Ekonomia

Reduktohen humbjet e energjisë nga vjedhjet, 20 % krijohen nga rrjeti

Humbjet e energjisë nga mospagesa e faturave janë ulur në nivele të konsiderueshme në dy vitet e fundit, duke zënë vetëm 10 për qind të totalit të energjisë, teksa shihet se humbjet teknike të shkaktuara nga amortizimi i rrjetit janë 20 për qind.

Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës niveli i humbjeve teknike për vitin 2015, sipas studimit të Divizionit të Shitjes në O S H E E , është shume i lartë, 20.6%. Edhe për vitin 2016 niveli i humbjeve teknike pritet të jetë i njëjtë pasi investimet e reja që do të futen në punë do të japin efektin e tyre të plotë në vitin 2017, sqaron Ministria e Energjetikës në një dokument zyrtar.

Nga analiza e llogaritjes së humbjeve teknike të kompanisë OSHEE.sha për vitin 2015 duket se humbjet më të mëdha janë në Tiranë (509 GWh) të ndjekura nga Fieri (123 GWh), Shkodra dhe Durrësi.

Humbjet më të ulta janë në Korçe dhe Elbasan ku në nivel prefekture arijnë përkatësisht në 43 dhe 52 GWh, por krahasuar me energjinë e konsumuar janë 16 dhe 15%.

OSHEE ka analizuar se është i domosdoshëm vazhdimi i zëvendësimit të rrjetit 6/10 kV me rrjetin me tension 20 kV, zëvendësimi i rrjeteve TU me përcjellësa ajror të zhveshur me percjellësa ajror të izoluar dhe ndërtimi i nënstacioneve elektrike 110/20 kV.

Qëllimi i deklaruar i OSHEE-së është ulja e humbjeve të energjisë elektrike nga 31.8% në 2015, në 19.8% në 2018. Ndërkohë që vetëm humbjet teknike deklarohen nga OSHEE të jenë 21.04% në 2015 dhe parashikohet të ulen në 16.8% në 2018.

Si pjesë e kësaj iniciative, OSHEE-ja ka kryer studimin/vlerësimin për instalimin e pajisjeve inteligjente të matjes dhe infrastrukturës shoqëruese të komunikimeve dhe kontrollit të avancuar që synon përmirësimin e dhënies së informacionit mbi humbjet, kryerjen e leximeve automatike dhe uljen e të ardhurave të pambledhshme, vjedhjes së energjisë elektrike dhe matjes së gabuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button