Opinion

Roli i Ramës dhe roli i palaços

Nga Armand SHKULLAKU

Edi Rama nuk mund të shpjegohet, gjykohet, vlerësohet, kritikohet apo mbështetet, sepse ai nuk është Edi Rama. Është dikush që përpiqet të bëjë sikur po bën rolin e kryeministrit.

Muç Nano, i cili e ka depozituar tashmë në arkivën e historisë politike togfjalëshin e famshëm të “aleancës së qelbësirave”, ka qëlluar përsëri në shenjë. Ai e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama, një palaço politik, pas paturpësisë së këtij të fundit për të miratuar të njëjtin ligj, për rrëzimin e të cilit, ishte përbetuar dhe kishte vepruar tri vite më parë.

Termi palaço, ndoshta është më i godituri për të definuar një politikan, i cili jo thjesht nuk mban premtimet, jo vetëm gënjen e manipulon, jo vetëm shkatërron arsyen humane me argumente qesharake për të justifikuar abuzimin dhe korrupsionin, por që nuk ka një thelb të vetin, një bosht, një filozofi ku beson, një parim që respekton, një linjë që ndjek. Kryeministri, ashtu si edhe personazhi i palaços, ka njëqind fytyra, luan njëqind role, bën njëqind skena, pa qenë asnjëherë vetvetja.  E për rrjedhojë, edhe ata që janë të detyruar të ndjekin (për të mbështetur apo kritikuar) politikat e tij, po e kanë gjithnjë e më shumë një mision të pamundur. Në cirkun e kryeministrit, gjykimi nuk ka më asnjë vlerë.

Ligji i plehrave ishte një kulm i këtij palaçollëku, që provokoi edhe reagimin e fortë të Muç Nanos e shumë të tjerëve. Sepse Rama, me dendësinë e manipulimeve të tij, nuk zhvlerëson vetëm kritikën, por heq çdo mundësi mbështetjeje, të paktën për një prej politikave të tij. Nëse e mbështet për një gjë sot, nesër mbetesh si gallof kur sheh të ndodhë e kundërta. Sepse politikat e kryeministrit nuk i drejton një program i caktuar, por interesat e lëvizshme të atyre që e komandojnë atë. Për këtë arsye Fatos Lubonja e ka quajtur maskë, për këtë arsye Muç Nano e konsideron palaço politik.

Si mund të ketë vlerë, për shembull, të vlerësosh një kryeministër të majtë, që vjen në pushtet duke ulëritur kundër koncesioneve dhe, jo vetëm i lejon ato, por bën kërdinë duke u dhënë qindra milion euro, në emër të partneritetit publiko-privat, një eufemizëm ky i rilindjes për koncesionet, rrethit të njerëzve të tij për shërbime fantazmë.

A ka kuptim të mbështesësh idetë e një lideri për shëndetësi falas dhe reformë të sistemit shëndetësor, kur sapo vjen në pushtet nënshkruan mbi gjysmë miliardë euro për sterilizime e check up, ndërsa ndodhin vdekje në spitale për shkak të mungesave elementare.

Mund të entuziazmohesh me Lazaratin, por menjëherë të bien si kovë me akull nga qielli avionët e drogës, të cilët transportojnë kanabisin mbarëpopullor me bekim policor.

I ngriti peshë disa shembja e pallatit të Lul Bashës, por ka kohë që kanë ulur kokën para pallateve e betonizimit që po lulëzojnë nga veriu në jug.

Lista mund të jetë e gjatë, për të mbërritur deri tek akti i fundit, ai miratimit të ligjit për importin e mbetjeve. Këtu, përfundimisht, bëhet e pamundur jo ta mbështesësh, por edhe ta gjykosh apo kritikosh. Këtu, argumenti dhe vlerësimi, bëhen zero. Edi Rama vërtet të lë pa tekst. Çfarë mund t’i thuash më parë? Që pse bëri fushatë me ambientalistët dhe kërkoi referendum 5 vjet më parë? Pse ishte me Adrian Klosin 12 vjet më parë? Pse e rrëzoi ligjin e Berishës tri vite më parë? Të kuptosh pse bën fushatë, takime me grupe interesi, ballafaqime në facebook, shpjegime në tv, kur ligji ka kaluar dhe nuk i bën përpara se ta votojë? Apo t’i japësh shpjegim se si i njëjti Edi Ramë që 50 ditë më parë e kundërshtonte këtë projektligj, si pa leverdi ekonomike të garantuar dhe me rrezik shndërrimin e vendit në depo plehrash, tani e quan progres dhe e krahason importin e mbetjeve me atë të grurit për bukë?

Edi Rama nuk mund të shpjegohet, gjykohet, vlerësohet, kritikohet apo mbështetet, sepse ai nuk është Edi Rama. Është dikush që përpiqet të bëjë sikur po bën rolin e kryeministrit. Është një personazh që luan një personazh tjetër, që nuk ka identitet të tijin, pra një palaço. Me të mund të argëtohesh, të hutohesh, të provokohesh, por është e kotë të investosh gjykimin dhe arsyen. Ai është i aftë të t’i zhvlerësojë ato çdo ditë. për sa kohë nuk ka një mision të vetin, një bindje, një program, një parim. Të cilat edhe mund të mos i arrijë për arsye të ndryshme, por te të cilat do të besonte. Te besimi i dikujt mund të investosh mbështetjen apo kritikën, por Edi Rama nuk ka një identitet politik të vetin. Ndoshta jo vetëm.

Shfaqjet e tij për mbi katër orë në ditë live nëpër ekrane, fotot dhe komentet në rrjete sociale, “gallatat” në ndarjet e tapive, batutat me gratë e botës, ekspozitat artistike në moshë të thyer, xhirot në bllok me pantallona të shkurtra, kravatat me lule e lulet në qendrat e qyteteve, janë cirku ku kryeministri luan çdo ditë. Por ku fatkeqësisht, edhe ne, jemi të detyruar të marrim një biletë.

Related Articles

Nje koment

  1. GJERAT DO PARE NE APESIRE DHE NE KOHE. nE KA PALACO DHE MASKARA ME TE MADH NE VENDIN TONE , JINI JU, QE QELLIMISHTE, JO VETEM QE SBENI DALLIMIN MIDISE DY LIGJEVE, PORE ME DASHKEQESI DHE PATURPESI, KRIJONI UREJTJE, PER TA KUNDERSHTUARE KETE LIGJ. GJITHE BOTA E QYTETAERUAR DHE DEMOKRATIKE KA NGRITUR NJE INDUSTRI TE KETILLE DHE ZHVILLOHET E PERPARON. pO JU THUHET SHQIPE, ME TE MADHE, SE NE SHQIPERI, ESHTE CFUQIZUAR LIGJI DHE SFUNKSJONON IMPORTI I PLERAVE. NE KUSHTET E SOTME, KY LIGJ E THEKSON ME TE MADHE, SE DOTE IMPORTOHEN KATER ARTIKUJ TE RICIKLUSHEM, VETEM NE TRI DOGANA DHE NEN KONTROLL BASHKEKOHOR, DHE NENN VEZHGIM EDHE TE SHOQERISE CIVILE. KA ME SHQIPE DHE ME KJARTE ORE MISTREC I FELLIQUR.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button