Ekonomia

“S’kishim ku t’i linim çelësat e Thesarit”

Shtatë prej të arrestuarit mundohen të justifikohen në gjykatën e Apelit, por mbeten në qeli

foto_nga_godina_5316_0Punonjësit e Thesarit të Shtetit, të arrestuar si “bashkëpunëtorë” për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, kanë fajësuar drejtuesit e këtij departamenti për mungesën e udhëzimeve dhe rregulloreve të brendshme. Gjatë seancave për masat e sigurisë, këta të arrestuar pohuan se nuk kishin një vend të sigurt ku mund t’i linin çelësat e kasafortës kryesore, çelësa të cilët mbaheshin nga Ardian Bitraj, përgjegjësi i arkave. Për pasojë, organizatori i supervjedhjes kishte “dorë të lirë” në të gjithë godinën, ku fuste në trup miliona lekë dhe i nxirrte prej andej pa asnjë problem. Madje, këtë skemë e ka ndjekur për një periudhë prej katër vitesh, ndërsa ka pranuar pa asnjë hezitim të gjithë vjedhjen. Ai dëshmoi se ka përfituar nga paaftësia e shefave të tij, të cilët nuk kishin asnjë bazë për rregulla në Departamentin më të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të ruajë paratë e shtetit.

Seanca në apel

Dje, për pesë orë me radhë, Kolegji Penal, i përbërë nga gjyqtarët Metush Saraçi, Gramoz Levanaj dhe Hysni Demiraj, ka thirrur secilin nga të pandehurit dhe avokatët e tyre për të dëgjuar kërkesat e tyre. Kundërshtimet e të pandehurve kishin të bënin më së shumti me caktimin e një mase sigurie më të butë se sa me hedhjen poshtë të provave dhe fakteve të mbledhura nga prokuroria për secilin prej të arrestuarve.

Petrit Ramohitaj, një nga dhjetë të akuzuarit për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesar, ka akuzuar indirekt ish-shefin e tij, Dorian Çollaku, për atë që ndodhi në arkën ku ai ishte përgjegjës. I pandehuri Ramohitaj ka deklaruar se në Departamentin e Emisionit nuk ka pasur një rregullore për sigurinë dhe asnjë kasafortë ku të mbaheshin çelësat e parave.

Ramohitaj ka deklaruar se “Urdhri i Bankës së Shqipërisë për rregulloren në Departamentin e Emisionit nuk mund të zbatohej. Në këtë departament nuk kemi pasur logjistikë ku të vendosnim tre çelësat, pra nuk kemi pasur kasafortë sigurie. Udhëzimi i Bankës për sigurinë e dhomave ku mbaheshin paratë ishte i pazbatueshëm në kushtet ku punonim dhe për më tepër, nuk na ishte komunikuar asnjëherë. Kasaforta për çelësat dhe rregullorja e sigurisë, u vendosën pas vjedhjes”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe i arrestuari tjetër, por me të njëjtën akuzë, Bashkim Xhilaga.

“S’kemi pasur asnjë udhëzim për mënyrën e punës. Unë mbaja çelësat dublikatë dhe jo ata me të cilët janë vjedhur paratë”, ka vijuar ai.

Ish-drejtori i Thesarit

Ish-drejtori i Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku, i ka qëndruar fort mbrojtjes së tij se nuk është përgjegjës për vjedhjen. “Nuk ekziston asnjë fakt që të vërtetojë që me veprimet dhe mosveprimet e mia, unë të kem marrë pjesë në vjedhje dhe për më tepër, të kem përfituar nga e gjithë kjo histori”, tha Çollaku. Edhe avokatët mbrojtës kanë mbështetur pretendimin e pafajësisë së Çollakut, por Prokuroria ka pretenduar të kundërtën. Prokuroria gjykon se “nën drejtimin e të dyshuarit Çollaku është bërë vjedhja. Nuk kanë pasur asnjë rregullore dhe udhëzime për 16 muaj me radhë për funksionimin e punës. Duhet të nxirrte akte normative për funksionimin e Departamentit të Emisionit”. Pasi ka dëgjuar të gjitha palët, Gjykata në fund i ka dhënë të drejtë organit të akuzës duke mbajtur në burg shtatë të pandehurit që kishin kërkuar rishikimin e masës.

Burg pa afat

Dorian Çollaku

Petrit Ramohitaj

Myzejen Belba

Lavdim Cani

Bashkim Xhilaga

Liljana Tusha

Dhimitër Davidi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button