Teknologji

Edhe flokët në 3D

L’Oreal është një ndër kompanitë më të njohura në fushën e kozmetikës dhe të paktë janë ata që në të paktën një rast nuk kanë konsumuar një produkt të saj.

Por duket se kompania franceze kërkon të revolucionarizojë këtë sektor dhe me ndihmën e teknologjisë po investohet fort në realizimin e një pajisjeje që do të jetë në gjendje që të printojë flokë natyralë.

Duket e pabesueshme, por hapi i parë konkret është ndërmarrë tashmë. L’Oreal ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Poietis, e famshme për ndërtimin e një printeri me lazer që dyfishon ‘objektet’ me bazë qelizore.

L’Oreal thotë se kjo teknikë nuk është përshtatur ende për flokët dhe që kjo të realizohet do të duhen të paktën edhe tri vite.

“Nëse arrijmë që të bio-printojmë një qime floku, atëherë do të mund të mësojmë shumë më shumë mbi misteret e rritjes dhe të rënies së flokëve”, tha për BBC, Jose Cotovio, kreu i Qendrës Kërkimore të kompanisë franceze.

L’Oreal shpreson që me anë të kësaj teknike të ofrojë mbjellje dhe riparim të flokëve me kosto më të ulët dhe me cilësi më të lartë.

Kjo nuk është hera e parë që kompania ndërthuret me teknologjinë për të ofruar një produkt apo shërbim. Ajo përdor prej muajsh tashmë lëkurë të printuar në 3D për çështje kërkimore, ku teston produktet e veta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button