Kronika

Drafti për drogën: Konsumi vetjak, shkelje administrative

Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme në Kodin Penal , vijnë si nevojë e problematikave që janë hasur në zbatim të legjislacionit për veprat penale në fushën e drogës.
Drafti final i siguruar nga Top Channel i është dorëzuar Këshillit të Ministrave dhe së shpejti pritet t’i kalojë për shqyrtim edhe Parlamentit.
Në argumentimet që parashtrohen në draft, theksohet se neni aktual 283 i Kodit Penal është më problematiku në zbatimin e tij nga prokuroria dhe gjykata. Në këtë nen propozohet që konsumi dhe mbajtja për përdorim vetjak e një sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo penale, duke u bazuar edhe në praktikën e shumë vendeve europiane.
Sipas draftit, për 70 përqind të personave konsumatorë të narkotikëve që policia kap, nuk procedohen penalisht nga prokuroria.
Po në nënin 283 sugjerohet që mbajtja dhe shitja e lëndëve narkotike mbi sasinë e përcaktuar nga ligjvënësi dhe që gjithsesi konsiderohet e vogël, të ketë dënim më të ulët se mbajtja apo shitja në sasi të mëdha.
Ndërkohë, në nenin 284, përveç kultivimit të narkotikëve propozohet të përfshihet edhe tregtimi i farërave. Ashtu si për nenin 283, edhe këtu propozohet një përshkallëzim i dënimeve në bazë të rrezikshmërisë së veprës penale.
Sa më e madhe të jetë sasia e bimëve të kultivuara aq më i lartë do të jetë dënimi, por se cilat janë sasitë e vogla, të mëdha dhe shumë të mëdha, këto do të përcaktohen me ligj të veçantë njësoj si për lëndët narkotike në nenin 283.
Ndërkohë sugjerohet që subjekt i ligjit antimafia për hetimin pasuror të jenë edhe rastet e kultivimit në sasi të mëdha, ose rasteve të organizimit dhe financimit të kësaj verimtarie.
Në draft theksohet se të gjitha këto ndryshime të propozuara në Kodin Penal, është e nevojshme të shoqërohen me miratimin edhe të një neni transitor që do të sanksionojë zbatimin e neneve të mëparshme deri në miratimin e ligjit për përcaktimin e sasive të lëndëve dhe bimëve narkotike që do konsiderohen për konsum vetjak, në sasi të vogla dhe në sasi të mëdha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button