ndonjë zyrë të Departamentit Amerikan, e kësisoj i “bënte si i fortë” ambasadorit në Tiranë. Për ta mbyllur, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte thjesht një mbështetje diplomatike e SHBA-së, por ishte një vendim i tyre.

Kapaciteti institucional dhe zbatimi i ligjit antiterrorizëm në Shqipëri

Ratifikimi i konventës antiterror të OKB-së i vitit 2001 u bë me shpejtësinë e erës së asaj vjeshte të mbrapshtë për gjithë botën. Detyrimet që rridhnin nga ratifikimi nuk u kujtua njeri t’i ndiqte. Ligji për luftën kundër financimit të terrorizmit u miratua vetëm 3 vjet më vonë, më 2004-n. Aktet nënligjore që erdhën pas këtij ligji ishin një rrëmujë rregullash, që nuk kishte arsye vetëm paaftësinë dhe nxitimin, por edhe boshllëkun ligjor që ekzistonte në rastin e aplikimit të konventës së OKB-së. Konventa, në vetvete përfaqësonte një avancim delikat drejt çështjeve madhore, siç ishin të drejtat e njeriut, të pronës e që kërkonin një angazhim serioz në përshtatjen ligjore që duhet të bënin vendet anëtare. Konventa e 2001-shit e kërkonte me insistim këtë, por në Shqipëri u mjaftua me një ligj të përgatitur nga konsulentët e huaj dhe kaq. Pasojat ishin për të bërë gallatë. Ja një prej këtyre gallatave: Pasuritë e një subjekti, të urdhëruara për sekuestro nga ministri i Financave me 2001-shin (pjesa e dytë e kullave binjake) dhe më 2004-n (pjesa tjetër), administroheshin formalisht nga një ndërmarrje private, në pronësi të personit të futur në listën e zezë. Kjo ndërmarrje ishte një tatimpagues i rregullt deri në 2008-n, kohë kur më në fund pasuritë u morën në administrim të shtetit, por që ishte një veprim i urdhëruar nga Ministria e Financave që në vitin 2001. “Shakaja” qëndron në faktin që Drejtoria e Tatimeve varet nga Ministria e Financave. Ministri urdhëron sekuestrimin, por tatimet nuk marrin vesh gjë, ato kanë hallin e planit mujor. Po të duash të mbushësh burgun, është në rregull, por realisht Drejtoria e Tatimeve nuk kishte asnjë faj. Në fakt, nuk është një “shaka” me të cilën duhet bërë shaka. Subjekti u hoq nga lista e zezë në vitin 2011, që teknikisht nënkupton se i mbushi mendjen Ombdusmanit në OKB që nuk ishte financues i terrorizmit. Gjithsesi, qeveria shqiptare luajti me fatin për afro 7 vjet. Asnjë investigim financiar nuk u krye për subjektet e listuara nga OKB, apo Departamenti i Thesarit të SHBA-së, mbi të cilët u nxor një urdhër bllokimi i pasurive. Thjesht një urdhër copy-paste dhe kaq. Konventa e OKB-së e vitit 2001 dhe konventat e mëvonshme, detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia në NATO, kërkojnë taksativisht një qasje serioze ndaj luftës kundër financimit të terrorizmit. Serioziteti i shtetit shqiptar në këtë pikë shfaqet vetëm në shprehjen e fytyrës së politikanëve para kamerave, kur përmendet fjala “terrorizëm”. Lufta kundër terrorizmit për shtetet është teknikisht luftë kundër financimit të tij. Pasi kamikazi të vishet në tritol, apo avioni të ndezë motorët me kamikazin në drejtim, edhe shtetit më të fortë në botë i mbetet pakgjë, ose asgjë për të bërë.

Çfarë ofrojnë institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit për luftën kundër financimit të terrorizmit? Asgjë! Pse i bie shkurt, mund të pyesë dikush? Thjesht, pasi e di e nuk kam nevojë të zgjatem e të dal në konkluzion. Ka shumë arsye pse ndodh kështu, por e para është se në Shqipëri nuk ka një institucion përgjegjës për luftën kundër financimit të terrorizmit. Formalisht, detyrat i caktohen një drejtorie të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave. Problemi është, dhe këtu prapë bëhet shaka argumenti, që edhe në ligjin e përmirësuar në vitin 2010, çështja në fjalë i shtohet titullit të ligjit “…dhe të financimit terrorizmit”, tamam si ajo barsoleta e policit të Fierit në kohën e Mbretërisë, që e porositën t’i hidhte një sy edhe Lushnjës. Pra, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit janë dy fenomene kriminale, por që zhvillohen në drejtime të kundërta. Në drejtorinë e sipërpërmendur nuk mungon vetëm ekspertiza, por mungon gjithçka. E këtu nuk është se i ka ardhur radha të shenjohet kjo drejtori, pasi gabimi është shumë më lart. Ka një zgjidhje formale me memorandume bashkëpunimi e mirëkuptimi pa fund, të cilat janë gjithashtu subjekt shakaje e vetëm kaq. Këto MoU (siç quhen në anglisht) janë një produkt shterp i ekspertëve të huaj mediokër, që nuk bëjnë asgjë tjetër veç vizitojnë Kalanë e Krujës, bëjnë një seminar e ikin, për të mos folur për rezidentët këtu që e marrin punën e specialistëve shqiptarë, e përkthejnë në anglisht dhe e shesin për punë të tyren.

Financimi i terrorizmit në Shqipëri

Edhe Guvernatori i BSH-së po të më lexojë, do të thotë që “kjo është një çështje e sigurisë kombëtare”. Jo vetëm kaq, në fakt. Terrorizmi është armiku më i madh i qytetërimit botëror sot. Lufta kundër terrorizmit, për shtetet, siç e përmenda edhe më sipër, është më së pari një luftë kundër financimit të terrorizmit. “Follow the money and find the crime” (ndiq paranë dhe gjej krimin), kjo është deviza e shteteve që janë në krye të kësaj lufte. Organizatat terroriste kanë problem më së pari mënyrën e financimit, jo burimin. Ekonomia informale në shkallë të lartë, korrupsioni dhe infrastruktura e dobët institucionale e bëjnë luftën kundër financimit të terrorizmit një mision të vështirë. Gjithsesi, qasja serioze ndaj kësaj çështjeje kërkon më së pari njohjen e problemit dhe së dyti, forcimin e kapaciteteve institucionale. Rasti më i fundit i shqiptarëve, që shkojnë të luftojnë në Irak, Siri e gjetkë, krahas organizatave terroriste, është trajtuar me motive kulturore-psikologjike. Po paratë ku i morën? Në thesarin e BSH-së, nuk besoj. Çfarëdo qofshin motivet e atyre që kanë shkuar, paratë janë në krye të listës. Qasja ndaj këtij rasti shpjegon qartazi vlerësimet e mia të dhëna më sipër. E këtu, mendoj që qeverisë i takon përgjegjësia që të adresojë sa më parë problemin në formë institucionale. Digat duhet të jenë aty, ani se shiu mund të mos bjerë kurrë furishëm!

Leave a Reply

%d bloggers like this: