Home / Sporti / Humbja me Izraelin, De Biasi e Duka: Mungoi profesionalizmi

Humbja me Izraelin, De Biasi e Duka: Mungoi profesionalizmi

Asgjë nuk ka shkuar sipas planeve në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit, të zhvilluar në “Elbasan Arena”. Mes euforisë dhe besimit se kishim diçka më tepër se kundërshtarët, përveç faktit që luanim në fushën tonë, gjithçka u rrëzua siç askush nuk e kishte menduar.
Në fillim Gjimshiti lë skuadrën me 10 lojtarë dhe i dhuron penalltinë kundërshtarëve, ndërkohë në pjesën e dytë është Etrit Berisha, dikur i njohur si “njeriu i ftohtë”, i cili humbet toruan: godet kundërshtarin, lë skuadrën me 9 lojtarë dhe i dhuron një tjetër penallti Izraelit.
Mrekullia e Alban Hoxhës zgjat pak, megjithatë ishte ndër të paktat gjëra pozitive, nëse do të rrëmosh të gjesh diçka në këtë 90 minutësh, të cilën kuqezinjtë e humbën 3-0, bashkë me shpresat për të bërë diçka më shumë sesa vendi i katërt në këtë grup, të paktën për momentin.
“Kjo me Izraelin nuk ishte ndeshja më e çuditshme e karrierës sime. Kishte dy episode jo në favorin tonë, por edhe ne kemi fajet tona. Në aksionin e golit të parë mund të bënim më mirë. Kundërshtari na kaloi dhe ky ishte një gabim që e paguam shtrenjtë, pasi pësuam gol dhe mbetëm me 10 futbollistë, gjë që ndaj një skuadre si Izraeli kjo nuk është e lehtë. E kisha thënë edhe më parë se kjo sfidë do të ishte edhe më e vështirë nga sa mund të imagjinohej”, tha Gianni De Biasi.
“Tani e mira është që ta kërkojmë gabimin te vetja, sesa te gjyqtari. Ndoshta kishte edhe një mungesë përqëndrimi. Një futbollist profesionist nuk ka pse të largohet nga fusha me karton të kuq për gjeste josportive. Me gjakftohtësi nga tani e tutje, duhet ta analizojmë mirë këtë ndeshje dhe të ulemi për ndeshjet e tjera. E rëndësishme është sesa forca do të gjejmë për ta rikuperuar këtë situatë”, u shpreh Armand Duka, kreu i FSHF-së.
“Është e vështirë të flasësh pas këtij rezultati dhe pas kësaj humbjeje. Mendoj se duhet të shohim përpara, pasi nuk kemi ç’të flasim më shumë për atë që iku. Shumë gjëra duhet të ishin të evitueshme nga ndeshja e sotme (djeshme) por tani nuk mund të bëjmë dot gjë”, tha kapiteni Ansi Agolli.
“Para ndeshjes kishim mundësi për ta fituar, por nuk u nisëm mirë. Kjo sepse pas 15 minutash, kur je në disavantazh të një goli dhe në inferioritet numerik, ndeshja bëhet e vështirë. Kjo humbje 0-3 me Izraelin nuk ka shumë fjalë dhe çdo gjë ngjan e zezë”, u shpreh mesfushori Ledjan Memushaj.
“Mënyra sesi shkoi loja mund të them se na u vështirësuan gjërat. Ndoshta edhe ne nuk mundëm të tregonim veten dhe të dilnim në lojën tonë. Me dy lojtarë më pak ishte shumë e vështirë dhe thuajse e pamundur”, tha sulmuesi Bekim Balaj.
Pjesa tjetër e lojtarëve janë larguar pa shpjeguar asgjë se çfarë ndodhi me këtë ndeshje, që edhe vet ata e besuan të fituar përpara fillimit.

One comment

  1. Nga krejt kjo fatkeqesi e papare duke u nisur nga referi gjerman qe gjynahet e kombit te vet ndaj jevrejve i “pagoi” me kurrizin e shqiptareve,loja e plogesht e lojtareve tane,. doli ne pah edhe nje gje e mire….Alban Hoxha …i cili po rrin nen hijen e Berishes edhe pse eshte portier shum me i mire se Berisha… Nuk flas ne enderra kur them se Berisha na mori ne qafe si ne kampionatin europian ne ndeshje me Zvicrren si e dini edhe vet ashtu edhe me Spanjen e sidomos ne ndeshjen me Izraelin ku u soll si nje rrugac e bandit..per fat berisha do te denohet me nje apo dy ndeshje mosloje e Alban Hoxha do ta ket rastin ta tregoj veten dhe ta bindi De Biasin se eshte portier me i mire se Berisha edhe pase berisha luan ne Italine e De Biasit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: