Home / Bota / Biznesmeni që u bë president. Ja rrugëtimi drejt Shtëpisë së Bardhë

Biznesmeni që u bë president. Ja rrugëtimi drejt Shtëpisë së Bardhë

Manjati i pasurive të patundshme, biznesmen, zotërues konkursesh të bukurisë, ylli i “reality show”-t, e tani, në kulmimin shpërthyes të një fushate populiste e ndjeshëm të polarizuar, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për ata që u rritën në Amerikën e viteve 1970, Donald Trumpi është ai biznesmeni i ri që u mor me rinovimin e disa prej ndërtesave ikonë të qytetit, me atë që më vonë do ta përshkruante si “një hua e vogël prej një milion dollarësh” nga babai i tij.

10 vite më vonë, tashmë goxha më i stabilizuar si afarist, prek famën me “bestseller”-in e tij të “New York Times”, “Arti i marrëveshjes”, ku tregon në detaje rrugën që e çoi drejt grumbullimit të pasurisë.

Vitet ’90 e kthyen Trumpin në figurë fikse të kulturës popullore, si pronar i konkursit të bukurisë “Miss Universe” dhe fytyrë e disa prej shfaqjeve televizive më popullore të vendit, serialeve e filmave si “Home Alone 2”, “Sex and the City”, dhe “the Fresh Prince of Belle Air”.

Hyrja e mijëvjeçarit të ri e gjen tashmë në portat e famës globale me spektaklin televiziv “The Apprentice”. “Je i pushuar”, shprehja e tij që fshikullon pjesëmarrësit humbës të shfaqjes do të shndërrohej në njërën prej batutave ikonë të epokës së “reality show”-t.

Kapërcimi nga biznesi te politika nuk ishte kurrë tejet i vështirë, teksa me idenë e një përfshirjeje në jetën politike të Amerikës, ai ka flirtuar vazhdimisht nga vitet ’80 e këtej. Për dy dekada rresht, duke nisur nga 1988-a, manjati i pasurive të paluajtshme shkoi sa pas demokratëve, aq edhe pas republikanëve, për ta ndarë mendjen pastaj me qëndrimin te këta të fundit, kur në krye të Shtëpisë së Bardhë u vendos Barack Obama, armiqësinë ndaj të cilit nuk e fshehu kurrë.

Trump ishte një nga zërat kryesorë që ushqyen teoritë se Obama kishte gënjyer për vendin e lindjes, çfarë duhet të zhvlerësonte të drejtën e tij për të kërkuar Presidencën amerikane. Me garën për Zyrën Ovale, miliarderi shënoi një ngjitje drejt pushtetit, e cila sfidoi pritshmëritë e analistëve politikë, medias, rivalëve, e madje befasoi edhe vet pjesëtarë të partisë së tij, që nuk e menduan asnjëherë se do të arrinte të kalonte edhe procesin e paraprakeve.

Donald Trump i mbijetoi jo vetëm rrëzimit nga retorikat shpërthyese populiste, por edhe shpagimit ndaj deklaratave me sfond racist, akuzave për ngacmim seksual dhe ato të shmangies së taksave. Njerëzit e mbështetën masivisht, sidomos në shtetet e lëkundura, duke u bërë protagonistë të tronditjes më të madhe politike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.