Home / Intervista / Lotaria Amerikane, pse “fitojnë korçarët”?

Lotaria Amerikane, pse “fitojnë korçarët”?

Shqiptarët kanë vetëm 34 ditë kohë në dispozicion për të aplikuar për Lotarinë Amerikane DV-2017.

Në një intervistë për “Vizion Plus”, konsulli amerikan në Tiranë, Benjamin Hesprich, theksoi se fotografia me syze dhe më e vjetër se 6 muaj, por edhe arsimi i mesëm me kohë të pjesshme ju skualifikojnë automatikisht.

Së bashku me Lorenc Mansakun, supervizor dhe specialist vizash, konsulli amerikan shpjegon se cilat janë gabimet që duhet të shmangni, kriteret për t’u kualifikuar dhe si mund të jeni fitues edhe nëse nuk keni arsimin e duhur për lotarinë.

Së pari, çfarë do të thotë startimi i Lotarisë Amerikane 2017?

Lorenc Mansaku: Kjo do të thotë që, duke filluar nga data 4 tetor deri në 7 nëntor 2016, në orën 18:00 me orën lokale, shqiptarët mund të futen në faqen e internetit dvlottery.state.gov për të aplikuar për Lotarinë Amerikane. Ajo që ne do t’ju sugjeronim është që këta shqiptarë të lexojnë fillimisht udhëzimet nëse janë të kualifikueshëm ose jo, dhe pastaj të aplikojnë për lotarinë.

A është kjo një mundësi e njëjtë për të gjithë aplikuesit, ngado që aplikojnë?

Lorenc Mansaku: Sigurisht që po! Për të gjithë shqiptarët, kudo që aplikojnë është një mundësi e shkëlqyer, me të njëjtat shanse kudo që aplikojnë, si këtu, si në Itali, kudo që jetojnë do të kenë të njëjtin shans për t’u zgjedhur.

Një shqiptar dhe një ukrainas, kanë të njëjtat shanse?

Lorenc Mansaku: Po, e njëjta gjë. Ajo që do të thosha është që janë 50 mijë numra lotarie në dispozicion për çdo vit. Janë 6 rajone gjeografike ku shpërndahen këta numra dhe Shqipëria nuk mund të marrë më shumë se 7% të numrit që do të jetë në dispozicion të Europës, pra këtë thotë ligji.

Çfarë duhet të kenë aplikuesit parasysh?

Benjamin Hesprich: Këshilla ime është që, së pari të aplikoni në mënyrë të drejtë dhe vetëm një herë. Është e rëndësishme që të aplikoni vetëm një herë në një sezon. Gjithashtu përgatituni mirë për intervistë, nëse do të fitoni lotarinë amerikane.

Ka rëndësi sa shpejt bëhet aplikimi?

Benjamin Hesprich: Në fakt, aplikoni më herët, pasi nëse ju do të keni probleme me kompjuterin apo në sistem, është më mirë nëse aplikimi bëhet më herët.

Është e rëndësishme nëse ke aplikuar më parë dhe nuk ke fituar?

Benjamin Hesprich: Jo, jo. Nëse nuk keni fituar, mund të aplikoni sërish, por vetëm një herë në një sezon.

A ka ndonjë hile për të qenë fitues?

Benjamin Hesprich: Në fakt, hilja më e mirë është që të aplikoni në mënyrë të drejtë. Shkoni në faqen zyrtare të internetit dhe mund të lexoni çdo hap të procesit. Përgatituni mirë për intervistën, nëse do të fitoni.

Në Tiranë ka legjenda urbane që, nëse je nga Korça apo Pogradeci ke më shumë mundësi për të fituar sesa nga Kukësi. Është e vërtetë? Pasi ka shumë korçarë dhe pogradecarë që e kanë fituar ndër vite llotarinë…

Benjamin Hesprich: Nuk është e vërtetë. Nëse je nga Korça, nga Kukësi, nga Shkodra apo Tirana, aplikoni për lotarinë, pasi shansi është i njëjtë.

Lorenc Mansaku: Shanset janë të njëjta, sepse përzgjedhja bëhet në mënyrë rastësore në një kompjuter në Kentaki, pra Ambasada Amerikane nuk ka asnjë ndikim në zgjedhje.

Cilat gabime duhen shmangur?

Benjamin Hesprich: Mbani mend që këtë vit ju keni nevojë për një fotografi të re. Mos e përdorni një fotografi që e keni përdorur më parë dhe hiqni syzet, sepse këta janë dy faktorë skualifikues.

Lorenc Mansaku: Nëse aplikoni më shumë se një herë për të rritur shanset, në fakt është faktor skualifikues. Të tjerë faktorë që duhet të dini është se cilët anëtarë të familjes duhet të përfshini në aplikim. Ju duhet të përfshini bashkëshortin ose bashkëshorten dhe çdo fëmijë deri në 21 vjeç në momentin e aplikimit. Pra në ditën e aplikimit, fëmija duhet të jetë deri në 21 vjeç dhe i pamartuar. Kur them “fëmijë”, ky mund të jetë fëmijë biologjik, i birësuar apo thjeshtër, që jeton apo jo me ju. Duhet t’i përfshini në aplikim.

Sa e rëndësishme është përmbajtja e rregullave të qarta, pra mosbërja e gabimeve?

Benjamin Hesprich: Është absolutisht e rëndësishme! Ju lutem, mos bëni ndonjë gabim, dhe këshillimi është të aplikoni vetë.

Lorenc Mansaku: Gabimi që mund të ndodhë është që, duke përzgjedhur foton, të përzgjidhni foton e gabuar, pasi aktualisht sistemi nuk të lejon të shohësh foton që po përzgjedh. Duke përzgjedhur foton e gabuar, ne do të japim lajmin e keq që nuk kualifikohesh. Ndaj e mira do të ishte që të emërtoni foton me emrin e personit dhe në atë mënyrë nuk do të gaboni.

Cili është gabimi më i shpeshtë sipas jush?

Benjamin Hesprich: Një ndër ta është që nuk lexojnë nëse janë të kualifikuar apo jo. Ka dy kritere për t’u kualifikuar: nëse keni një diplomë nga shkolla e mesme me kohë të plotë, të krahasueshme me një diplomë amerikane, apo për hir të eksperiencës së punës, por vetëm disa profesione do t’ju kualifikojnë.

Lorenc Mansaku: Për shkollën e mesme bëhet fjalë për gjimnazin dhe disa shkolla profesionale. Ata që kanë bërë një shkollë profesionale dhe nuk kanë ndjekur universitetin, do ishte më mirë që të bënin një vlerësim të dëftesës së tyre të pjekurisë me një dëftesë pjekurie të Shteteve të Bashkuara.

Benjamin Hesprich: Ka kualifikim për diplomë në faqen e internetit tonë dhe mund të shikojnë nëse kualifikohen apo jo.

Si bëhet përzgjedhja dhe si e mësojnë qytetarët nëse kanë fituar apo jo?

Lorenc Mansaku: Përzgjedhja bëhet duke filluar nga data 2 maj 2017 dhe çdo aplikant mund të futet në faqen e internetit “dvlotery.state.gov” duke vendosur numrin e aplikimit që i paraqitet në momentin që kanë aplikuar, të cilin theksojmë që duhet ta ruajnë. Duke vendosur numrin e aplikimit dhe disa të dhëna personale, do të mësojnë nëse janë përzgjedhur apo jo. Edhe nëse nuk jeni përzgjedhur, mund të ketë një përzgjedhje të dytë, kështu që e mira është që të kontrolloni statusin tuaj një herë në muaj, pasi mund të ketë surpriza. Qendra e përzgjedhjes në Kentaki sugjeron që të kontrolloni statusin tuaj duke nisur që nga 2 maji i 2017-ës deri më 30 shtator 2017. Këto janë udhëzimet që jepen nga qendra konsullore në Kentaki.

Benjamin Hesprich: Duhet të mbani mend që Departamenti i Shtetit nuk do t’ju dërgojë email për Lotarinë Amerikane.

Ka një pagesë për aplikimin?

Benjamin Hesprich: Për t’u regjistruar në Lotarinë Amerikane nuk ka asnjë pagesë, është gjithçka falas.

Lorenc Mansaku: E vetmja pagesë që do të kryeni do të jetë në ditën tuaj të intervistës, nëse jeni përzgjedhur. Nëse merrni një email që ju thotë se jeni përzgjedhur dhe duhet të bëni ndonjë pagesë me Western Union, a diçka të tillë, injorojeni.

Cili është kriteri që nuk i shmangemi dot? Ka ndonjë profesion që ndalohet?

Benjamin Hesprich: Mbani mend që, nëse kualifikoheni në bazë të eksperiencës së punës, vetëm disa profesione do t’ju kualifikojnë. Megjithatë, për aplikimin nuk është kusht.

Lorenc Mansaku: Që të jemi të qartë, mund t’ju kualifikojë ose arsimi, ose përvoja e punës: ose njëra, ose tjetra. Nëse nuk ke arsimin që të kualifikon, atëherë në faqen tonë të internetit edhe në “Facebook” ne i kemi vendosur udhëzimet se cilat profesione të kualifikojnë. Është një faqe “onetonline”, ku mund të shihni se cilat profesione të kualifikojnë. Duhen dy vite përvojë pune gjatë 5 viteve të fundit.

A ka një mesatare statistikore se sa shqiptarë kanë aplikuar ndër vite dhe sa kanë fituar?

Benjamin Hesprich: Nuk ka statistika, por mund të them që interesi vazhdon

Leave a Reply

Your email address will not be published.