Home / Intervista / Rama apo Berisha? Blushi tregon: Ja cili është “Kryeministri” i 2021

Rama apo Berisha? Blushi tregon: Ja cili është “Kryeministri” i 2021

Nga Blerina Gjoka

Kryeministri, personazhi kryesor i Ben Blushit në librin e fundit me të njëjtin titull, ka vendosur të ndryshojë qendrat e qyteteve duke i rikrijuar sipas fantazisë së tij, i pëlqen të punojë më shumë me gratë (se i binden më kollaj, thotë autori), ka pasur disa gra në jetën e tij dhe në fund kërkon të rrijë me çdo kusht në pushtet duke inskenuar dhe vrasjen e vet për këtë arsye.

Por pavarësisht se lexuesi gjen shumë përafërsi në këto përshkrime me kryeministrin aktual Edi Rama, rival politik i Blushit, ai nuk pranon se është frymëzuar prej tij për ta shkruar këtë libër. Madje Blushi në një intervistë për gazetën Mapo thotë se Rama nuk është aq inteligjent sa personazhi i tij dhe nuk është akoma një burim frymëzimi që ai si shkrimtar ta bëjë një nga personazhet e librave të tij.

Në Panairin e Librit 2016, “KM” i Blushit ishte një nga librat më të blerë, kryesisht për shkak të famës së tij si politikan e shkrimtar, por dhe për shkak të titullit. Lexuesit prisnin të gjenin në libër zemërimin e Blushit politikan ndaj kryeministrit aktual. Në fakt, libri s’ka asgjë të përafërt me fjalimet e tij në Kuvend, por lexuesit nuk do të zhgënjehen, do të gjejnë aty një kryeministër që bën gjithçka për të qëndruar në pushtet e për ta mbajtur popullin e tij të verbuar në adhurimin për të, si i vetmi “shpëtimtar”.

Ai arrin deri aty sa inskenon vrasjen e tij në mënyrë që të krijonte keqardhje te njerëzit, por në këtë pikë autori vendos ta vrasë me të vërtetë kryeministrin e tij, duke luajtur me pavetëdijen e ushtarit snajper që ishte kontraktuar për ta kryer këtë shërbim.

Gjatë panairit Blushi takimet me lexuesit nuk i përjeton si një moment të shpejtë vetëm për të firmosur një autograf. Shumë prej tyre i pyet se me çfarë merren dhe i fton që ta takojnë më pas. Një mënyrë kjo e hollë për të krijuar më shumë mbështetës për sfidën që ka ndërmarrë me krijimin e partisë së re, dhe pse nuk e pranon këtë gjë.

Pse “Kryeministri”? A ka lidhje ky titull me momentin politik ku ndodheni ju në raport me kryeministrin aktual?

Është personazhi një nga kryesorët që i jep zgjidhje librit. Pra, ai i jep zgjidhje këtij libri prandaj quhet kryeministër nuk asnjë arsye tjetër.

“Kryeministri” juaj të ngjan herë me Berishën herë me Ramën, ke bërë një ndërthurje. Në fakt kë ke pasur parasysh kur ke shkruajtur “Kryeministri”?

Asnjërin prej tyre. S’ka lidhje, kryeministri është pre e fantazisë sime, kështu që askush nuk mund të bëhet gati se i ngjan.

Po kryeministri yt për shembull ka një tipar, bashkëpunon shumë me gratë, i ka ministre, drejtoresha… është Rama pak a shumë?

Rama nuk është aq shumë inteligjent sa personazhi im. Nuk është akoma aq i përgatitur sa të jetë personazhi im. Kjo është historia e një njeriu që për të fituar më shumë pushtet sajon një atentat kundër vetës. Atentati nuk pati sukses për arsye që unë i shpjegoj. Është prirja e fantazisë sime, nuk ka asnjë lidhje me historinë.

Jepni një zgjidhje ekstreme në fund të filmit duke e vrarë kryeministrin, pse kjo zgjidhje?

Letërsia nuk është politikë. Nuk është inxhinieri, as ekonomi. Pra, ti mund të thuash pse kjo zgjidhje? Ky roman së pari, është fabul për arsye se mua më pëlqeu kur e mendova dhe mënyrën se si e zgjidha rrugës. Pra dhe njëherë e them që është historia e një kryeministri, i cili për të rifituar zgjedhjet vendosi të sajojë një atentat për veten e vet. Sepse ishte e vetmja mënyrë për t’u viktimizuar dhe për të fituar më shumë pushtet. Atentati nuk pati fatin që ai mendonte dhe pati mbylljen që pamë.

Viti 2021 përkon dhe me vitin e zgjedhjeve në Shqipëri…

Nuk ka asnjë lidhje dhe unë nuk e di se kur janë zgjedhjet, sepse zgjedhje mund të ketë dhe në vitin 2017, 2018 edhe në vitin 2019. Pikërisht për t’iu shmangur të gjitha pyetjeve që më bëhen a ka lidhje ky personazh, që në fakt nuk ka lidhje me asnjë e kam vendosur në të ardhmen dhe për këtë arsye që njerëzit të mos kenë mundësi të thonë se i ngjan filanit apo filanit. Është një fabul që zhvillohet në të ardhmen. Dhe shpresoj që në të ardhmen të mos ndodhë ajo që ndodh në libër.

Zoti Blushi në librat tuaj, si te “Kandidati” dhe te “Kryeministri”, populli trajtohet si turmë që bën zgjedhjet e gabuara, turmë fajtore për zgjedhjet që bën. Në fakt a ka një kontradiktë midis Blushit shkrimtar që e mendon popullin kështu dhe Blushit politikan që i duhet popullit, i duhet vota e tij?

Nuk ka ndonjë kontradiktë. Kini parasysh një gjë, se qëkur ka filluar të shkruhet letërsia se personazhi dhe shkrimtari nuk janë e njëjta gjë. Pra Shekspiri nuk është Otello. Dhe Sali Protopapa nuk është Dritëro Agolli. Kështu që personazhet e mi kanë qëlluar relativisht problematikë. Sepse janë marrë në kushtet e një Shqipërie të vështirë që kemi pasur dhe që kemi akoma. Dhe duke qenë njerëz me shumë probleme dhe shumë ankthe dhe me shumë komplekse disa raste edhe me pushtet, ata mund të kenë menduar që populli është një turmë dhe mund ta përdorin dhe kjo nuk është ajo që mendoj unë.

A po e përdor suksesin e “Kryeministrit” me takimet me lexuesit për të shtuar elektoratin tuaj?

Kjo është një gjë nuk di ta bëj, po të dija të bëja do ta kisha bërë ndryshe në kohë të tjera por nuk di ta bëj. Jam këtu për kënaqësinë time dhe për kënaqësinë e lexuesve. Është viti i 7-të ose i 8-të rresht që unë jam në panair me një libër të ri dhe vij këtu për të shprehur respektin për të gjithë njerëzit që më lexojnë dhe sigurisht atyre që më votojnë nëse është e nevojshme.

One comment

  1. Blushi.Ti je nje pleh shqipetar.Plehrat shqipetare ne Tirane,prishtine,Shkup,Ulqi kane qene,jane,dhe do te jene fatekeqesia e kombit shqipetar,fatekeqesia e Ballkanit,e Europes dhe e Botes.Kjo eshte provuar gjate 2366 vjetesh.

Leave a Reply to shqip Cancel reply

%d bloggers like this: