Home / Ekonomia / Policia e Shtetit: Evidentohen 155 ndërtime pa leje, procedohen penalisht 156 persona

Policia e Shtetit: Evidentohen 155 ndërtime pa leje, procedohen penalisht 156 persona

0301-POLICIA-SHTETIT-554x350Policia e Shtetit, nëpërmjet zv/Drejtorit te Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, në një deklaratë për mediat ditën e enjte, ka deklaruar se Policia e shtetit po vijon me vendosmëri masat e marra për kontrollin e plotë të territorit, me qëllim goditjen e krimit mjedisor, veprave penale që cënojnë regjimin e tokës, si dhe të ndërtimeve të paligjshme.

Qato u shpreh se “gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni të rëndësishëm, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar 155 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 156 persona dhe për 21 persona, të cilët nga verifikimet e kryera kanë rezultuar pronarë të këtyre ndërtimeve të paligjshme në tokë publike, shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë, ndërkohë qe për 130 të tjerë ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë dhe 5 shtetas janë shpallur në kërkim”.

Qato theksoi se “vetëm gjatë ditës së djeshme strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar 107 ndërtime të paligjshme në të gjithë territorin e vendit, duke proceduar 108 persona dhe arrestuar 15 prej tyre. Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin do të vijojnë me përparësi të gjitha masat për kontrollin e plotë të territorit, me synim parandalimin e goditjen e veprave penale në këtë fushë”.

Ai vuri ne dukje se “Policia e Shtetit është e vendosur të përmbushë detyrat e saj institucionale në mbrojtje të gjithë pasurisë kombëtare, duke mos lejuar cenimin e saj nga askush dhe duke vendosur para drejtësisë të gjithë ata persona, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre janë përfshirë në një veprimtari të tillë  kriminale apo e kanë lejuar atë”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: