Home / Kronika / Sociale / Totozani: Minimumi jetik në Shqipëri, 16 mijë lekë në muaj

Totozani: Minimumi jetik në Shqipëri, 16 mijë lekë në muaj

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka prezantuar këtë të martë studimin “Llogaritja e Minimumit Jetik”, ose nivelin e të ardhurave për frymë në Shqipëri.

Në prezantimin e këtij raporti, Totozani ka deklaruar se shpallja minimumit jetik në vend është një domosdoshmëri, ndërsa ka saktësuar se në bazë të studimit ai është 16 mijë lekë në muaj për frymë.

“Qeveria të shpallë zyrtarisht minimumin jetik. Nga kjo do të përfitojnë shtresat vulnerabël. Të gjithë kanë të drejtë të gëzojnë kushte jetese dinjitoze”, ka thënë Totozani.

Duke publikuar të dhënat statistikore të studimit, avokati ka theksuar se, qeveria duhet të reagojë ndaj situatës ekonomike në të cilën ndodhet shumica e shqiptarëve.

“Metoda e përdorur në këtë studim është ajo e varfërisë absolute. Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore dhe nga përllogaritjet e kryera, në vitin 2015 ai rezulton të jetë përafërsisht 16.000 lekë në muaj, nga të cilat 7.089 lekë përdoren për shpenzimet ushqimore dhe 8.913 për ato jo-ushqimore”, ka saktësuar Totozani.

Ai ka theksuar se, në ndryshim nga studimet e tjera mbi nivelin e minimumit jetik, vlera e përcaktuar nga ky studim merr në konsideratë edhe aspekte sociale dhe tendencat e konsumit në vendin tonë.

“Vlera e minimumit jetik përbën edhe bazën mbi të cilën duhet të llogariten pagat, pensionet sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë”, ka shtuar Totozani.

Leave a Reply

%d bloggers like this: