Bota

“ISIS po përdor fëmijët në Mosul”

Të mitur të moshës 9-vjeçare po rekrutohen nga ISIS për të luftuar e për t’u hedhur në erë në emër të Allahut dhe luftës së shenjtë.

Janë të vegjël, mund t’u afrohen forcave të sigurisë pa shkaktuar alarm, për të shpërthyer më pas mes kolonave që po avancojnë gjithnjë e më shumë, drejt zonave urbane të qytetit të Mosulit në Irak.

Fakti që kalifati përdor fëmijë të vegjël për të luftuar ata që i quan jobesimtare nuk është diçka e re. Shumë herë gjatë dy viteve të fundit, videot e tyre të propagandës kanë shfaqur 12 e 13 vjeçare teksa lexojnë mesazhe urrejtje, e qëllojnë pengjet e gjunjëzuara. Kështu ishte diçka e pritshme që me intensifikimin e ofensivës për çlirimin e Mosulit, qyteti më i populluar dhe i rëndësishëm i kontrolluar nga Shteti Islamik në Irak, militantët do të shfrytëzonin fëmijët ushtarë.

Denoncimi vjen nga OKB dhe konfirmohet nga dëshmitarë që jetojnë në zonë. Shumë prej të miturve arsimohen në shkolla fetare fundamentaliste, që kanë zënë vendin e shkollave shtetërore të mbyllura në qershor të 2014-s.

Në vend të gjeografisë e matematikës ata mësojnë të indoktrinohen se vdekja si martir është një privilegj që hap dyert e parajsës. Jo rastësisht janë krahasuar me rininë hitleriane, e gatshme për t’u sakrifikuar në betejën e fundit për Berlinin në prill të 1945-s.

Një grup sunit që operon në zemër të qytetit kundër ISIS, rrëfeu për agjencinë spanjolle EFE, se të ashtuquajturit “Luanë të vegjël” të kalifatit janë tashme një realitet i qartë në një qytet prej një milionë e gjysmë banorësh.

Zëdhënësja e agjencisë se OKB-së për refugjatët, UNHCR-së ngre alarmin se në qytezën e Tal Afar militantet dilnin në rrugë me altoparlantë për të urdhëruar familjet të dorëzonin fëmijët e tyre të moshës 9 vjeç e sipër.

Gjithashtu OKB dhe Amnisty International sinjalizojnë se ISIS po ekzekuton në publik tradhtarët e dyshuar dhe ish-policët e punonjësit e qeverisë iraniane që gjenden në burgun e qytetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button