Opinion

Përse shqiptarëve nuk iu intereson ekonomia?

Nga Ilir Yzeiri

ilitr-yzeiri-1-200x300Veçanërisht muaji gusht shfaqi një nga tiparet thelbësore të mentalitetit të shqiptarit, atë që në ligjërimin filozofik quhet përmasa etike. Shqiptarët kanë gjetur një vend ku identifikohen thuajse të gjithë. Kjo është media dhe forumet e ndryshme sociale. Nëse një i huaj do të vinte në Shqipëri dhe do të niste të bënte një listë me natyrën e shqetësimeve, problemeve apo prirjeve që ka shoqëria shqiptare e shekullit XXI, do të vërente se kjo është një shoqëri me prirje të thellë etike. Shqiptarëve nuk iu intereson ekonomia, në kuptimin se nuk duan t’ia dinë se sa taksa paguajnë, çfarë taksash paguajnë, ku do të punësohen, se cili është raporti i tyre me paratë publike, nuk duan t’ia dinë nëse qeverisja e radhës ka ndonjë detyrim për të përmirësuar jetën e tyre kolektive apo individuale. Në mediat, që siç thuhet zakonisht, janë vitrina ku reflektohen shqetësimet e një komuniteti të caktuar, këto lloj problemesh nuk i gjen dot.

Kur miqtë heshtin

Gazetari Baton Haxhiu e rimori edhe një herë temën e skandalit të Bankës së Shqipërisë dhe shkroi me këtë rast epilogun e narrativës që kishte si personazh Guvernatorin Fullani (shih gazeta “Panorama”, e shtunë, 23 gusht 2014). Ai, me këtë koment, shenjoi kështu tharmin e ligjërimit publik në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ky tharm është tharmi etik. Në Shqipëri, gjithçka, përveç të tjerash, duhet shpjeguar ose gjykuar edhe si raport mes virtytit të fisit dhe pjesëtarëve të klanit. Nocione të tilla si miqësia, vëllami, pirja e gjakut, besa, nocione që vijnë nga brenda komunitetit, janë kritere që përcaktojnë vlerën etike të një shoqërie që nuk funksionon në bazë të pragmatikës shoqërore, por në bazë të etikës orientale. Edhe Guvernatori Fullani, për një çast, u vështrua si një pjesëtar i një klani, i një vëllazërie që nuk duhej gjykuar për atë që kishte shkaktuar për veprimin ose mosveprimin e tij, por për raportin që ai ka me vëllazërinë që përfaqëson, me klanin ku bën pjesë, me miqtë e të njëjtit ideal. Vjedhja e parave në Bankën që ai drejton nuk është vepër penale që dëmton komunitetin apo bashkësinë, por është një gabim që ka bërë një prej miqve të klanit apo të vëllazërisë. Për shqiptarin kode të tilla etike janë më të çmuara se Kodi Civil apo Kodi Penal. Ndaj, në shoqërinë shqiptare nuk dënohen kurrë krerët e fiseve apo të klaneve. Ashtu si në shoqëritë orientale që qeverisen me sheriat, edhe këtu, në Shqipëri, ligji godet me gurë dhe vret ata që nuk janë pjesë e klanit apo e vëllazërisë, godet atë që shkel ligjin që mbrohet nga vëllazëria e paprekshme.

Opozita drejt asgjësimit politik

Kulmin e këtij mentaliteti e mishëron opozita shqiptare. Që prej ditës që PD-ja është larguar nga qeverisja e vendit, ajo vepron si një klan apo vëllazëri myslimane dhe gjithë betejën e saj politike e ka përqendruar në problematikat etike. Nuk mbeti deputet nga kjo forcë politike që nuk dilte e recitonte një tekst që ngjante me kanone fetare kundër një deputeti të PS-së me emrin Arben Ndoka. Dhe gjithë përmbajtja e atyre deklaratave ishte se ai deputet, meqenëse ishte dënuar në të kaluarën dhe pasi PD-ja e kishte pasur drejtues në të gjitha nivelet e larta, tani që edhe PS-ja e ka bërë deputet, ai po kriminalizon Kuvendin. Kjo retorikë e shpëlarë që mbështetet në retorikën islamike të sheriatit u bë një shfaqje e pështirë dhe vijon ende. Opinioni publik nuk ka të bëjë fare me këtë ngjarje sepse ajo është çështje e drejtësisë apo e komisioneve parlamentare. Në shoqëritë demokratike, çështjet e prokurorisë apo të institucioneve të tjera nuk janë çështje të mediatizimit vulgar. Mirëpo PD-ja e koncepton veten si një vëllazëri me frymëzim fetar që ka një kult të caktuar. Ky kult është shkatërrimi i vëllazërisë tjetër ashtu siç bëjnë fiset në Lindjen Orientale. Frymëzim i PD-së nuk është mirëqenia publike, nuk është fati i komunitetit shqiptar, por asgjësimi i vëllazërisë kundërshtare me anë të ligjërimit luftarak dhe luftës mediatike duke nxjerrë në reliev fjalët krim, prostitucion, vdekje, shkatërrim dhe gjithçka që përmban fjalori i luftës fetare. Në taktikën e kësaj vëllazërie fetare ekziston vetëm një model – lufta. Për çdo aksion të saj ka një thirrje që nis me shoferët e furgonëve dhe mbaron me studentët e universiteteve të mbyllura. Ashtu si liderët fetarë që u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre që të ngrihen kundër të pafeve, po ashtu dhe PD-ja gjithmonë bën thirrje për t’u ngritur që ta rrëzojë vëllazërinë tjetër.

Mbi Liqerin pa kufij

Kështu e nis Lazgushi poezinë e tij “Poradeci”, ndërsa unë, në këtë rast, kam parasysh Liqenin Artificial të Tiranës dhe ridaljen përsëri në skenë të aferës së ndërtimit të shumëkatësheve në atë vend. Edhe në këtë rast, opinioni më shumë po dërrmohet me anën etike të problemit sesa me vetë problemin. Andi Bushati e kishte investiguar qartë këtë aferë në një koment të para disa ditëve (shih “Tema” on-line, 22 gusht 2014), por ajo që të mbetej në mendje ishte më shumë ana etike e problemit, pra që edhe Edi Rama edhe Sali Berisha janë njësoj fajtorë për betonizimin e asaj zone. Lulzim Basha po ashtu nuk është gjë tjetër vetëm se një pasues i klanit të politikanëve të korruptuar të këtij vendi. Personalisht do të doja të dija diçka tjetër dhe konkretisht doja të dija që çfarë do të bëhet me atë zonë? Cili është plani i zhvillimit urbanistik të saj, çfarë do të bëhet aty? Në Shqipëri gjithçka që bëhet nga cilado qeveri paragjykohet. Edi Rama, megjithëse e transformoi Tiranën, akuzohet se e betonizoi atë. Unë nuk di një projekt që të jetë realizuar dhe ne të jemi krenarë me të. Gjithçka që ndodh në këtë vend, nga cilado qeveri, është e paragjykuar, sepse në kulturën tonë është përmasa etike e sheriatit që na ndalon ta brohorasim punën e tjetrit, të atij që është në anën tjetër, i kundërt me ne. Po unë do të doja të dija edhe diçka tjetër.

Ku janë grupimi “Iniciativa për Tiranën”

Po ta mbani mend, kur Lulzim Basha po bënte fushatë që të zgjidhej kryetar bashkie, në krah të tij u reshtua edhe një grup intelektualësh të cilët e shpallën veten mbrojtës të vlerave të Tiranës. Ata edhe grupimin e tyre e quajtën “Iniciativa për Tiranën”. Në atë grupim bënin pjesë intelektualë të spikatur të vendit. Sa për t’ia rikujtuar publikut, po i përmend emrat e tyre. Ata janë Adrian Civici, Aleks Luarasi, Ali Oseku, Alush Shima, Besnik Aliaj, Bujar Kapexhiu, Dhori Kule, Edmond Leka, Elsa Ballauri, Enver Faja, Gazmend Haxhia, Jera Kruja, Kujtim Çashku, Margarita Xhepa, Mentor Petrela, Nevila Xhindi, Pëllumb Vorpsi, Petraq Papajorgji, Rajmonda Duka, Romeo Hanxhari, Sokol Nako, Sotiraq Hroni, Zef Preçi, Zhani Ciko, Kozeta Sevrani, Valentina Duka, Nevila Nika, Agim Nesho, Grida Duma. Siç shihet, në këtë listë gjenden edhe emra intelektualësh të spikatur që kanë lënë gjurmë në profesionet e tyre. Këta zotërinj u rreshtuan në anë të Lulzim Bashës, sepse, mesa duket, i joshi slogani i Lulzim Bashës që thoshte se betonizimit do t’i përgjigjem me gjelbërim. Jo vetëm unë, por edhe publiku do të dijë nga këta zotërinj të nderuar që janë edhe grupimi më efikas për ta ruajtur Tiranën, sepse janë “Iniciativa për Tiranën”, pra dua t’i pyes, a duhen ndërtuar shumëkatëshet te Liqeni siç do të bëjë Luli? Natyrisht, mendimi i tyre nuk është vendimtar, por ai ndihmon shumë për të vendosur drejtpeshimin në këtë vend mes klaneve dhe shoqërisë moderne, ai ndihmon shumë për të treguar se në këtë vend intelektualët nuk mund të mblidhen si një turmë pa identitet. Nëse ata e dinin që Luli do ta betonizonte Liqenin, atëherë argumenti i tyre se po/jo, ia vlen të ndërtohen shumëkatëshet te Liqeni do ta zbuste klimën e sherreve etike në këtë vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button