Ekonomia

Negociatat me TAP, Shqipëria kërkon gaz shtesë

Qeveria shqiptare është përfshirë në negociata intensive me konsorciumin TAP, për të barazuar përfitimet nga investimi më i rëndësishëm i 20 viteve të fundit në vend, me shtetin fqinj Greqinë. Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri thotë se pika e parë janë përfitimet e shtetit nga taksat.
“Shqipëria në marrëveshje ka patur më pak përfitime fiskale se Greqia. Ideja që ndryshimet e legjislacionit fiskal në Shqipëri të mos kishin asnjë efekt tek TAP, kjo është një klauzolë ndrydhëse që i heq Shqipërisë mundësinë për të patur të ardhura më të mëdha në kohë të caktuara”, thotë ministri Gjiknuri.
Ministri thotë se po negociohet edhe me furnizuesit për sigurimin e një sasie gazi që do të përdoret për industrinë dhe nevojat e qytetarëve.
“Projekti parashikon që sasitë të shkojnë deri në 20 mld metër/kub gaz. Shqipëria duhet të ketë pjesën e saj dhe këto çështje do të negociohen me furnizuesit e gazit që një pjesë janë aksionerë në ndërtimin e tij. E rëndësishme është që kemi garantuar investime qe do te behen nga TAP per daljet e gazit, 1 ne Fier dhe ne dy pika te tjera, afer kucoves dhe Korcës në Bilisht”, sqaron ministri.
Gazsjellësi Trans Adriatik do të transportojë gazin natyror nga fushat e Azerbajxhanit, duke zbutur varësinë europiane ndaj gazit rus. Tubacioni nis në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku lidhet me Gazsjellësin TANAP. Përshkon Greqinë e Veriut për 550 km dhe Shqipërinë për 215 km, ku nis edhe pjesa detare në Adriatik.
Gazsjellësi lidhet me rrjetin italian të gazit prej nga shpërndahet në Europën Perëndimore. Kapaciteti fillestar është 10 mld metër/kub gaz në vit dhe dyfishohet me futjen në punë të dy kompresorëve të rinj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button