Home / Opinion / Çfarë duhet të bëjë Edi Rama?

Çfarë duhet të bëjë Edi Rama?

Nga Mustafa NANO

Rama po shkon në zgjedhje edhe si arrogant, edhe si nacionalist, edhe si reformator, edhe me aleatë të pasigurt, edhe me një entourage ngordhalaq, edhe si lojtar i zoti në diplomaci, edhe si i korruptuar, edhe me ekonominë si mos më keq. Cili nga këta faktorë do të jetë më i rëndësishmi në ekuacionin elektoral? Kjo mbetet për t’u parë. Por ndërkohë, ai ka ende kohë të ndreqë diçka në qeverisjen e vendit. Dhe kjo gjë mund të fillojë me një tërmet në qeveri.

Le të shohim pak se si po shkon Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të vitit tjetër. Ta fillojmë me arritjet e tij: “Po pritet që të çelen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, është miratuar ligji për kompensimin e shpërblimin e ish-pronarëve, është vënë rregull për sa u takon ndërtimeve pa leje dhe ka filluar në stil të gjerë një proces legalizimi i ndërtimeve pa leje të kryera deri në vitin 2013, është vënë në binarë treni i Reformës në Drejtësi, dhe pritet që shumë shpejt të mbërrijë në stacionin e fundit (nëse nuk do bëhen pengesë ata që këtë reformë të nevojshme për vendin e shohin si të keqen e tyre), janë kryer një numër reformash të tjera, si ajo e pensioneve, ajo territoriale, ajo e arsimit etj., për efektet e të cilave, ç’është e vërteta, është ende herët të flitet, është bërë de-Kristalizimi i botës universitare, është futur njëherë e mirë kultura e kuponit tatimor në praktikën e shitjeve e të blerjeve me pakicë, ka dhënë frute përpjekja për t’i detyruar, deri dhe me metoda represive, një pjesë qytetarësh që të paguajnë faturat e energjisë elektrike, është disiplinuar trafiku urban, aq sa sot respektimi i semaforëve në udhëkryq është bërë normë edhe për gangsterët urbanë, po rindërtohen qendrat e të gjitha qyteteve të rëndësishme të Shqipërisë, është krijuar në Shqipëri një klimë, në të cilën nuk është më frikë të jesh opozitar, gjë që duket edhe te portalet e shumta anti-qeveri që financohen me para apo reklama biznesmenësh lokalë etj. etj”.

Tani një numër cenesh e dështimesh: “Ekonomia është e mekur, e nuk ka gjasa që të këndellet në muajt e ardhshëm, investimet e privatëve sidomos ato të të huajve, janë në nivele të mjerueshme, borxhi publik është rritur mbi 70%, GDP-ja rritet me një ritëm 2-3%, por në këtë rritje më shumë ndikon ndonjë investim fatlum, si TAP-i, e një lloj talenti shqiptar për të mbijetuar (nënkupto edhe kanabizimin e territorit) se sa politika qeveritare që synojnë rritjen, administrata e ndarë në llokma më shumë u shërben partive në koalicion se sa publikut, është ngritur një sistem që, si provë të legjitimitetit e si kartë morale të vetën na shet luftën ndaj kundërvajtjeve të atyre që s’kanë krahë (duke filluar me Shukrinjtë e duke përfunduar me ata që nuk kanë fuqi të paguajnë faturën e energjisë elektrike), është krijuar një klimë biznesi, në të cilën e vetmja garë mes sipërmarrësve të mëdhenj është ajo për t’i fituar zemrën kryeministrit e ministrave, e jo ndonjë garë e llojit tjetër, në botën e masmedias të lirë janë vetëm pronarët, që rëndom janë miq me kryeministrin, një numër entesh të qeverisjes lokale apo qendrore u provuan se ishin të kriminalizuara, qeverisja është tërësisht jo transparente dhe kjo ka sjellë që ajo të mbetet e korruptuar (një numër rastesh të denoncuara në shtyp të krijojnë idenë se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë kaq e korruptuar) etj. etj”.

Vazhdojmë më tutje. Këtë herë me një nënvizim pozitiv. Rama ka ditur të prezantohet mirë, dhe me dinjitet, në politikën e jashtme. Ka ditur të lërë shenjë. Aq sa mund të lërë shenjë kryeministri i një vendi si Shqipëria, kuptohet. “Osht një kryeministër që jasht t’nero”, mund të thuhej me një gjuhë të thjeshtë baresh. Këtë sjellje dinjitoze e ka manifestuar edhe në marrëdhëniet me vendet fqinje. Me Serbinë, e sidomos me Greqinë. Me këtë të fundit, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve bilaterale po tentohet që fqinjëve tanë t’u thuhet se marrëdhëniet e mira nuk ka kuptim të ngrihen prore mbi një si appeasement, me fjalë të tjera mbi tërheqjen e palës së dobët shqiptare para tekave të palës së fortë greke, se marrëdhëniet e mira duhet të ngrihen mbi logjikën e reciprocitetit, s’ka gjë se Shqipëria është më e vogël dhe Greqia është më e madhe, se Ligji i Luftës është një gjyle që nuk ka pse ta kemi nëpër këmbë, se për çështjen e çamëve mund të duhet të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, se fshehja e problemit çam afërmendsh nuk është zgjidhje etj. Kritikat se Rama duhet të qetësohet pak, se të njëjtat gjëra mund t’i thotë pa tërsëllëm, se të bësh publicistin teksa je kryeministër nuk është një gjë gjithnjë e këshillueshme, dhe se ca gjëra është mirë të thuhen o ndryshe, o gjetkë, o nga të tjerë, kritika të tilla pra janë absolutisht të drejta. Por duhet thënë se Rama, edhe sikur nesër të pushojë së qeni kryeministër, u ka hapur rrugën pasardhësve të tij që të sillen me më shumë dinjitet me fqinjët tanë grekë e që të kenë gojë për t’i kërkuar ca gjëra që kurrë nuk i kanë kërkuar. Kaq mjafton që t’i vihet fre zellit të ca e ca-ve për të gërmuar e gjetur qëllime të liga prapa qëndrimeve që ata vetë i përshëndesin. Gazetarët, por edhe politikanët, pasi të jenë lodhur duke i thënë “plaç”! një kryeministri që nuk e duan, mund të gjejnë pak qetësi e kohë sa për t’i dhënë një “chapeau” të momentit. Ndryshe, nëse e rrethojmë me presion edhe për këtë gjë (Blushi ka qenë një zhgënjim në këtë rast), Rama ka rrezik të shihet në këtë pikë, me pa të drejtë, si një marrok, e jo si një kryeministër që rivendosi stekën atje ku duhet. Shkurt, për sa i takon politikës së jashtme, Rama ka përbërë një risi në politikën shqiptare të 26 viteve të fundit. Dhe ai shkon në zgjedhjet e ardhshme me këtë kartë.

Por jo të gjitha kartat i ka në rregull, gjë që del edhe nga çfarë rreshtova më sipër në listën e dështimeve të kësaj qeverie. Ku nuk përfshiva një gjë. Dhe e bëra qëllimisht. Për t’u ndalur tani. Edi Rama ka ndërtuar një nga ekipet më të dobëta qeverisëse të 100 viteve të fundit. Shpëtim Nazarko, në mos gaboj, ka thënë në një rast se Edi Rama është kryeministri më i kulturuar në historinë e Shqipërisë, pas Fan Nolit. Ja, ta zëmë se është e vërtetë, i dashur Shpëtim. E megjithatë, në këtë historinë tonë, nuk ka patur një kryeministër tjetër që t’i ketë patur kaq zët njerëzit e kulturuar. E nuk besoj se ka nevojë ta ilustrojë këtë që sapo thashë…. Ose, kërkoj ndjesë, ndërrova mendje, po e bëj ndonjë ilustrim. Ai preferon Taulant Ballën para Ben Blushit, çupkat e tatimeve e të doganave para Mimoza Hafizit etj. etj. Shije të çuditshme, apo jo?

Sikur të mos mjaftojë kjo, ekipi i tij është edhe i korruptuar. E nuk ka se si të jetë ndryshe. Prandaj, qeverisja e Ramës e ka hak një “medalje” në këtë drejtim. Ua merr të gjitha qeverive të mëparshme shqiptare. Dhe e bukura është se Rama këmbëngul që të mos ndryshojë asgjë deri në zgjedhje, gjë që mua më bën të më lindë një pyetje dyshuese: Është i lirë Rama të marrë vendime, është i lirë të vendosë të largojë prej rrethit të vet “|djemtë e këqij” (besoj se e keni vetë merak që termin “djemtë e këqij” ta shihni përtej kufijve gjinorë që përcakton vetë termi; dhe në fakt, djemtë e këqij ka qëlluar ca si shpesh të jenë vajza), është i lirë t’u tregojë vendin horrave që ka zgjedhur si bashkëpunëtorë apo të tjerëve që i janë bërë horra përpara syve të tij, është i lirë të vendosë të ndryshojë diçka te vetja, të përmirësohet? Ka ca që mendojnë se Rama nuk e bën ndryshimin e qeverisë, ngaqë kjo do të merrej se ishte Meta që ia futi këmbët në një këpucë (Meta, nën motivime nga më të ndryshmet, personale e impersonale, ka kohë që ia kërkon këtë gjë), apo se në këtë mënyrë ai do të përligjte kritikat e opozitës. Tani, këto janë arsyetime që një kryeministër edhe mund t’i bëjë, por në rrethana të tilla nuk duket se ka shumë kuptim që të jetë kështu. Nëse ka një gjë që Rama nuk duhet ta bëjë është të shkojë në zgjedhje me këtë qeveri. Dhe të mos e gënjejë mendja se do të jenë mjaft dy-tri ndryshime, sa për të dhënë idenë e ndryshimit e sa për t’i hedhur hi syve opinionit publik. Shqiptarët, dhe Rama vetë është i pari që duhet ta dijë këtë gjë, kërkojnë një shkundje të fortë të qeverisë e të qeverisjes.

Do ta bëjë Rama këtë gjë? Si zor. Edhe sikur të jetë i lirë për të vendosur, ai duket si një njeri që nuk di a nuk do të bëjë llogari. I ka mbushur mendjen vetes se zgjedhjet mund t’i fitojë me ministra si Arben Ahmetaj. Nuk i shkon në mendje se për të fituar zgjedhjet duhet shumë më tepër. Duhen dhe aleatë të të gjitha llojeve. Mirëpo ai e ka mendjen te zgjerimi i hartës së sherreve të veta. Ka tre vjet që, në vend të flasim për bashkëpunimin PS-LSI në qeverisjen e vendit, flasim veç për mospajtime, hile, pakënaqësi, mllef, goditje pas shpine që Rama e Meta i bëjnë njëri-tjetrit. E sikur ky sherr mes të dyve të kish plasur gjatë debatit për Reformën në Drejtësi, faji do binte i tëri mbi Ilir Metën, që këtë reformë nuk e ka dashur, që këtë reformë ka bërë çmos ta sabotojë në bashkëpunim me Sali Berishën, dhe deri në një farë mase ia kanë dalë, e ndoshta do t’ia dalin në masë të plotë. Por xanxat mes Ramës e Metës, ç’është e vërteta, kanë lindur qysh në ditën numër një të afrimit të tyre. Dhe nuk ka qenë gjithnjë për faj të Metës.

Rama është futur në një sherr spektakolar edhe me gazetarët. Madje, çështja nuk është fare që është në sherr me ta (disave prej gazetarëve një Perëndi ua di hallin). Çështja është që Rama e kërkon këtë sherr, më tej e spektakolarizon, më tej akoma nuk lë askënd pa fyer me logjikën “Je kritik ndaj meje? Ok, je gazetar kazani, je portalexhi, je sharlatan. Nuk je kritik ndaj meje? Je një zotni burrë”. Këtë sjellje e ka manifestuar po njësoj me gazetarët e Prishtinës. E nuk është se ka lënë kokëmënjanë veç këta të fundit. Ka lënë kokëmënjanë edhe autoritetet e Prishtinës. E më në fund, është sherri me Athinën. Por për këtë të fundit, siç thashë, duhet bërë me faj për tonet, e jo për mesazhet.

Për ta thënë përmbledhtazi, Rama po shkon në zgjedhje edhe si arrogant, edhe si nacionalist, edhe si reformator, edhe me aleatë të pasigurt, edhe me një entourage ngordhalaq, edhe si lojtar i zoti në diplomaci, edhe si i korruptuar, edhe me ekonominë si mos më keq. Cili nga këta faktorë do të jetë më i rëndësishmi në ekuacionin elektoral? Kjo mbetet për t’u parë. Por ndërkohë, ai ka ende kohë të ndreqë diçka në qeverisjen e vendit. Dhe kjo gjë mund të fillojë me një tërmet në qeveri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: