Home / Ekonomia / Depozitat rriten me 15 mld lekë në gusht

Depozitat rriten me 15 mld lekë në gusht

Statistikat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, nga 979.9 miliardë lekë që ishin në korrik, një muaj më pas, depozitat e shqiptarëve në banka kërcyen në 995 miliardë lekë. Rritja e depozitave në gusht është më e madhe edhe sesa rritja e të gjithë vitit, nga korriku 2015 deri në korrikun e këtij viti.

Të dhënat tregojnë se, e gjithë shtesa ka ardhur nga depozitat në valutë, ndërsa kursimet në lekë kanë pësuar një rënie të lehtë.

Muaji gusht përkon me kthimin e emigrantëve për pushime, por edhe kulmin e sezonit turistik. Zgjerimi i ndjeshëm i kursimeve në valutë gjatë këtij muaji sinjalizon rritje të dërgesave nga shqiptarët që punojnë jashtë, por në të njëtën kohë edhe një fluks më të lartë të ardhurash që kanë hyrë nga sektori i turizmit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në Janar-Gusht të këtij viti numri i turistëve ishte 19.7 për qind më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga ana tjetër, rritja e dërgesave, sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, mund të jetë e lidhur me gjallërimin e aktivitetit ekonomik në Eurozonë.

Vitet e fundit rritja e depozitave ka qenë e ulët, duke pasqyruar ngadalësimin e krijimit të parasë në ekonomi, por edhe zhvendosjen e kursimeve drejt formave të tjera, si obligacionet apo bonot e thesarit.

Por sërish bankat shqiptare vazhdojnë të kenë raportin më të lartë të depozitave mbi kreditë. Sipas Bankës Botërore, në çdo 100 lekë depozita, bankat shqiptare kanë shpërndarë si kredi vetëm 50 lekë, kur mesatarja e rajonit tregon se depozitat përdoren të gjitha për kreditim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.