Bota

SHBA: Nisin votimet në Florida. Sontazhet, Clinton ka 46% të votave krahasuar me 43% të Trump

Qendrat e votimit janë hapur për votim të hershëm në shtetin kyç të fushëbetejës elektorale, pikërisht në Florida ku Hillary Clinton dhe Donald Trump janë në një garë të ngushtë me njëri-tjetrin. Ndërkohë votimi i hershëm me postë ka filluar ne Florida disa javë më parë, ku mbi një milion njerëz kanë shprehur vullnetin e tyre.  Një sondazh i CBS tregon se Clinton ka një epërsi të ngushtë me tre pikë ndaj miliarderit. Pra sipas shifrave ajo mban 46% të votave krahasuar me 43% të Trump.  Miliarderi ka deklaruar se nëse fiton në Florida ai do te fitojë Shtëpinë e Bardhë.

Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet kolegjit zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore. Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër përqind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm, ose me postë.

Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është “ndoshta e vërtetë” që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 përqind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tre ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha se mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar “zgjedhje të manipuluara”. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.

“Mediat nuk janë thjesht kundër meje”, tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. “Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë.”

Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të “shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë”. Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.

Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button