Opinion

A mund të ketë një Donald Trump “shqiptar”?

Nga Bedri Islami

Që nga janari i vitit që vjen, Donald Trump do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Në fillimin e fushatës askush nuk do të mund ta besonte se ai do të ishte kandidati presidencial i republikanëve amerikanë. As vetë republikanët. Ia doli. Ia doli, megjithëse kishte kundër mes shumë të tjerësh edhe një familje të njohur presidenciale, Bush.

Pastaj askush nuk e besonte se ai do të ishte përballë një gruaje, e cila duke kaluar natyrshëm të gjitha shkallët e politikës, do të synonte që të ishte gruaja e parë presidente në historinë e Amerikës.

Trump ishte përballë saj, ndoshta edhe më i gëzuar se sa të ishte përballë dikujt tjetër. Zonja Klinton, në rrugën e gjatë të politikës kishte lënë shumë dritëhije, disa nga të cilat i mori pas vetes pikërisht nga bashkëshorti i saj. Rruga e gjatë në politikë, megjithë zotësinë për të qenë e pranishme, e kishte lodhur besimin ndaj saj. Njerëzit kërkonin diçka të re, krejt ndryshe dhe, si duket nuk e gjenin tek ish Zonja e parë.

I ndodhur përballë, Donald Trump bëri atë që nuk mendohej nga pakkush, ose më saktë, nga më pak se gjysma e amerikanëve dhe nga më pak se një e pesta e evropianëve: ai e mundi zonjën Klinton dhe tani pret qetësisht vendin e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe në zyrën ovale.

E pabesueshme, por e vërtetë.

Njeriu që i theu të gjithë rregullat e një fushate presidenciale, skërmitësi i hekurt, i pandryshueshëm deri në thelb, arrogant dhe plot skandale njerëzore, që kishte kundër edhe njerëzit e partisë që e kandidoi nga halli, përmbysi atë që mendohej se nuk mund të përmbysej: pandryeshmërinë e artë të Presidentit të ardhshëm dhe, që nga sot, mendja e tij do të jetë tek stafi qeverisës, duke e pasur më të lehtë se Obama, pasi ka rreth vetes edhe Kongresin, edhe Senatin Amerikan.

Ishte një ditë tragjike apo një fillim i ri, këtë nuk e di askush. Shumë vetë mendojnë në një gabim historik të amerikanëve, në krye të vendit do të jetë njeriu më kontrovers në historinë e këtij vendi të madh, por ai ia doli dhe për këtë i duhet hequr kapelja.

A mund të kemi në Shqipëri një shembull të Donald Trump-it?

Nuk e besoj se do të jetë një shembull që ndiqet. Për shumë arsye.

Megjithëse Trump hyri në politik si një dem i harbuar, përsëri ai i mbështeti shpatullat në njerën nga dy partitë e mëdha tradicionale, tek Republikanët. Megjithëse i hyri me zor në oborr, nëse nuk do e kishin pranuar, loja e tij politike do të kishte përfunduar ende pa filluar.

Dy kampet e mëdha të politikës shqiptare i kanë dyert e mbyllura për hyrje të tilla befasuese. Ata, prej shumë kohësh kanë ngritur sinorët përtej së cilave është e vështirë të kalohet. Për të qenë pjesë aty duhet, ose të kesh kaluar nëpër një ministri, si kaloi Edi Rama, ose të jesh i suksesshëm në drejtimin e kryebashkisë së vendit, po ashtu shembulli i Ramës, ose të jesh kanakari i shefit të partisë, si është Basha. Përmbysje tjetër nuk ka dhe si duket, as nuk do të ketë.

Të hysh në politikë si Trump në rradhë të parë duhet të gjesh një si ai. Pra një financier të fuqishëm, të ashpër, herë antiligj e herë ligjvënës, me ambicie të fuqishme, në një shtet ku rregullat janë për të gjithë dhe ku hapësirën tënde, nëse nuk ta hapin, duhet ta hapësh me forcë.

Në Shqipëri biznesmeni më i fuqishëm thonë se është Samir Mane. Nuk e njoh, për herë të parë e kam parë në një emision TV, dhe me atë që ndoqa, kariera politike ishte jashtë vemendjes së tij, por edhe karakteri ishte diçka e huaj për politikën.

Figurat e reja politike që kanë hyrë në këtë shteg, ashtu si hynë, në shumicën e tyre janë të ardhur nga politika. Gjergj Bojaxhi vjen nga Partia Demokratike, Ben Blushi nga Partia Socialiste, Agron Duka ka dy prejardhje, nga socialistët ku ishte ministër, dhe nga Republikanët, ku ishte deputet dhe nuk e lejuan të bëhet kryebashkiak.

Nga të gjithë këto, pra jo të panjohur politikisht, vetëm njëri është i fuqishëm në financë, Duka. Dy të tjerët, janë të pasur, por jo të mbytur në pasuri. Për të dy, partitë e mëdha i kishn dyert e mbyllura, ose më saktë, ia mbyllën dalngadalë. Deri sa e ndjenë veten faktikisht jashtë tyre dhe..dolën.

Figurë karizmatike kontroverse në Shqipëri është shumë e vështirë të gjesh. Ta krijosh është e pamundur. Deputeti kaubojs i Lezhës dëshmon se si mund të kthehesh në figurë tragjikomike, pasi nuk e di as vetë se përse je aty. Të kanë bërë pjesë të listës për të financuar fushatën, duke menduar periudhën paszgjedhore, përmes së cilës mund të vësh në vend humbjet apo të jesh diku në një qoshe, përmes së cilës mund të kalosh nëpër tehun e doganave dhe të tatimeve.

Biznesmenët e fshehur të politikës as nuk e shkojnë ndër mend të përsërisin aventurën Trump. Ata hesapet nuk e kanë me financën drejt politikës por me politikën drejt financës. Nuk u bënë të pasur se ishin financierë të zotë, por sepse, duke luajtur në politikë zari i financës u ndal para tyre. Të futen tani në politikë me sindromin Trump do të thotë të rrezikojnë atë që kanë fituar, çka është e palogjikshme në botën e tyre të zhvatjes.

Shembulli i presidentit të ardhshëm amerikan do të zgjojë interesa politike të çastit, të cilat shpejt mund të përmbysen.

Në Kosovë njëri ndër biznesmenët më të njohur është Ramiz Kelmendi. Pronar i madh, lidhja e të cilit me bizneset serbe, si thonë mediat e atjeshme, është e njohur. Në pak vite ai është bërë njëri ndër pronarët më të fuqishëm në Kosovë dhe tani është edhe zevendëskryeministër i qeverisë së Kosovës.

I angazhuar në politikë përmes AAK-së së Ramush Haradinajt, i kaluar në PDK-në e Hashim Thaçit, tani është përfaqësuesi i lartë i LDK-së së Isa Mustafës në qeverinë e Kosovës. Është rasti më tipik i njeriut që synon politikën, por që për fat të mirë, nuk gjendet edhe në shtetin shqiptar. Them për fat të mirë, pasi lëvizja e boshtit kurrizor është kaq e pandreqshme, sa që do të kishim një politikan kameleon më shumë se sa një bartës shprese.

Në janar do të jetë rrokada e rradhës në Shtëpinë e Bardhë. Në harkun e tetë viteve amerikanët votuan për herë të parë për president një afroamerikan, Obama, dhe një biznesmen miliarder, Trump.

Me të parin shpresat ishin jashtëzakonisht të mëdha, por edhe zhgënjimet ishin të ndjeshme.

Me të dytin zhgënjimi ishte i madh që në ditën kur u fut në lojën e thellë të politikës, por vazhdimi i saj nuk dihet. Amerika është në provën e saj të madhe.

Shqipëria, si duket, nuk do e bëjë kurrë këtë provë, edhe pse duhet bërë, por me statura të ndryshme politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button