Opinion

Amerika dhe Donald Trump? Po merrni atë që meritoni

Kur më pyesin atë që mendoj për kandidatin kryesor në SHBA, unë ua them menjëherë: “Shpresoj shumë që ai të bëhet president”

Nga ASLI AYDINTASBAS*

Mu në qendër të Stambollit ndodhen Kullat Trump, pranë një mbikalimi i cili kalon përmes qytetit në lagjen e shëmtuar tregtare të MecidiyekÖy. Shitjet e banesave kanë qenë të ngadalta. S’ka dyshim që bllokimet e vazhdueshëm të trafikut në lagje, eleminojnë premtimin për të patur një pamje nga lart të qytetit, për cilindo blerës që do të donte të shpenzonte disa miliona.

Megjithatë, është e vështirë të të shpëtojë nga vëmendja ndërtimi gjigand. Ndodhet pranë një gjykate kolosale, Çağlayan Adliyesi, ku gazetarët kryesorë të Turqisë dhe akademikët janë përballur me gjyqe për kritikat e tyre ndaj politikave të qeverisë – me akuza për “mbështetje të terrorizmit”, “përpjekje për grusht shteti” apo “spiunazh”.

Kështu, kur miqtë e mi amerikanë më pyesin se çfarë mendoj për Donald Trumpin, unë ua them menjëherë: “Sigurisht që shpresoj që ai të bëhet president”. Zakonisht më shohin të tmerruar, dhe kërkojnë në fytyrën time, shenja që jam duke bërë shaka. “Kështu do të kuptoni se çfarë kemi kaluar të gjithë ne, në pjesën tjetër të botës”, shtoj unë.

***

Vërtetë që mezi pres të shoh takimin e parë dypalësh mes Vladimir Putinit dhe Trumpit, shtrëngimin e parë të duarve me Erdoganin, apo fotografinë e buzëqeshur me venezuelianin Nicolas Maduro. Takimi me Jacob Zuman e Afrikës së Jugut do të jetë argëtues, dhe vizita në Shtëpinë e Bardhë e Ilham Aliyevit të Azerbajxhanit, do të lihet në hije vetëm prej takimit në sallën ngjitur, mes dy zonjave të para.

Shumica e popujve në këtë planet jetojnë nën regjime të korruptuar dhe autoritarë, disa prej të cilëve janë aleatë të ngushtë të Uashingtonit. Kështu, tani edhe ju po merrni tuajin – ku është problemi! – u them unë miqve të mi të trembur.

Pastaj, mendoni pak anët pozitive të presidencës Trump. Imagjinoni sa mirë do të ishte të kishim një president të SHBA jodiplomatik, që tallet, i cili për shembull do të komentonte për flokët e Angela Merkelit, do të bënte shaka për rrobat e mbretit saudit, dhe në fund do të pyeste presidentin e Francës, Hollande, në lidhje me jetën e tij dashurore. Politika – dhe sidomos politika amerikane – ka qenë prej kohësh shumë e ndërfutur në një kornizë, e “higjenizuar”. A nuk është koha të injektojmë pakëz jetë në këngën dhe vallen e mërzitshme të diplomacisë ndërkombëtare?

Po sigurisht, nëse eksperiencat e Turqisë, Hungarisë, Venezuelës dhe pjesës tjetër të botës shërbejnë si mësim, argëtimi nuk merr fund me teprimet diplomatike – do të ketë ligje për të ndryshuar, gjykatës për të emëruar, gazeta për t’u marrë, elita për t’u flijuar në altar, dhe biznese për t’u ribërë. Dhe në çdo kthesë, do të habiteni se sa shumë njerëz do të mblidhen për të parë kokat që priten.

Nëse mendoni se kjo nuk mund të ndodhë kurrë në Amerikë – mendojeni prapë. Historia është e mbushur me shembuj figurash karizmatike që fitojnë mbështetjen e masave, për të shkatërruar sisteme politike të ekuilibruar. Demokracia është e rrëmujshme, dhe me Trumpin, edhe demokracia amerikane mund të bëhet e rrëmujshme.

Që tani ju dëgjoj tek thoni: “Ne kemi amendamentin e parë, ne kemi Gjykatën e Lartë, një traditë të gjatë të lirisë së shprehjes”, e kështu me radhë. Mos kini kaq shumë besim. Shihni Gjermaninë, e gatshme të dënojë një komik, vetëm për një poemë fyese ndaj presidentit turk. Shihni kudo në Europë, ku partitë raciste janë në ngjitje. Shihni Poloninë, që pavarësisht mësimeve nga Lufta e Dytë Botërore dhe epoka komuniste, tani po udhëhiqet nga një qeveri që synon ta ribëjë gjyqësorin. Një dekadë më parë, edhe vetë Turqia ishte një demokraci myslimane ekzemplare, rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian – sot, jemi katandisur në mesin e rrugës drejt autokracisë.

***

Nuk dua të tingëlloj si alarmuese, miqtë e mi, por të gjithë ne e dimë që Trumpi ka premtuar të ribëjë ligjet për shpifjen, që njerëzit “t’ju padisin, ashtu si nuk ju kanë paditur kurrë më parë”. Dhe turma brohoriste.

E vërteta është se shumë pak pengesa mund të dalin në rrugën e demagogut populist, një herë që ai nis një betejë ligjore me mbështetjen e milionave – sidomos në një vend ku një pjesë e establishmentit ligjor zgjidhet me votë popullore, e si pasojë është i prekshëm nga opinioni publik.

Kam një fjalë paralajmëruese për mediat e mëdha. Pothuaj çdo artikull për Trumpin shkruhet me një buzëqeshje vetëkënaqësie, që më ngjan shumë me qasjen e medias turke ndaj Erdoganit, një dekadë më parë. E dashur media amerikane, ju vetëm po ushqeni makinerinë e Trumpit. Nuk ka municion më të madh, se sa kur vihen në lojë prej elitave. Dhe e dini? Kudo ku shkoni, askujt nuk i pëlqen media – as edhe elitat. Prandaj Erdogani shpall një miniluftë ndaj medias, në çdo fushatë elektorale, arreston disa njerëz, dhe neutralizon rrjetet. Funksionon dhe turmave u pëlqen.

Besimi i Amerikës në veçantinë e saj – ideja naive se është imune ndaj rebelimit global kundër elitave sunduese, i cili ka shtruar rrugën për ngjitjen e demagogëve narcizistë kudo në botë – është prekës. Por nuk është i saktë. Më vjen keq që ju them se Kushtetuta e SHBA nuk u shkruajt nga dora e Zotit dhe se Gjykata e Lartë nuk është Mali Olimp. Besimi i verbër i Amerikës në urtësinë moderuese të klasës së saj të mesme mund të jetë i gënjeshtërt. E vërteta është, rendi demokratik liberal sot mbetet më i goditshëm se në çdo kohë tjetër, që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

* * *

Gjatë një vizite në Bruksel kohët e fundit, vura re se europianët ishin të fiksuar nga Donaldi. “Në çdo konferencë apo takim, ata përmendin Donaldin. Ne flisnim për mbrojtjen detare të NATO-s në Balltik, dhe dikush thoshte: “Po Trumpi”? – më rrëfeu një ish diplomat amerikan.

Këtu në Turqi, barcaletat për Donaldin përqëndrohen kryesisht tek modeli i tij i flokëve, apo bashkëshortja. Pyeta një mik që punon në industrinë e reklamave, përse turqit – që e urrenin Bushin dhe ishin çmendurisht në dashuri me Obamën, që në krye të herës – janë kaq të pavëmendshëm ndaj fenomenit Trump. “Sepse njerëzit janë shumë të mërzitur me atë që po ndodh në Turqi, për të ngritur kokën dhe bërë shaka me Trumpin. Nuk jemi në pozicionin për t’u tallur me autoritarizmin”.

Kur shoh mitingjet e Trumpit nga Stambolli, dhe shoh gjithë zemërimin e drejtuar nga vetja si dhe premtimet e begatisë ekonomike që përdoren prej të gjithë demagogëve, unë shoh shenja shumë domethënëse të lëvizjeve sociale të protestës që sollën Erdoganin në Turqi, Narendra Modin në Indi, Hugo Chavezin në Venezuelë, Jacob Zumën në Afrikën e Jugut. Edhe talljet në mediat e mëdha i kemi parë dikur. Pikërisht këtu ishim ne, plot vetëbesim në statusin tonë dhe në rendin demokratik laik, një dekadë më parë.

Dhe shikoni ku jemi tani.

* Asli Aydintasbas është gazetare me banim në Stamboll

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button