Home / Opinion / Mendësi skandaloze për punësimin

Mendësi skandaloze për punësimin

Nga Elton Ilirjani

workNë Sarandë një pedofil të kërkon fëmijën për një vend pune. Në Spitalet e Tiranës bëhen konkurse fiktive për vende pune të paracaktuara, në administratë hyn në punë nga zyra e partisë, ndërsa zyrat e punës shtetërore tregojnë se ka vende pune të lira. Po përse Elvira nuk shkoi te zyra e punës, por te zyra e deputetit? E gjitha kjo ndodh, sepse në këtë vend është shkatërruar tërësisht sistemi i vlerësimit sipas aftësive për punë me të tjera kritere.

Sipas studimit të kryer para disa muajsh në rajonin e Ballkanit, të rinjtë ballkanas u përgjigjën duke konfirmuar favoret seksuale të kërkuara në këmbim të një vendi pune dhe vendet kryesore që drejtonin këtë listë ishin Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina. Në këtë studim për habinë tonë Shqipëria ishte edhe më keq se Kosova apo Bosnja, dhe shifrat ishin vërtet alarmante. Gjatë prezantimit në muajin prill 2014 të këtij studimi në Prishtinë, ne u përballëm edhe me hezitimin e gazetarëve dhe grupeve të interesit, pasi ata pretendonin që shifra ishte joreale dhe e lartë. Unë kisha një besim të palëkundur që rezultatet ishin reale dhe se të rinjtë shqiptarë po rrëfenin të vërtetën, pasi e lidhja këtë edhe me punën time të përditshme në fushën e rekrutimeve. Të rinjtë tanë gjatë intervistave ankohen vazhdimisht për abuzime me procesin e intervistimit dhe sidomos kur bëhet fjalë për institucione publike apo administratë shtetërore (qendrore apo lokale). Para se të fillojë analizën, do doja të shtoja që kjo është një situatë e mbartur disavjeçare dhe një mendësi mesjetare e shoqërisë sonë, nuk është aspak dhe nuk duhet konsideruar asnjëherë politike, pasi nëse do të trajtohet në këtë mënyrë nuk do të mund të gjejmë kurrë zgjidhje të këtij problemi. Është mendësi e shoqërisë sonë që është e prapambetur dhe problematike, dhe ndonjëherë si në rastin e skandalit të Sarandës, kthehet në kriminale duke kaluar në terrene pedofilie dhe perversiteti. Në botën e rekrutimit dhe punësimit nuk do duhet kurrsesi të përfshihen persona me precedentë penalë, perversë, përfitues apo të përfshirë në politikë, pasi në këtë mënyrë abuziviteti do të ketë terren edhe më të përshtatshëm për t’u rritur dhe për të sjellë situata si skandali i Sarandës, që këto ditë po zhurmon edhe politikën dhe po keqpërdoret nga të gjitha palët e përfshira në debat.

Me çështjen e punësimit nuk duhet të ketë keqpërdorime, qoftë edhe në koncept, gjatë fushatave politike, pasi është një çështje shumë e rëndësishme dhe që hap shumë plagë në shoqëri nëse nuk adresohet si duhet. Aq më tepër që ndikon negativisht në besimin që kanë të rinjtë te puna dhe te hierarkia në përgjithësi. Prandaj edhe të rinjtë tanë kanë filluar të karakterizohen nga një vaktësi dhe moskokëçarje për sa i përket vendit të punës dhe punës në përgjithësi. Ata janë indiferentë në krahasim me më të mëdhenjtë në moshë, madje mund të thuhet me plot gojën që një 40-vjeçar është edhe më i motivuar që të punojë seriozisht dhe me përkushtim në krahasim me një 22-vjeçar në vendin tonë.

Po kthehemi shumë vite pas në histori në momentet kur femrat nuk punësoheshin dhe nuk arsimoheshin, pasi ekzistonte frika se mund të abuzoheshin seksualisht, dhe kjo sidomos në zonat rurale, dhe madje kjo vazhdon të jetë shumë serioze në Kosovë ku në zonat rurale femrat përjashtohen nga procesi i karrierës që në fillimet më të hershme, vetëm dhe vetëm se ato janë femra dhe ato mund të abuzohen. Është e tmerrshme, por e vërtetë dhe më jep një shije shumë të hidhur. Nuk mund të fajësohet gjithmonë dhe vetëm politika në këtë çështje, pasi është një mendësi e jona në përgjithësi. Nuk mendoj dhe nuk besoj që kjo është në dorën e Kryeministrit, kryetarit të opozitës, ish-kryeministrit, ministrit apo kujtdo tjetër me pushtet, por është në dorën tonë, që duhet të fillojmë të ndajmë çfarë është abuzuese dhe çfarë nuk është, çfarë është e lejueshme dhe çfarë jo, apo më keq akoma, çfarë duhet të plotësojë dikush për një vend pune dhe çfarë jo.

Skandali i Sarandës, i quajtur kështu ditëve të fundit, nuk është thjesht një skandal, por është një krim i rëndë që do duhet të dënohet me forcën më të madhe të ligjit, pasi kalon çdo cak të imagjinatës normale, kalon në territoret e pedofilisë, krimit më të rëndë të shoqërisë njerëzore. Po si ka mundësi që këto shprehje kriminale të arrijnë deri në nivelet e punësimit? Mendoj që nuk është këtu problemi, sesa është te mentaliteti ynë i vjetruar, që nuk u drejtohemi për punësim institucioneve apo personave të veshur me këtë kompetencë ligjore, por shkojmë te zyra e deputetit të rajonit apo qytetit, sepse ende mendojmë që aty është mundësia më e madhe për të pasur një vend pune. Pra shkojmë vetë tek abuzuesi, apo mundësia për t’u abuzuar, pasi këta persona që mund të jenë të punësuar në këto zyra nuk kanë aspak kulturën e rekrutuesit profesionist dhe duke qenë të tillë e shohin punësimin si një favor që po i bëjnë të interesuarit. Favor e quajnë edhe aplikuesit, prindërit e tyre apo të afërmit e tyre. Përse nuk konsiderohet edhe ky si një problem shumë i madh dhe që sjell edhe problemet e tjera? Unë mendoj që këtu fillon ky problem kaq i madh për ne. Fillon me punëkërkuesin dhe aplikuesin, pasi ata nuk mendojnë që do duhet të bëjnë më të mirën e mundshme që profesionalisht të jenë në lartësinë e vendit të punës dhe të mos varen nga dëshirat apo kërkesat momentale të “rekrutuesve” të zyrave të deputetëve.

Mendoj që para se të flasim për shifra apo zyra të hapura, apo politika në industri të veçanta duhet të punojmë më shumë në mentalitetin dhe “pastrimin” e personave që merren me punësimin, pasi është njësoj “si t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”. Pra në fushën e punësimit do duhet të afrohen persona me integritet, që nuk abuzojnë duke kërkuar favore monetare, favore politike, votën në këmbim të punës dhe aq më keq favore të tjera si ato seksuale. Skandali është jashtë çdo mendimi dhe jashtë një analize normale për politikat e punësimit, dhe nuk është se po bëj avokatin e dikujt apo në përgjithësi të çështjes, por mirë do ishte që çështja të trajtohej me seriozitet dhe profesionalizëm.

Përveç dhimbjes që ndiej për këtë problematikë dhe këtë skandal të fundit, më vjen shumë keq kur dëgjoj dhe lexoj që çështja kthehet politike dhe politika e të dy krahëve nuk është aspak profesionale që të qëndrojë në lartësinë e duhur, por humbet gjirizeve të mentalitetit tonë të sëmurë. Gjatë këtyre ditëve më ka ardhur vërtet shumë turp që jam në këtë fushë, pasi më duket sikur është njollosur keqazi dhe sikur problemi do kohë të shërohet.

Por të paktën kam kuptuar diçka: që aplikuesit duhet të kenë më tepër respekt për punën dhe veten e tyre, të kërkosh një vend pune nuk do të thotë të shesësh trupin apo dinjitetin, aspak, të kërkosh një vend pune duhet të jesh në lartësinë e atij pozicioni pune dhe të jesh i motivuar mjaftueshëm për ta kryer atë punë si duhet. Në rast se të mungon njëra prej këtyre cilësive apo kritereve, atëherë edhe pse ke shitur çdo gjë të mundshme, do dështosh në atë punë dhe do jesh sërish së shpejti i/e papunë dhe do fillosh të ankohesh për abuzuesit… të hidhesh nga kati i tretë i një godine, e pakta që mund të të ndodhë është që mund të thyesh ndonjë gjymtyrë…

Leave a Reply

%d bloggers like this: