Ekonomia

Dita Botërore e Turizmit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

Me rastin e 27 shtatorit, Ditës Botërore të Turizmit, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë mbajtur aktivitete të ndryshme, ku në fokus ka qenë promovimi dhe mbështetja për këtë sektor.

Shqipëri, konkurs për promovimin e turizmit

Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit u mbajt në Tiranë ceremonia e shpalljes së fituesve dhe ndarjes së çmimeve për fituesit e edicionit të dytë të “konkursit të turizmit”, të zhvilluar në portalin qeveritar E-Albania. Kjo ceremoni u hap nga drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, e cila dha detaje për projektin në fjalë dhe mënyrën e përzgjedhjes së fituesve. Ajo ka vënë në dukje se në aplikimet e shumta janë dërguar fotografi të ndryshme nga zonat më të bukura të Shqipërisë turistike. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm Ardit Çollaku. Në një njoftim nga Agjencia Kombetare e Turizmit e Republikës së Shqiëprisë theksohet se Çollaku në këtë aktivitet mbajti një fjalë të shkurtër rreth turizmit në vend, duke u ndalur tek prioritetet dhe vëmendja e institucioneve shtetërore për këtë sektor. Sipas tij kujdesi i treguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është në kuadër të zhvillimit të investimeve dhe rritjes së promovimit jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Çollaku gjithashtu vlerësoi rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për promovimin e potencialeve turistike në Shqipëri si dhe falënderoi të gjithë aplikantët duke i ftuar që tu bashkohen iniciativave të tilla për të ndihmuar, sipas tij, promovimin e turizmit.

Kosovë, tryezë diskutimi rreth zhvillimit dhe promovimit të turizmit

Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë sot organizoi një tryezë të rrumbullakët, ku u diskutua rreth zhvillimit dhe promovimit të turizmit në vend. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e zhvillimit të turizmit, duke u vënë në dukje se kjo ndikon edhe në përmirësimin e ekonomisë në vend. Gjithashtu në takim u theksua se Kosova duhet ta promovojë edhe më shumë turizmin në vendet rajonale dhe në ato ndërkombëtare. Gjatë takimit, këshilltari politik dhe shefi i kabinetit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Krasniqi u shpreh se po punojnë për zhvillimin e turizmit në Kosovë me synim të ngritjes së ekonomisë përmes turizmit dhe të anëtarësimit të Kosovës në harta ndërkombëtare. Kurse Remzi Ahmeti nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA u shpreh se gjate vitit 2015 me qellim te promovimit te potencialeve të turizmit në Kosovë nga KIESA janë zhvilluar aktivitete të shumta si konferenca, mbledhje e panaire, si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera si në Paris, Ohër dhe Berlin. Ai shtoi se deri ne fund të vitit do të mbahet edhe një panair në Izmir të Turqisë.

Në Maqedoni ndahen mirënjohjet për më të suksesshmit

Ministria e Ekonomisë sot në Shkup ndau mirënjohje për agjencitë më të suksesshme turistike, hotelieritë, manifestimet turistike dhe plazhet më mirë të rregulluara që shënuan vitin 2016. Këshilltari shtetëror për ekonomi, Shovket Hazari theksoi se logoja e këtij viti e organizatës turistike botërore pranë OKB-së është “Turizëm për të gjithë”, duke shtuar se çdo vit sipas traditës në këtë ditë u ndahen mirënjohje më të suksesshmëve, konkretisht të gjithë aktorëve që kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejt në turizëm. “Turizmi është një degë shumë e ndjeshme dhe për këtë shkak nevojitet veprim më agresiv si në politikat qeveritare, ashtu edhe mbështetja për fakultetet, hotelierët, agjencitë turistike dhe restorantet. Turizmi është një nga degët më të rëndësishme të çdo shteti dhe me të gjithë ato politika që i kemi pasur si Qeveri gjatë dhjetë viteve të fundit, ndjehet edhe rritja e turizmit”, theksoi Hazari. Sipas tij, Maqedonia sot me të gjitha masat e ndërmarra gjatë dhjetë viteve të fundit, u bë destinacion i njohur turistik. Ai ka shtuar se Maqedonia u bë konkurrente si në rajon ashtu edhe në botë. Nga sektori privat theksojnë se ky lloj i manifestimit është një nxitje e madhe për të gjithë ata që punojnë në sferën e turizmit. Nga ky sektor thonë se për të forcuar bashkëpunimin mes sektorit privat dhe institucioneve relevante nevojitet që të punohet në parandalimin e konkurrencës jo të ndershme, mbështetje gjatë prezantimit si dhe marketing më të madh jashtë vendit dhe targetimi i atyre vendeve që mund të sjellin turistë në Maqedoni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button