Te ndryshme

Viti 2016, më i nxehti në histori

Edhe pse kanë analizuar të dhënat e vetëm 9 muajve, shkencëtarët janë 90 për qind të sigurtë se vitin 2016 do të thyejë rekordin global, si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Temperaturat, nga janari në shtator ishin 1.2 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale. Organizata Meteorologjike Botërore paralajmëron se, edhe për pjesën tjetër të vitit ato do të jenë mjaftueshëm të larta, për të tejkaluar rekordin e vendosur në vitin 2015.

Fenomeni “El Ninjo” pati një ndikim të konsiderueshëm, por faktori më i rëndësishëm që ka shkaktuar rritjen e temperaturave vazhdon të jetë dioksidi i karbonit. Konstatimi mbi statusin e klimës globale në vitin 2016 u bë i ditur më herët këtë vit, për të informuar negociatorët që do të takohen në Marok, në përpjekjen për të nxitur implementimin e marrëveshjes së Parisit.

Në dokument thuhet se, deri në muajin shtator, temperatura globale ishte 0.88 gradë mbi mesataren për periudhën nga 1961-shi deri në 1990-n, së cilës i referohet përgjithësisht organizata meteorologjike.

Ndërkohë, për të gjithë vitin 2015, temperatura ishte 0.77 gradë mbi mesataren, për po të njëjtën periudhë. Në raport theksohet gjithashtu fakti se, tregues të tjerë afatgjatë të ndryshimeve klimatike po thyejnë rekorde. Sasia e gazrave me efekt serë vazhdoi tendencën e rritjes, akulli në Arktik u shkri në sasi të konsiderueshme, ashtu si dhe mbulesa e akullt e Groenlandës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button