Politika

Rama me krerët e policisë: Shkrihet INUK, kalon në varësi të Ministrisë së Brendshme

rama3-320x241Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot gjatë një takimi të zhvilluar me krerët e policisë së shtetit se brenda 30 ditësh Inspektorati Kombëtar Urbanistik (INUK) do të shkrihet dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Sipas Ramës, kjo do të thotë se policia e shtetit tashmë do të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me angazhimin në luftën ndaj krimit mjedisor, duke u përqendruar veçanërisht tek lufta ndaj ndërtimeve pa leje, gjë që deri më tani ishte kompetencë e INUK.

“INUK do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe burimet do të transformohen nga burime njerëzore të pamjaftueshme për të përballur këto sfida, në burime njerëzore që do të merren në funksion të zbulimit, arrestimit dhe dënimit të çdo krimineli që ndërton pa leje dhe pa autorizimin e shtetit. Nga INUK do të kthehet ne Inspektorat për Mbrojtjen e Mjedisit. Kemi ndryshuar strukturën administrative të vendit deri më tani, duke shmangur qindra struktura të korruptuara në të gjithë territorin e vendit, të cilët nuk kishin as njerëz dhe as burime për të plotësuar kërkesat e komunitetit, duke krijuar vetëm 61 njësi të reja administrative. Së dyti kemi kaluar në fazën përfundimtare të zgjidhjes së legalizimeve për dhjetëra mijëra familje që presin në listën e gjatë të legalizimit të ndërtimeve të tyre. Së treti kemi çliruar territorin nga vendndodhjet e plehrave në të gjitha akset rrugore, si vendndodhje të pacertifikuara dhe të imponuara prej vitesh të tëra, dhe për rigjenerimin e hapësirave publike, të gjelbra. Dhe së katërti kemi një program investimesh strategjike për rigjenerimin urban që do të jetësohet hap pas hapi në muajt në vijim. Por, ky do të jetë një aksion shumëplanësh, për të çliruar një kapital miliarda dollarësh, i cili konsiderohet i vdekur dhe i paqarkullueshëm, sepse kemi një hapësirë informaliteti totale. Dëmi që është bërë deri më sot këtij vendi është i pallogaritshëm, përfshi këtu edhe zinxhirin me tela me gjemba përgjatë gjithë bregdetit, ndaj qeveria ka vendosur që të luftojë me vendosmëri nga vija e dytë e këtij procesi, ndërsa në vijën e parë do të jetë policia e shtetit, që do të dëgjojë të gjitha ankesat e njerëzve në terren, për të vepruar në vendngjarje njësoj siç ndodh kur ka një aksident, një vrasje, një rënie zjarri apo çfarëdo tjetër”, u shpreh Rama.

Ndërkohë në fjalën e tij, kreu i policisë së shtetit Artan Didi gatishmërinë e institucionit që përfaqëson për të mbrojtur çdo metër katror të vendit, sepse bregu dhe toka janë pronë e shqiptarëve e jo e pushtuesve.
Sipas Artan Didit, një lukuni e papërmbajtur ka shkatërruar cdo gjë të mundshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshi shtretërit e lumenjve, prerjen e pyjeve dhe dëmtimin e infrastrukturës me ndërtime të tëra pa leje.

Ndërsa ministri Tahiri, në fjalën e tij ka folur fillimisht për aksionin antikanabis që policia ka ndërmarrë në zonën e Dukagjinit, duke u dhënë mbështetje atyre që ndodhen në terren për të luftuar pa kompromis krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike. Ministri Tahiri tha se nuk do ta ekzagjeronte nëse do të përmendte faktin që qeveria e sotme ka trashëguar një Shqipëri të mbjellë me drogë në çdo metër katror, ndërsa brenda vitit të parë është bërë e mundur nxjerrja e saj nga lista e zezë e kultivimit dhe trafikut të kanabis sativës.

Më pas ai iu rikthye çështjes kryesore për të cilën u zhvillua ky takim me inspektorë të rendit, ndërtimeve pa leje, duke theksuar se nga sot do të jetë detyrë e policisë së shtetit të punojë fort dhe me vendosmëri për të luftuar këtë krim ndaj territorit.

“Pas çdo ndërtimi të paligjshëm fshihej gjithnjë një funksionar publik, i cili ka mbyllur sytë dhe ka favorizuar ndërtimin e tij, e duke i dhënë mbështetje ndërtuesve. Por, kjo histori do të marrë fund. Falënderoj qytetarët që kanë kurajë të denoncojnë çdo krim që i bëhet mjedisit, dua të theksoj se këta qytetarë duhet të shohin te policia partnerin e tyre dhe ndihmën më të madhe për të kapur fajtorët dhe për t’i çuar përpara drejtësisë”, ka thënë ministri Tahiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button