Ekonomia

Ulen gjobat për biznesin, penalitetet e reja për kuponin

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore me uljen e gjobave ndaj biznesit, duke përfshirë edhe supergjobat për kuponin, mospërdorimin e kasës apo moslëshimin e faturave tatimore të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se ndryshimet e ligjit përmirë- sojnë 60 procedura tatimore në favor të biznesit dhe ulin gjobat ndaj biznesit.

Ministri Ahmetaj tha se për hartimin e projektligjit u morën parasysh 350 propozime të biznesit, ndërsa paketën e thjeshtimit të procedurave tatimore e cilësoi hapjen e një kapitulli të ri për klimën e biznesit. “Kemi rishikuar një pjesë të madhe të dënimeve administrative tatimore. Hiqet masa e konfiskimit dhe zëvendësohet me masa proporcionale, duke synuar formalizimin nëpërmjet regjistrimit dhe lëshimit të faturës. Ulet dënimi për deklarim me vonesë nga 10 mijë lekë në 5 mijë lekë. Hiqet dënimi për uljen e tepricës kreditore.

Rishikohen në ulje dënimet për pajisjet fiskale dhe kuponin tatimor, edhe për punonjës të padeklaruar. Rishikohen në ulje me qëllim zbatimin e parimit të proporcionalitetit të dënimit për moslëshimin e faturës. Reduktohen dënimet për mosafishimin e çmimit dhe reduktohet dënimi për mospagesën në kohë të kësteve të tatimit mbi fitimin”, u shpreh Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se ligji i ri parashikon lehtësi në procedurat që do të zbatojnë tatimet për të kontrolluar biznesin. “Tashmë njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim. Tatimpaguesi mund të korrigjohet brenda 36 muajve, nga 12 muaj që ishte më parë.

Qartësohen kriteret për marrëveshjen e pagesës me këste. Që marrëveshja të hyjë në fuqi, paguhet 20 për qind e detyrimit, ndërsa nuk llogariten gjobat nëse tatimpaguesi respekton marrëveshjen”, tha Ahmetaj.

FALJA NË TATIME E DOGANA

Ministri i Financave, Ahmetaj, pas përfundimit të Komisionit foli edhe për faljen e pjesshme të detyrimeve të biznesit në Tatime dhe Dogana. “Nuk ka falje detyrimesh. Nga 1 janari i vitit 2011 deri më 31 dhjetor të vitit 2014 do të ketë një lehtësi për detyrimet e papaguara për borxhet, kush paguan detyrimin e plotë, ka mundësi t’i hiqet interesi dhe t’i fshihet gjoba, kush nuk e paguan do t’i mblidhet detyrimi me forcë në bazë të instrumenteve ligjore. Nuk ka falje detyrimesh, ka vetëm një lehtësim për ata që i kanë borxhe shtetit në Tatime dhe Dogana”, tha Ahmetaj.

ligji-i-gjobave

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button