Politika

Blushi: Rama, një zhurmues në fushatën e Trump

Deputeti Ben Blushi, në seancën plenare të kësaj të enjteje ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama për qëndrimin e shprehur më parë ndaj Donald Trump, një qëndrim që sipas tij kreu i qeverisë nuk mund ta justifikojë në asnjë mënyrë.
“Ramën e çoi interesi banal dhe meskin, që vazhdon si virus në këtë Parlament, vetëm për të hapur një derë apo për të kapur një selfie. Si një piktor i pavarur dhe një amator, një amator profesionist do të thoja, mund të rreshtohej me këdo, por si kryeministër i Shqipërisë nuk e kishte këtë të drejtë. Ai u rreshtua, por bëri më shumë nga sa i kërkuan”, ka thënë Blushi.
Ai është shprehur se, ajo që bëri Rama nuk ishte një përzgjedhje, por ai ofendoi dhe fyeu një kandidat. “Gjë që s’e ka bërë as Clinton. Ai tha një gjë që nuk e justifikon dot sot. Ai ka hyrë i sponsorizuar në një fushatë elektorale, ku kryeministri i Shqipërisë s’duhet të ketë asnjë punë. Rama u fut si një trompist i marrë me qera nga një orkestër për të shurdhuar fushatën e Donald Trump”, ka vijuar Blushi.
Ai i ka cilësuar të kota argumentet e përdorura nga Rama në ditët e fundit. “Tha se e kundërshtova për myslimanët, Kosovën dhe emigrantët. Po kush është Rama, imami i lagjes që do mbrojë myslimanët nga Amerika? Për Kosovën vendosi NATO. Po mbroj emigrantët, thotë tani. Kur emigrantët nga Siria u afruan në kufijtë e Shqipërisë, ky ishte kryeministri i dytë në Europë që tha: ‘nuk kemi punë me emigrantët, kufijtë nuk i hapim’. Ky do mbrojë emigrantët nga Meksika në SHBA?”, është shprehur Blushi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button