Home / Ekonomia / INSTAT: 57 % e volumit të eksporteve shqiptare me BE-në, drejt Italisë

INSTAT: 57 % e volumit të eksporteve shqiptare me BE-në, drejt Italisë

Në muajin gusht 2016 eksportet drejt Italisë u ulën me rreth 11 %, në krahasim me muajin korrik, por gjithsesi ato zunë 57.1 % të totalit të eksporteve shqiptare drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërsa importet u rritën me 5.6% . Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Italia mbetet partneri kryesor tregtar duke zënë 28.6 % të volumit të shkëmbimeve. Gjatë periudhës janar- gusht, drejt Italisë janë eksportuar 87,101 milionë lekë mallra, ndërsa janë importuar 110,652 milionë lekë mallra.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë eksportuar drejt Italisë 80.124 milionë lekë mallra, dhe janë importuar 105,933 milionë lekë mallra. Në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi “tekstile dhe këpucë”. Eksporti i kësaj kategorie arriti për periudhën janar-gusht vlerën e 56,466 milionë lekëve. Ndërsa eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” në tetëmujorin e këtij viti shënuan vlerën e 8.062 milionë lekëve.

Në vlerën e lartë të mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “tekstile dhe këpucë”. Importi i kësaj kategorie arriti për periudhën tetëmujore, janar-qershor vlerën e 25.932 milionë lekëve.

Ndërsa grupi i dytë me peshë në totalin e importeve për periudhën tetëmujore ishte grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por dhe italianë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 21.286 milionë lekëve. Ndërsa importet nga grupi ‘minerale dhe lëndë djegëse dhe energji elektrike” arritën në vlerën 13,425 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.