Home / Ekonomia / Gjoba 10-fish për dëmtimet në rrugë, masa për sigurinë e fëmijëve

Gjoba 10-fish për dëmtimet në rrugë, masa për sigurinë e fëmijëve

Qeveria kërkon që ndërhyrjet në rrugë të riparohen nga abuzuesit

RRUGA-E-KUKSIT_1“Qeveria raporton në Kuvendin e Shqipërisë për rezultatet e arritura dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e sigurisë rrugore”, kjo është shtesa e parë që vihet në nenin 1 të Kodit Rrugor, që propozohet të ndryshohet nga Këshilli i Ministrave. Numri i lartë i aksidenteve që ndodhën gjatë vitit 2013, ku 295 prej tyre ishin fatale, detyron qeverinë që të ashpërsojë gjobat për shkeljet e Kodit Rrugor.

Dëmtimet e rrugëve

Në këtë kuadër, ndryshimet e propozuara të Kodit Rrugor synojnë të përmirësojnë më tej sigurinë në qarkullimin rrugor me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve. Dëmtimet, shkarravitjet apo çdo shënimi në sinjalistikën rrugore ka rezultuar të ketë ndikim direkt në aksidentet, prandaj, sipas relacionit të qeverisë,  propozohet dhjetëfishimi i gjobave ndaj kundërvajtësve dhe detyrim për sjelljen në gjendjen e mëparshme të gjendjes së rrugës. Gjithashtu, në këto masa përfshihet krijimi i zonave të shërbimit të paautorizuara me akses në rrjetin rrugor dhe lidhjet hyrëse dhe dalëse të paautorizuara në objekte apo territore që lidhen me sistemin rrugor. Nga analizat e bëra prej Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës del se ndërhyrjet kanë qenë një nga burimet kryesore të aksidenteve në rrugë, prandaj edhe masat administrative me gjobë do të 10-fishohen për kundërvajtësit e kësaj natyre. Një nga shqetësimet me pasoja për drejtuesit e mjeteve janë edhe vendosja e çdolloj reklame apo njoftimi të paautorizuar në perimetrin rrugor, veprim i cili me ndryshimet në Kodin Rrugor do të ndëshkohet me gjoba katërfish më tepër se ato të parashikuara aktualisht. Gjithashtu, subjektet apo individët kundërvajtës do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara të infrastrukturës rrugore. “Cilido që kryen shkeljet dhe është përgjegjës me faj në ndodhjen e një aksidenti, që ka sjellë dëme të rrugës apo pjesëve që i përkasin asaj, është i detyruar t’ia paguajë entit pronar të gjitha shpenzimet për risjelljen në gjendjen fillestare”, ky është përcaktimi që bëhet në ligj. Ndërkaq, cilido që hap hyrje a degëzime të reja ose cilido që transformon a ndryshon mënyrën e përcaktuar të përdorimit të atyre ekzistuese pa autorizimin e entit pronar të rrugës apo që mban në përdorim hyrje ekzistuese të paautorizuara, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në katërqind mijë lekë. E njëjta gjobë zbatohet edhe për vendosjen e veprave, tabelave, parullave dhe çdo tip impianti e formë reklame. Autori detyrohet gjithashtu të sjellë terrenin në gjendjen e mëparshme.

Fëmijët

Fëmijët deri në 12 vjeç duhet të transportohen vetëm në mbajtëse të fiksuara në ndenjëset e makinës. Thuhet në kodin aktual. Ndërkaq, propozohet edhe një shtesë. “Fëmijët nuk duhen transportuar në sisteme fiksuese me fytyrë prapa në ndenjëset e pasagjerëve të mbrojtura me jastëk ajri, përveçse kur këto të fundit janë të çaktivizuara”, është kjo një nga shtesat në kod. Ndërsa ndëshkimi, nga pesëqind deri në një mijë pesëqind lekë, bëhet pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. “Përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së drejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj”, saktësohet për këto lloj shkeljesh.

Kur hyn në fuqi?

Të gjitha dispozitat që lidhen me garantimin e sigurisë rrugore dhe ruajtjen e infrastrukturës hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit të ndryshimeve të Kodit Rrugor në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq, ndryshimi i formatit të lejes së drejtimit sipas Traktatit të BE-së, do të realizohet brenda një vitit nga miratimi i këtij ligji. Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet në zbatim të neneve të riformuluara të Kodit Rrugor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: