Politika

Harta e re, Shoqata e Komunave: PD të jetë prezente në Parlament

Drejtori Ekzekutiv, Haxhimali kërkon rishikimin e ligjit dhe shtim të numrit të bashkive

NGA ARTEMISA HOXHA

shoqata-takimi-dhe-bashaShoqata e Komunave të Shqipërisë, organizëm ku grupohen vendorët e djathtë, i bëjnë thirrje PD-së që të jetë prezent gjatë shqyrtimit të dekretit të kreut të shtetit për ndarjen e re territoriale. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Komunave të Shqipërisë, Agron Haxhimali, në një prononcim për gazetën “Shqip”, bën publike kërkesën në adresë të PD-së, e cila tashmë duhet të negociojë që harta e re të kalojë me sa më shumë njësi vendore, jo me aq sa u votua më 31 korrik, me 61 bashki. “Po i kërkojmë Partisë Demokratike të shkojë në Parlament dhe të rishikojë ndryshimet për reformën administrativo-territoriale. Ne patjetër që jemi të variantit 80-100 njësi vendore. Paralelisht kërkojmë edhe një ligj më të mirë për njësitë e reja vendore, përfshirë këtu dhe ato ekzistuese të qarqeve”, shprehet Haxhimali. Apeli për reflektim i Haxhimalit, bëhet në momentin kur mazhoranca ka reaguar ashpër ndaj veprimit të kreut të shtetit, i cili e ktheu mbrapsht ligjin për ndarjen e re terrioriale administrative. Kjo shoqatë ka paraqitur një shkresë zyrtare në Parlament në muajin korrik, ku kërkon shtim të numrit të njësive të qeverisjes vendore. Një thirrje e tillë vjen pas qëndrimit të aleatëve të majtë në qeveri, LSI-së, ku vetëm pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili, i bëri thirrje opozitës për të përpiluar një variant të ri në lidhje me reformën dhe ta paraqesë atë në fillim të sesionit të ri parlamentar. Por ajo që i kërkon Shoqata e Komunave, Partisë Demokratike, është që të mos ndryshojë nga varianti i parë që ata kanë rënë dakord, atë të hartës së re territoriale me 80-100 njësi vendore, variant i ndryshëm ky me atë të miratuar nga shumica parlamentare me 61 njësi vendore. Vetë opozita e ka bojkotuar këtë reformë qoftë me pjesëmarrjen e saj në komisionin e posaçëm parlamentar apo dhe në diskutimin e votimin e saj në Parlament. Ky qëndrim i një prej shoqatave që ka mbështetur opozitën në variantin e saj vjen pas konsultimit të tyre dhe disa krerëve të komunave të drejtuar nga të djathtët në vend me kreun e shtetit, Bujar Nishani. Një ditë pas këtij takimi, kreu i shtetit nuk ngurroi që të dekretonte kthimin në Kuvend të reformës territoriale, duke iu bindur kështu edhe thirrjes së PD-së që të mos dekretonte ndarjen e re territoriale. Edhe pse reforma do të miratohet sërish në fillim të sesionit të ri parlamentar, ashtu siç ka paralajmëruar Kryeministri Rama për çdo dekret të kthyer nga Nishani, PD-ja ka paralajmëruar nga ana tjetër përfundimin e kësaj çështjeje në organin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligj të ri

Nga ana tjetër, Shoqata e Komunave të Shqipërisë kërkon nga institucioni ligjvënës në vend, që paralel me rishikimin e reformës të kthyer në Kuvend nga kreu i shtetit, të hartojë edhe një ligj të ri për njësitë e reja vendore. Sipas tyre, edhe ndarja ekzistuese për 12 qarqet në vend, ndarje e cila nuk ndryshoi nga reforma territoriale, të ketë një ligj më të mirë në saj të ndryshimeve të njësive më të vogla administrative. Nga ana e saj, shumica parlamentare pritet që të miratojë para zgjedhjeve vendore të 2015-s paketën që është duke përfunduar nga qeveria për decentralizimin fiskal. Edhe pse pak ditë na ndajnë nga fillimi i sesionit të ri parlamentar, sesion në të cilin do të votohet edhe një herë reforma territoriale pas kthimit nga ana e Presidentit, njëkohësisht do të votohet dhe kjo paketë e qeverisë për një vizion të ri të financave të qeverisjes vendore. Paketa e re do të përfshijë njëkohësisht edhe rishikimin e disa ligjeve që prekin pushtetin dhe kompetencat e njësive vendore.

Thirrja e LSI-së

Duke e konsideruar qëndrimin e Presidentit Nishani antikushtetues dhe të ndikuar politikisht nga Partia Demokratike në lidhje me mosdekretimin e reformës territoriale, aleatja e qeverisë së majtë, LSI-ja, i ka bërë thirrje opozitës që të shfrytëzojë kohën deri në fillimin e sesionit të ri parlamentar për t’u kthyer në Kuvend me një draft të ri për ndarjen e re në vend. Kjo thirrje ka ardhur nëpërmjet kreut të grupit parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili, i cili ka kërkuar nga opozita një variant të ri nga ana e saj dhe e fton atë ta diskutojnë në Parlament. “Në fund të gjithë kësaj çështjeje ka një mundësi, e cila paraqet një interes të veçantë, jo për mazhorancën, por për opozitën, e cila në ditët e ardhshme ka një kohë të bollshme që të përpilojë një qëndrim të ri, një variant konkret të saj dhe ta diskutojmë atë për gjëra konkrete”, deklaroi Vasili. Ndërkohë që edhe numri dy i LSI-së, Ylli Manjani, ka kritikuar vendimin e Presidentit Nishani, duke thënë se “me sjelljen e tij ai përfaqëson përçarjen dhe tregon që ka qenë dhe është anëtar i kryesisë së PD-së”. Por, ajo që mbetet ende pezull në koalicionin e majtë, është pikërisht fati i PBDNJ-së, e cila, pas miratimit të ndarjes së re në seancën e fundit parlamentare, vendosi që të ngrijë dorëheqjet në administratë deri në një vendim të dytë të këshillit drejtues të OMONIA-s.

Vasili

“Opozita, në ditët e ardhshme, ka një kohë të bollshme që të përpilojë një qëndrim të ri, një variant konkret të saj dhe ta diskutojmë atë për gjëra konkrete”

Argumenti i kthimit

Nishani e konsideroi reformën të pakonsultuar dhe jotransparente

Presidenti Bujar Nishani, në argumentin e tij të kthimit të ligjit të ndarjes së re territoriale në Kuvend, radhiti ti arsye. Sipas tij, arsyeja e parë është konsultimi i qytetarëve. Presidenti thotë se ligji nuk ka marrë mendimin e tyre dhe këtë gjë ai e ka konstatuar, nga bashkëbisedimet me një pjesë të konsiderueshme të përfaqësuesve të njësive vendore. Në argumentin e dytë të dhënë nga kreu i shtetit, renditet decentralizimi. Kjo çështje, që u vu kusht nga PD-ja për të marrë pjesë në këtë reformë, përmendet nga presidenti në një tjetër formë. Në argumentin e fundit që presidenti ka përdorur për t’i kthyer mazhorancës ligjin për rishqyrtim, është ai se reforma territoriale nuk u parapri nga ndryshimet e duhura të dy ligjeve të tjera. Së pari, atij për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Por, Presidenti sheh të nevojshëm edhe ndërhyrjen në një tjetër ligj, atë elektoral. Në bindjen e kreut të shtetit, reforma territoriale duhej të ishte bashkëshoqëruar me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke e cilësuar këtë të domosdoshme në prag të zgjedhjeve vendore, vetëm 5 muaj nga afati i shpalljes së datës së tyre nga Presidenti.

Edi Rama

“Do t’i zmbrapsim dekretet verore të Nishanit”

Kryeministri Edi Rama pati shprehur keqardhje për pseudoargumentet e Nishanit për kthimin e ligjeve për rishqyrtim.

“Në seancën e parë të sesionit të ri, shumica parlamentare do të zmbrapsë dekretet verore të Presidentit. Reforma s’ndalet”, reagoi Rama

Lulzim Basha

Partia Demokratike e ka mbështetur vendimin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit për ndarjen e re terrritoriale. “Oligarkia Rama-Meta-Kokëdhima dhe përfaqësuesit e krimit në Kuvend nuk mund të përfaqësojnë interesat e shumicës së shqiptarëve”, reagoi kreu i PD-së, Basha

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button