Ekonomia

Efekti domino i korporatave në moskthimin e huave

Kredia me probleme i është kthyer rritjes me ritme të shpejta, duke u zgjeruar me 3.2 pikë përqindje në tetë muaj, edhe pse bankat fshinë nga bilancet 32 miliardë lekë hua të humbura. Ekspertët në banka thanë se kjo rritje po vjen nga kriza ekonomike dhe efekti domino që po krijojnë të 36 korporatat e mëdha te nënkontraktorët, ku më problematiku mbetet sektori i naftës. Plani i veprimit për uljen ka ngecur në derën e qeverisë. Banka e Shqipërisë bën gati masat shtesë për të frenuar rritjen e tyre.

Blerina Hoxha

Aftësia e bizneseve për të shlyer kreditë në banka po shkon në drejtim të kundërt të shifrave zyrtare për zhvillimet ekonomike në vend. Teksa INSTAT lajmëroi se ekonomia është rritur me të paktën 3.12% në gjashtëmujorin e parë dhe konsumi me gati 4%, Banka e Shqipërisë, nga ana tjetër, me shqetësim ka njoftuar se kredia e keqe po i kthehet rritjes pas një stabilizimi në fund të vitit 2015. Në gusht, stoku i kredive që nuk u kthyen në kohë, arriti në 21.4% të totalit të huas së dhënë, duke u rritur me 3.2 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e vitit 2015.
Përtej shifrave optimiste zyrtare, bankat tregtare të pyetura nga Banka e Shqipërisë janë shprehur pesimiste për zhvillimet në ekonominë reale të këtij viti. Bankierët kanë pohuar se përkeqësimi i ekonomisë së brendshme shihet si rreziku kryesor i këtij viti në aktivitetin e tyre bazuar në dy zhvillime. E para lidhet me përkeqësimin e aftësisë së bizneseve për të shlyer në kohë huat dhe e dyta, me kërkesën e dobët për kredi.
Ekspertë brenda sektorit bankar të pyetur nga ‘Monitor’ thanë se ka disa arsye specifike që po rrisin moskthimin e huave. Të 35 korporatave të mëdha u është shtuar këtë vit, kompania e prodhimit të hekurit, Kurum, ndërsa ARMO, kreditori më i madh i keq në vend vijon të jetë problematik. Falimenti praktik i kompanive të sektorit VIP dha një efekt zinxhir në moskthimin e kredisë në muajt e fundit (korrik dhe gusht). Kompanitë nënkontraktore të lidhura me ARMO dhe KURUM kanë nisur të mos shlyejnë. Ky efekt domino pritej nga bankat, pasi në praktikë, kur një korporatë e madhe humb aftësinë kredishlyese pak muaj më vonë shfaqet ky fenomen edhe te nënkontraktorët.
Gjithashtu ekspertët në banka mendojnë se plani i veprimit i ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria për frenimin e NPL-ve nuk po funksionon. Banka e Shqipërisë e ka bërë pjesën e saj në këtë proces. Deri më tani janë fshirë nga bilancet e bankave 32 miliardë lekë hua e keqe e mbartur më shumë se tre vjet dhe disa rregullore që i shërbejnë këtij qëllimi kanë hyrë në fuqi. Por ky hap konsiderohet nga bankierët vetëm një veprim matematikor që nuk ka çuar në shërimin me themel të indiceve që krijojnë huat e këqija. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk po avancojnë për të përmbyllur pjesën e tyre në këtë proces. Ende nuk është miratuar nga Kuvendi ligji për falimentin, duke lënë të patrajtuar çështjen e 36 korporatave të mëdha huamarrëse dhe ende nuk janë inkorporuar disa ndryshime në Kodin Civil. Nëse korporatat e mëdha nuk do të kthehen në huamarrës të mirë, efekti sistemik në moskthimin e huave në të gjithë ekonominë e vendit do të vijojë të jetë i lartë, – shpjegojnë bankierët.
Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka bërë gati një plan rezervë për uljen e NPL, duke u mbështetur në forcat e saj.

Plani i ri

Banka e Shqipërisë është duke azhurnuar një plan të ri masash shtesë, nëse përpjekjet e qeverisë për të miratuar ligjin e ri për falimentin dështojnë. Në një qëndrim të posaçëm për ‘Monitor’, Banka e Shqipërisë zbardhi një pjesë të këtij plani.
Themelore në këtë proces është provigjionimi i plotë i huave me probleme.
Banka e Shqipërisë, në qëndrimin e saj për ‘Monitor’, njoftoi se do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara në aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë, ajo garanton stabilitet më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve. Fondi i krijuar i provigjioneve për mbulimin e humbjeve ka një vlerë të konsiderueshme, pasi ai mbulon rreth 65% të të gjithë portofolit të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë thotë se, nëse në llogaritjen e treguesit të kredive me probleme do të merreshin në konsideratë vetëm kreditë e pambuluara me provigjione, atëherë ky tregues do të zbriste në nivelin 7,6%, duke u përafruar shumë me vlerën neto të këtij treguesi në vendet europiane.
Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare, Banka e Shqipërisë po e trajton problemin në tre drejtime që kanë të bëjnë, së pari me forcimin e kritereve në banka për të zbutur ritmin e krijimit të kredive të reja me probleme; së dyti, me trajtimin e stokut të kredive me probleme dhe së treti, ruajtjen e nivelit të mirëkapitalizimit të bankave, gjatë këtij procesi.
Në lidhje me pikën e parë, Banka e Shqipërisë e ka përqendruar vëmendjen në vlerësimin e përshtatshmërisë së strukturave të bankave që kryejnë analizën e projektit të kredisë dhe monitorimin e performancës së kredimarrësit. Gjithashtu do të praktikohet strukturimi i hershëm i kredisë, në mënyrë që të arrihet në një arkëtim të kredisë në vlerën maksimale të mundshme.
Në lidhje me pikën e dytë, vëmendja është përqendruar në provigjionimin e plotë të kredisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se, ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë, ajo garanton stabilitet më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve.
Banka e Shqipërisë do të nxisë targetimin e rasteve të ekspozimit të disa bankave te kredimarrës të caktuar me probleme. Këtu zgjidhja do të kërkohet tek opsionet që ofron ligji i ardhshëm i falimentimit, dhe sigurisht shtysat për të vepruar më me shpejtësi në këtë drejtim.
Pjesë e planit janë kërkesat rigoroze për kapitalin, duke marrë në konsideratë rritjen e kostove nga moskthimi i huave.
Si masë që do t’i shërbejë uljes së NPL-ve vlerësohet edhe nxitja e veprimeve për tregtimin e kredive me probleme, duke synuar transferimin e tyre nga bilancet e bankave drejt institucioneve të tjera financiare më të specializuara për mbledhjen e tyre.

Rritja nga efekti domino

Gjashtëmujori i parë i vitit 2016 shënoi përkeqësim të cilësisë së kredisë, kryesisht nga prurjet e reja të kredive me probleme në valutë të biznesit. Kreditë e reja që nuk po kthehen janë të përqendruara në grupin e bankave të mëdha, ka analizuar së fundmi Banka e Shqipërisë. Për pasojë, kredia me probleme është zgjeruar me 11.7% në gjashtëmujorin e parë, duke arritur në nivelin 119.3 miliardë lekë. Prurjet e reja të kredive me probleme nuk kanë mundur të mbulohen nga kreditë e fshira në gjysmën e parë të vitit, duke rezultuar në zgjerim të stokut të kredive me probleme në mbi 21,4% në fund të gushtit.
Huaja nënstandarde, treguesi më i hershëm i kredisë që nuk kthehet, u zgjerua me ritme të shpejta në vitin 2016. Kjo kategori zuri 35% të totalit të huave me probleme (118 miliardë lekë) nga 23% të peshës që kishte te NPL në fund të vitit 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Bankierët shpjegojnë se huat nënstandarde tregojnë se kredimarrësit e mirë të vitit të kaluar po bëhen të këqij. Sektori i ndërtimit vijon të jetë më problematiku që furnizon rritjen e NPL. Pas kompanive të ndërtimit, tani janë kthyer në huamarrës të këqij tregtarët me shumicë të materialeve të ndërtimit dhe i gjithë zinxhiri që është i lidhur me sektorin. Gjithashtu nënkontraktorët e lidhur me korporatat e mëdha kredimarrëse së fundmi janë kthyer në problematikë, shpjegojnë ekspertët e kredisë në banka që kanë dashur të ruajnë anonimatin.
Këtë e tregojnë edhe tendencat e ecurisë së huas së keqe. Banka e Shqipërisë pohon se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për biznes dhe kredinë me afat të mesëm maturimi. Kredia me probleme, në sektorin e biznesit, u ngrit në 22.7% të totalit të dhënë për këtë kategori. Huaja me probleme në valutë shënon 24% dhe ajo e dhënë për afatin e mesëm, 20.1%
Një studim i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë vë në dukje se bankat në vendin tonë e kanë shpërndarë portofolin e tyre të kredisë në sektorë të njëjtë.
Pavarësisht madhësisë së bankave, portofolat e kredisë janë të ngjashme. Sektori në të cilin është përqendruar më shumë kredidhënia e bankave është tregtia, ndërtimi, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë.

Nuk po kthehen kreditë në valutë

Edhe pse kursi i këmbimit ka qenë në favor të atyre që kanë marrë kredi në valutë, përsëri moskthimi i huas në monedhë të huaj ka qenë i lartë këtë vit. Këtë vit, një euro është blerë 2.7 lekë më lirë se një vit më parë, kështu ata që kishin për të shlyer një kredi në euro kanë pasur mundësi të blejnë më shumë nga kjo valutë me të njëjtën sasi lekësh si vitin e kaluar. Por Banka e Shqipërisë ka gjetur se kredia në valutë “për zhvillim biznesi” ka dhe raportin më të lartë të kredive me probleme, në 32%, ndjekur nga ajo “për tregti” me 21.2% në gjashtëmujorin e parë, me një tendencë rritje në krahasim me vitin e kaluar. Ekspertët nga bankat pohuan se moskthimi i kredisë në valutë është pasqyrë e krizës në ekonomi dhe përkeqësimit të gjendjes së bizneseve që janë kredituar në monedhë të huaj. Gjithashtu kredia në valutë ka një peshë të madhe në portofolin e huave me mbi 60%. Kështu që përkeqësimi i gjendjes së kredimarrëse reflekton së pari moskthimin e huas në valutë edhe pse kursi i këmbimit i ka favorizuar ata, shpjeguan ekspertët.
Pavarësisht se në dy vitet e fundit, sektori ka ngushtuar peshën e kredisë të pambrojtur nga rreziku i kredisë në valutë, ajo vijon të jetë e konsiderueshme. Në qershor 2016, kredia e pambrojtur në valutë përbën. 44.1% të kredisë në valutë dhe 26.5% të tepricës totale të kredisë.

Pse nuk po funksionon plani i veprimit për NPL-të

Në mes të vitit që shkoi, Banka e Shqipërisë dhe qeveria hartuan një plan të përbashkët veprimi me 13 masa, që duhet të merren deri në fund të vitit 2015. Dokumenti synonte uljen e NPL në më pak se 16% brenda dy viteve duke paraparë një angazhim edhe të institucioneve jashtë sistemit bankar. Një sërë nenesh duhet të ndryshonin në Kodin e Procedurës Civile dhe gjithashtu një duzinë me procedura të reja duhet të aplikohen për regjistrimin e pasurive në gjykata. Një ligj i ri për falimentin duhet të ishte miratuar. Por tani kur ka kaluar një vit nga zbatimi në terren i këtij plani, huat me probleme jo vetëm që nuk po ulen, por muajt e fundit kanë marrë turravrapin. Në gjithë këtë angazhim shihet se vetëm Banka e Shqipërisë ka kryer detyrat sipas planit të veprimit. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të masave kundër huave me probleme, Banka e Shqipërisë bëri të detyrueshme fshirjen e huave të humbura të mbartura më shumë se një vit në bilanc. Fshirja e tyre uli me shpejtësi huat me probleme në tremujorin e fundit të vitit 2015, duke i çuar ato në 18%, por hovi duket se është prerë shpejt. Qeveria dhe Parlamenti nuk kanë përmbushur angazhimin për miratimin e ligjit të falimentit, duke lënë kështu të pazgjidhur trajtimin e 36 korporatave të mëdha që zotërojnë më shumë se 65% të stokut të huave të këqija. Ligji i ri për falimentin, i cili duhet të ishte miratuar në Parlament që vitin e kaluar, qëndron një projekt në sirtarët e Kuvendit dhe sot e kësaj dite, ende i papërfshirë në kalendarin e seancave plenare për miratim. Kjo zvarritje e ka bërë planin e veprimit për uljen e NPL–ve të efektshëm pjesërisht.
Por ekspertët në Bankën e Shqipërisë bënë me dije se banka ka gati një plan masash shtesë, në rast të dështimit të ligjit të falimentit. Duke e mbajtur konfidencial planin e ri të masave, të njëjtët ekspertë thanë se ato do të diskutohen me qeverinë dhe më pas do të jenë të njohura edhe me publikun.
Që vitin e kaluar, të gjitha bankat kanë marrë planin e veprimit të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria që i udhëzon ato, që jo më vonë se tetori i vitit 2015, të fillonin të analizonin bashkërisht bilancet e 36 grupeve të mëdha të biznesit që kanë 65% të totalit të kredive të këqija. Por vonesat në miratimin e ligjit të falimentit kanë krijuar ngërç.
Ministria e Ekonomisë, që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit të veprimit, në krye të 13 masave, ka vënë miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë të të cilit më pas do të nisë trajtimi i 36 korporatave, i cili ende nuk ka shkuar në seancë plenare.

Ekonomia në përkeqësim po shtyn kredinë nga e keqja

Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti.
Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin e ekonomisë së brendshme.
Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “Përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për tre 6-mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015.
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elemente që kërcënojnë stabilitetin financiar.
Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon.
Përmirësimi i cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët si rrjedhojë e pastrimit të bilanceve të bankave nga huat e humbura, rënia e nivelit të papunësisë në vend, si dhe ulja e luhatshmërisë në ecurinë e kursit të këmbimit, kanë ulur materializimin e rrezikut sistemik krahasuar me një vit më parë.
Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit. Në ecurinë e indeksit të akumulimit të rrezikut sistemik, tkurrja e kredisë në valutë ka zbutur akumulimin e rrezikut, ndërsa efekt të kundërt ka pasur ecuria e tregut të banesave, rritja e nivelit të kreditimit të bizneseve, si dhe rritja e nivelit të borxhit të jashtëm.
Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar.
Gjatë periudhës, perceptimi i bankave mbi rreziqe të caktuara është rritur, por probabiliteti i materializimit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme vlerësohet “nën mesatar”.

Pa fshirjen, NPL-të arrijnë në 25%

Në harkun kohor të 18 muajve, bankat kanë fshirë nga bilancet më shumë se 32 miliardë lekë kredi të humbura, ose rreth 230 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Sektori bankar fshiu nga bilanci i tij 14.1 miliardë lekë kredi të humbura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, 12.9 miliardë lekë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015 dhe 5.9 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Pa procesin e fshirjes, kreditë e këqija në totalin e kredisë së dhënë do të ishin 25% nga 21.4% që janë aktualisht. Banka e Shqipërisë shpjegon se në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mëdha, të cilat së bashku zënë 60% të tepricës së kredive me probleme. Kreditë me probleme për këtë grup bankash u zgjeruan me 23%. Ndërsa bankat e vogla shënuan përmirësim të cilësisë, si rezultat i tkurrjes së huave me probleme me 33% gjatë gjysmës së parë të 2016-s.

NPL sipas bankave

Deri në fund të vitit 2015, banka me nivelin më të lartë të huave të pakthyera në afat ishte Tirana Bank, ku gati 48% e stokut të huas që ajo ka dhënë është e pakthyer në afat. Treguesi është rritur me 3.5 pikë përqindjeje në 2015-n. Sipas bilancit të saj për vitin 2015, Tirana Bank shënoi humbje të mëdha prej 3 miliardë lekësh, nga 761 milionë lekë vitin e mëparshëm, pikërisht për shkak të rritjes së ndjeshme të zërit “Provigjione për zhvlerësimin e huave dhe paradhënieve”. Po sipas bilancit, janë korporatat dhe SME-të kreditorët më të këqij, ku 1.2 miliardë lekë (8.5 milionë euro) janë me vonesë mbi 360 ditë. Gjatë vitit 2015, Banka kishte 75 hua të ristrukturuara në shumën 891,112 mijë lekë (2014: 165 hua të ristrukturuara në shumën 4,716,661 mijë lekë).
Një tjetër bankë me kapital grek, Alpha Bank, është e dyta me nivelin më të lartë të huave me probleme, me 29.5%. Megjithatë Alpha ka arritur ta ulë këtë tregues me rreth 3.3 pikë përqindjeje.
Ish-Credit Agricole (sot Banka Amerikane e Investimeve) ka shënuar uljen më të madhe të treguesit me probleme, duke e zbritur nga gati 40% në 21.4%. Në prag të shitjes së saj vitin e kaluar, banka u përfshi në një proces pastrimi bilanci nga huat e pakthyera në afat. Në tetor të vitit të kaluar, u finalizua procesi i blerjes së francezes Credit Agricole nga grupi NCH Capital, që e shndërroi atë në Bankën Amerikane të investimeve (ABI). Banka rezultoi me një humbje prej 2.7 miliardë lekësh në 2015-n, sipas bilancit të saj, si rrjedhojë e humbjeve të larta nga zhvlerësimi i aktiveve financiare (huave dhe paradhënieve ndaj klientëve).
Raiffeisen Bank ka parë gjithashtu një rënie të treguesit të NPL-ve nga 26% në 20% në 2015-n.
Në fund të 2015-s, banka kishte 8.2 miliardë lekë (rreth 60 milionë euro) kredi mbi 360 ditë vonesë në portofolin e saj (të zhvlerësuara individualisht), sipas bilancit zyrtar.
Raiffeisen Bank numëron disa kreditorë të mëdhenj, si ARMO, aktivet e të cilit i kanë mbetur në “derë”, pasi nuk ka arritur t’i shesë në ankandet e organizuara muajt e fundit, dhe në 2016-n u shtua edhe Kurum, që shpalli falimentin në shkurt dhe që ka një ekspozim prej rreth 40 milionë eurosh në sistemin bankar shqiptar, pjesa më e madhe e së cilës ndaj Raiffeisen.
Banka ka parë një rënie të fitimeve neto nga 5 në 2 miliardë lekë në 2015-n, si rrjedhojë e reduktimit të të ardhurave neto nga interesat dhe rritjes së humbjeve nga zhvlerësimi i huave.
Banka Kombëtare Greke (NBG) ka shënuar rënien më të fortë të treguesit të NPL-së pas ABI (ish-Credit Agricole). Huat që nuk janë kthyer në afat kanë zbritur në 20% nga gati 36% që ishin në fund të 2014-s. Banka nuk e ka publikuar ende raportin vjetor 2015.
Bankat e tjera i kanë huat me probleme nën 20%
Ndërsa bankat e tjera, Intesa SanPaolo, UBA, Banka e Parë e Investimeve (FIB), Credins, Veneto, Union Bank, ICB, ProCredit, BKT, Societe Generale i kanë huat e pakthyera në afat (më shumë se 90 ditë vonesë), më pak se 20% të totalit të stokut të kredisë që kanë dhënë për bizneset dhe individët.
Intesa SanPaolo e ka ulur ndjeshëm këtë tregues me gati 9 pikë përqindjeje në 19%.
UBA dhe FIB kanë parë rritje me më shumë se 3 pikë përqindjeje.
Credins dhe Union Bank kanë arritur ta ulin këtë tregues me rreth 2 pikë përqindjeje secila.
Dy bankat me nivelin më të ulët të NPL-ve në sistem janë BKT, më e madhja në vend, që e ka ulur NPL-në me 2 pikë përqindjeje në rreth 9%, ndërsa Societe Generale mban rekordin pozitiv, pasi ka arritur të ulë huat e pakthyera në afat në vetëm 8.6%, shumë më poshtë se mesatarja e sistemit prej 18.2%.
Por rikthimi me rritje i huas me probleme nuk është vetëm një shqetësim për bilancet e bankave, por i gjithë ekonomisë së vendit. Kreditimi i ekonomisë është furnitori kryesor i rritjes ekonomike. Por bankat e kanë konsoliduar qëndrimin se pa u shëruar ekonomia dhe pa nisur të rikuperohen huat e këqija nuk do të ketë hua të re. Sakaq është krijuar një rreth vicioz, ku bankat janë në pritje të përmirësimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër, ekonomia reale është në pritje të rritjes së financimit të bankave që të nisë rritjen.

Kredia për bizneset jashtë, rreziku i ri

Frenimi i kërkesës së brendshme për kredi ndaj biznesit dhe moskthimi i lartë i kredive të dhëna, po i çon likuiditetet e bankave drejt kreditimit të kompanive të huaja jashtë territorit të vendit tonë. Kjo tendencë shton rreziqet për të monitoruar cilësinë e këtyre huave. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se, këto investime paraqesin risk të lartë për monitorimin e cilësisë së portofolit për shkak të procedurave të ndryshme rregullatore dhe ligjeve në Shqipëri dhe vendet ku ushtrojnë aktivitet kompanitë.
Teprica e kredisë për jorezidentët shënoi nivelin 59.9 miliardë lekë (rreth 430 mln euro) në fund të 6-mujorit të parë 2016.
Nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, për biznesin jorezident, teprica e kredisë u zgjerua ndjeshëm gjatë periudhës janar-qershor 2016, me rreth 9.7% ose 4.5 miliardë lekë. Edhe kundrejt një viti më parë, kredia për biznesin jorezident shënoi rritje me rreth 1% ose 0.6 miliardë lekë.
Pesha e kredisë dhënë subjekteve jorezidente në tepricën e kredisë është rritur në 10.0% në qershor të vitit 2016, nga 9.2% që zinte në dhjetor 2015, por është e pandryshuar nga një vit më parë.
Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë kredia për subjekte biznesi, e cila është rritur me 9.7% gjatë periudhës, duke zënë 85% të totalit të tepricës së kredisë për jorezidentët.
Kredia jorezidente për individët zë një peshë të ulët dhe shënon zgjerim në terma vjetorë dhe gjatë periudhës. Në përgjithësi, kredia për jorezidentët orientohet në afate më të gjata maturimi, me peshën kryesore në afatin e mesëm (52%). Gjatë vitit të fundit, vërehet zgjerim i peshës së kredisë afatmesme dhe ngushtim i asaj afatgjatë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se cilësia e kredisë për subjektet jorezidente konsiderohet relativisht e mirë, pasi raporti “kredi me probleme ndaj tepricës së kredisë” shënon 5.5% dhe ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë 2 viteve të fundit.

Përkeqësimi i portofolit të kredive çon provigjionet e bankave në 572 mln euro

Përkeqësimi në rritje i portofolit të kredive në banka është reflektuar së fundmi me rritjen e fondeve të provigjioneve.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, fondet rezervë për të mbuluar rritjen e kredive të këqija arritën në 79 miliardë lekë, shumë kjo e barazvlefshme me 572 milionë euro.
Banka e Shqipërisë analizon se, pavarësisht procesit të vazhdueshëm të fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave, përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë është reflektuar në rritje të fondit të provigjionimit për periudhën. Ky i fundit u rrit rreth 2.4 miliardë (ose 3.2%) më i madh në krahasim me tepricën e fondit në fund të vitit 2015.
Pesë banka (nga të cilat një e madhe dhe dy të mesme) raportojnë humbje për periudhën, kryesisht në reflektim të rritjes së shpejtë të shpenzimeve për provigjionim. Së fundi, bankat e mëdha raportojnë nivel të ulët financimi, ku raporti “kredi/depozita” rezulton nën mesataren e sektorit (54%).
Të dhënat e detajuara deri në muajin korrik treguan se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huat nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë, çka tregon se nuk është vetëm efekti i Kurum International, që shpalli falimentin në korrik dhe kishte rreth 30 milionë euro kredi në bankat shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button